Është hapi i parë themelor për t’u përballur me to. Do t’ju paraqesim një sondazh mbi ankthin më të përhapur…
Shpresa dhe frika
Këto dy fjalë alternohen tashmë në bashkëbisedimet me miqtë dhe të njohurit. Bota duket një inkubator i frikërave të reja, që paralizojnë dhe e bëjnë të vështirë vështrimin drejt të ardhmes. Frika struket gjithandej, mund të jetë një atentat terrorist, një furtunë, një rënie në bursë, një virus i ri. Ose mund të jetë kërcënimi nuklear, degradimi mjedisor, manipulimi gjenetik i trupit rritje të ndjenjës se pasigurisë. Në krah me këto shqetësime publike ka të tjera që vijnë për shkak të subjektivitetit tonë. Frikërat tona të përditshme, të vogla e të madha. Frika nga sëmundjet, humbja e punës, të mbeturit vetëm, pleqëria… Secili prej nesh i jeton në mënyrë më pak ose më shumë të thellë. Më poshtë do të bëjmë një refleksion mbi frikërat… dhe, pse secili prej nesh ka arsye të vërteta, pse duhet të besojë te vetja dhe të ketë besim te e ardhmja.
Të mësojmë të kemi frikë
Sa përpjekje dhe sforcime bëjmë për ta përmbajtur, për të mos e shfaqur frikën? Le të provojmë, përkundrazi, ta lëmë të rrjedhë këtë energji, këtë emocion kaq njerëzor. Të jemi njerëz, do të thotë të jemi të dobët, të papërsosur, nevojtarë ndaj njëri-tjetrit. Do të thotë edhe, pse jo, të kemi frikë. Pse atëherë të mos e provojmë t’ia nisim prej këndej? Nga kjo ndjenjë dobësie, pasigurie dhe prekshmërie? Frika është sot më e nevojshme së ne cilëndo epokë tjetër. Jo frika që të mbyll dhe të nervozon, por ajo që prodhon përgjegjësi të pasionuar dhe ajo e “kujdesshme” që është “shqetësim” dhe “përkujdesje”…
Ta bëjmë frikën motor të ekzistencës
Në mënyrë paradoksale, për të kapërcyer frikërat tona lipset që të pranojmë dobësinë tonë. Të ndërgjegjësohesh për një dobësi është një mënyrë për të qenë të qëndrueshëm. Kjo nuk do të thotë që të mos jemi të shqetësuar. Pra, kur jemi të paralizuar nga frika, lipset shkuar te rrënjët, të kuptojmë ato që ankthet thonë për ne dhe për dëshirat tona. Në këtë sens, të kuptosh frikën do të thotë të konsolidosh personalitetin. Fshehja e frikës ka si efekt shndërrimin e saj në ankth: një ankth i përhapur, qarkullues, i cili duke mos qenë më i përcaktuar, në mënyrë të pashmangshme projektohet, duke u zhvendosur në një numër gjithnjë e më të madh aspektesh të përditshmërisë.
Ta aktivizojmë frikën
Frika mund të paralizojë, dhe është e lidhur me ndjenjën e mungesë së fuqisë. Ose mund të të shtyjë në veprim, të ndryshojë të tashmen, duke përdorur më të mirën e mundësive tona. Kështu fillon ecja përpara. Frika na fton të marrim përgjegjësitë e zgjedhjeve tona. Marrim një shembull: frika e të mos qenit prind i mirë. Është një frikë e bukur. Sugje – rohet që të duhet kjo frikë se i bën ata që e kanë të rriten. Është përgjegjësia në këtë rast. Por, duhet punuar edhe në drejtime të tjera, duke kaluar te frika për të ardhmen e fëmijëve. Që do të thotë të pyesni veten: çfarë mund të ndodhë me këtë qenie nëse unë nuk kujdesem për të? Të marrim frikën nga sëmundjet. Kjo frikë fsheh mes të tjerash, një ankth imponues për vdekjen, me të cilën njeriu sidoqoftë është i thirrur të përballet. Me sëmundjen ndodhemi përballë tradhtisë së trupit. Të përpiqemi atëherë t’i vëmë veshin trupit, vuajtjeve të tij, betejave të tij, triumfeve dhe jo vetëm në mbështetje të ekzistencës… Një tjetër frikë është ajo nga vetmia. Kjo është një frikë autentike, do të thotë të pranojmë se kemi nevojë për gjëra që na përkasin dhe lidhje. Sepse njohim tek tjetri një pjesë përbërëse të identitetit tonë, shansin e autenticitetit të unit. Një un mikpritës. Në një rast të tillë, mjedisi në të cilin veprojmë nuk duhet parë thjesht si një terren garues por edhe si një vend ku mund të të dëgjojnë dhe ndihmojnë. Mundemi pra të vërejmë: duam të dashurojmë por kemi frikë se mos bëhemi të cenueshëm. Dëshirojmë të hapemi, por kemi frikë mos na refuzojnë. Duam ndenja të thella, por kemi frikë mos na tronditin emocionet. Një nga sekretet është: të ndërgjegjësohemi për faktin se kemi realizuar disa gjëra, të vogla ose të mëdha. Dhe të ndalim së krahasuari me tjetrin sepse është gjithnjë e dëmshme. E rëndësishme është të njohim dëshirat tona më të thella.
T’i afrohemi së ardhmes
Çfarë lloj bote duam të ndërtojmë? Nuk ka ide mbi të ardhmen pa e përfytyruar atë. Lipset pra një akt krijues. Por duhet edhe të veprohet menjëherë këtu dhe tani në përditshmërinë e përvojës, për të mundësuar zgjedhjen e larmishme të varianteve të mundshme. Në mënyrë që t’i sigurojmë vetes, por edhe brezave të ardhshëm jo thjesht një jetë por thjesht jetën e denjë për t’u jetuar. Me fjalë të tjera, e ardhmja është sakaq e pranishme, sepse jemi ne vetë që e bëjmë këtu dhe tani përmes efekteve me jetëgjatësi të veprimeve tona. Duke marrë përsipër riskun e të jetuarit, duke mësuar të tolerojmë pasiguritë, frikërat…
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.