Marrëdhënie

April 7, 2016 | 7:28

Të jesh gruaja e… Jul Dedës/Armanda Deda: Luftova për të qenë vetvetja

“Kur nisa studimet e masterit, hyra shtatzënë me vajzën, dhe dola me djalin”… kështu e nis rrëfimin e saj, Armanda Deda. Dëshmon zotësi, njëherësh dhe sakrifica në emër të plotësimit profesional dhe karrierës, mandej edhe një familje të kompletuar me dy fëmijë të mrekullueshëm. Nuk ka ditur të bëjë kompromise, por ka zgjedhur t’i dalë zot vetes pa përkrahjen e askujt, dhe pa kurrfarë ndihme. Vetëm vetja jote nuk të tradhton, dhe 30-vjeçarja e beson këtë për sa kohë ka luftuar fort për të bërë gjërat e duhura në jetë. Por, po të mos kish marrë mbiemrin e të shoqit, pakkush do e dinte se është gruaja e aktorit të njohur të humorit Julian Deda. Në fakt rëndom, prezantohet më thjesht: Armanda. Sepse nuk preferon ta shfrytëzojë prestigjin e të shoqit. E diplomuar për biologji, e specializuar në degën e kriminalistikës, në sektorin e analizave biologjike të kufomave, ajo punon prej disa vitesh në Ministrinë e Brendshme. “Nuk më ka pëlqyer asnjëherë të dukem, apo të përfitoj për hir të një emri, a pozite të dikujt. Jam mësuar që t’ia dal mbanë me forcat e mia, dhe kjo gjë më ka stërvitur shumë. S’besoj se do isha e lumtur, që në momentin kur do rrija në shtëpi, dhe do prisja vetëm nga im shoq… Përkundrazi, kjo do më rëndonte pa masë në ndërgjegjen time”, thotë Armanda.

***

Të pasurit e një partneri artistit, përveçse një figurë publike, jo gjithmonë do të përkthehej në një person që ka para dhe që mund të ofrojë një jetë luksi. Është komplet tjetër gjë imazhi i një artisti, e për më tepër në Shqipëri. Humori duket se është pjesë e skeçeve, apo materialeve humoristike që gajasin publikun, ndërsa brenda mureve të shtëpisë, çifti Deda, ndonëse dy shkodranë që e kanë humorin në gjak, bëhen më seriozë se kurrë. “Jeta nuk është humor, dhe ne të dy e dimë fare mirë këtë. Unë e kam mbështetur Julin që në fillim të njohjes sonë, kur ai fitoi fakultetin, isha aty pas dere duke e pritur për rezultatin… Pas fakulteteve, nisi të na frikësonte ideja e një pune në profilet tona, ai si aktor dhe unë si biologe. …Këta artistët janë pak natyra të ndjeshme dhe delikate… janë njësoj si qelqi, nëse bien në dysheme bëhet thërrime. Dhe unë gjithnjë e kam pasur parasysh këtë. Pastaj, si çdo familje tjetër shqiptare, edhe ne kemi probleme, vështirësi, të cilat na duhet t’i përballojmë vetë”, vijon Armanda.

***

Përpara se të kënaqet me arritjet e të shoqit, fillimisht ajo i hedh sytë te vetja… si do të ishte jeta e tyre, nëse ajo vetëm do ishte kapur me “kthetra” pas dashurisë e do ish mjaftuar me kaq! Nuk tenton të bëj parashikime, por është e bindur se nuk do e kishin aspak të lehtë. Ajo nuk është vetëm një femër e realizuar në profesionin e saj, ajo ka pranuar pa mëdyshje që të jetë edhe një nënë e devotshme për vajzën Reinën dhe djalin Mateon. Është suport edhe për të shoqin, që shumicën e kohës e gjen në prova artistike për shoun humoristik “Apartament i2XL”, që transmetohet në ekranin e “Vizion Plus”. “Nuk e ngarkoj shumë Julin me detyrimet familjare, pasi duke qenë i dyzuar nga punët, preferova që ta lë më të qetë dhe t’i bëj gjithçka gati. Kur e shoh që ai është i stresuar dhe i lodhur fizikisht, i marr të gjitha përsipër vetë. Sigurisht, dua më të mirën për të, dhe nëse ka një njeri që e kritikon apo e vlerëson, e para jam unë… Kush më shumë se unë do t’i donte të mirën Julit! Kur konstatoj ndonjë performancë jo fort të arrirë, nuk hezitoj t’ia them, dhe këtë e bëj që ai të përmirësohet. Shpesh mendoj se jemi dy persona që plotësojmë njëri-tjetrin… Ai i lindur për të qenë protagonist, ndërsa unë nuk dua të shfaqem fare në publik, përveç rasteve kur e shoqëroj nëpër koncerte. Ai natyrë e shkathët, teksa unë jam më e heshtur dhe e qetë. Ajo që na bashkon, përveç dashurisë, është familja dhe humori, pa të cilat – thekson Armanda,  nuk jetojmë dot”.

Botuar në revistën Psikologjia, Qershor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top