Të rigjesh besimin te vetja dhe te të tjerët, është hapi i parë për të braktisur problemet që nuk na përkasin dhe për të kthyer fletën. Këshilla për t’ia dalë…
“Si një kafshë në kafaz. Ja si jam ndier kur zbulova që ime shoqe më kishte tradhtuar. Një përzierje inati dhe dhimbjeje më shoqëruan për vite të tëra. Deri në fund të martesës sime”. Historia e Andreas, 43 vjeç, është domethënëse. “Edhe pse më betohej se më donte dhe se ajo me atë tjetrin ishte një histori pa vlerë, nuk ia dola kurrë ta fal me të vërtetë”. Falja, sipas ekspertëve, është zgjidhja e problemit…
1.Të mos biesh në kurthin e zemërimit
“Falja është aftësi”, shpjegon Grazia Geiger, psikologe dhe psikoterapeute në Romë. “Shpesh është një sjellje e vështirë për t’u vënë në praktikë, sepse ka rrënjë që qëndrojnë thellë në kohë”. Për shembull, në fëmijëri mund të kemi provuar zemërim kundrejt prindit që na ka ndëshkuar apo keqtrajtuar. “Një shuplakë mund të jetë diçka që e mbajmë pas, gjatë gjithë jetës. E rivuajmë ndjenjën e padrejtësisë sa herë që provojmë një emocion të njëjtë me atë të kohës kur ishim të vegjël”. I ka ndodhur Anës, përkthyese në profesion, të jetë viktimë e një ofendimi të hershëm nga ana e së ëmës, që gjithnjë kish preferuar të vëllanë. “Vetëm pak kohë më parë kam arritur ta fal nënën dhe veten time. Për shkak të zemërimit, kisha çuar dëm shumë kohë të cilën mund ta kisha shpenzuar në mënyrë më konstruktive”, pohon ajo. “Në origjinë të frikës për të falur fajet ose gabimet e të tjerëve është frika për të hyrë në kontakt me emocionet që ato ngjallin brenda nesh. Zemërimi është vetëm kapaku i ‘tenxheres me presion’, është pengesa e parë për një interpretim pa paragjykime të përvojës sonë. Sapo lind, zemërimi mund të kompromentojë çdo lloj tentative për të falur veten ose tjetrin”, vëren Sabrina Camplone, psikologe dhe psikoterapeute në Pescara. Ndjenja e fajit është pikërisht si një “sabotues i brendshëm”.
2.Pranoni mungesën e përsosmërisë
Pranimi nuk do të thotë të shfajësosh tjetrin apo veten. Falja nuk është lëshim, por vlerësim i ndryshimit. Me vetëdijen se as ne dhe as tjetri nuk jemi të përsosur. Tregon Mariela, 34 vjeç: “Raporti miqë- sor me Lorenën u ndërpre kur më akuzoi se nuk e kisha ndihmuar dhe mbështetur gjatë një projekti të përbashkët. Në të vërtetë unë bëra çfarë munda, por ajo nuk e njohu angazhimin tim”. Rezultati: të dyja u ndien të tradhtuara nga njëra-tjetra, duke jetuar një gjendje vendnumëro. “Një qëndrim i tillë varet nga fakti se presim që tjetri të sillet siç duam ne, – shton Grazia Geiger. – Falja përkundrazi ka të bëjë me vetëdijen se ekzistojnë ndryshime të thella mes njerëzve”. Zgjidhja? Të provosh, në raste si këto, t’i drejtohesh tjetrit me fjalët: “Ti ke një këndvështrim të gjërave të ndryshëm nga i imi. Ndoshta ke të drejtë ti. Prandaj unë po të kërkoj ndjesë”. Duhet pra, të kapërcejmë krenarinë dhe kotësinë, në mënyrë që të mos drejtohemi nga një ndjenjë frenuese siç është urrejtja.
3.Të dish të falësh veten
Sipas ekspertëve, nuk ka dyshime: falja ia vlen. Në përgjithësi është më e thjeshtë të falësh të tjerët, sesa veten. “Kjo sepse priremi të jemi kritikët më të ashpër të vetes sonë”, preçizon Patrizia Castellucci, psikologe dhe psikoterapeute në Lugano, autore e “Ritmi. Vrapi i kohës dhe zgjedhjet e jetës”. “Për të shkarkuar peshën e ndjenjës sonë të fajit, shpesh i drejtojmë vetes inatin dhe zemërimin, duke rrezikuar t’i bëjmë keq pikërisht vetes. Kjo ndjesi e ka brengosur për vite të tëra Lulin, 48 vjeç, arkitekt, që nuk ka qenë në gjendje t’i rrijë pranë babait të sëmurë. “Kemi qenë larg për shumë kohë dhe nuk arrija të gjeja një pikë kontakti. Tani po bëj një përshkim duke u përpjekur që të mos rri i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me këtë ndjenjë pafuqie. Kjo më ka dhënë edhe besim të vetja”. Kur kemi kryer diçka për të cilën jemi penduar, shkojmë kundër asaj që presim nga vetja. Zgjidhja është një proces i ngjashëm me trazimin që të shkakton humbja. Në fillim nuk e pranojmë atë që ka ndodhur. Nëse ka qenë një tradhti, fillojmë duke thënë: “Nuk është e mundur, duhet të jetë një keqkuptim”. Në stadin e dytë jetojmë zemërimin, që u bën vend energjive negative dhe, duke mos e pranuar, rrezikon të na mbajë të lidhur me të kaluarën. Më pas vjen trishtimi, që lidhet me vetëdijen e asaj që kemi humbur (vlerësimi për tjetrin ose për veten), që mund të sjellë mandej depresionin ose frikën se situata të cilën e kemi humbur mund të mos kthehet më. “Bëhet fjalë për faza fiziologjike. Nuk duhet të keni frikë t’i përshkoni, edhe nëse janë të dhimbshme. Vetëm duk i jetuar të gjitha fazat arrijmë të kapërcejmë të shkuarën dhe të pranojmë një situatë të re”, shton Castellucci.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.