Nga: Jonida Ponari Uçaj
Imagjinoni një fëmijë 11 muajsh, që është duke mësuar hapat e parë në jetë. Fillimisht ka mësuar të zvarritet këmbadorazi, e ditë pas dite ka përvetësuar nga një shkathtësi të re, si p.sh. si të mbahet te divanet. Mund të jetë rrëzuar, por duke kaluar situata të ngjashme gjatë përditshmërisë, nga rëniet në dysheme, ai ka fituar besimin në mënyrat e reja për t’ia dalë mbanë. Në rastin e tij, për të mbajtur ekuilibrin dhe për të ecur! Për analogji, në po këtë linjë dua të shihni veten tuaj, teksa jeni drejt një rruge të re, të formimit profesional, të punës, apo të një lidhjeje të rëndësishme për ju, të një investimi, të diçkaje në të cilën ju jeni përfshirë. Hasni pengesën e parë dhe ndodh të “rrëzoheni”, por mësoni nga kjo gjë dhe kur ballafaqoheni sërish me të njëjtën pengesë, nga përvoja dini si ta mënjanoni për t’ia dalë mbanë. Henry Ford themeluesi i makinës Ford shprehet: “Dështimi është mundësia për të filluar përsëri, por në mënyrë më inteligjente”. Të mësosh nga “rëniet” nga pengesat, vështirësitë, dështimet do të thotë që këto të fundit mos t’i shohësh si përvoja negative, por përkundrazi, si aleatë kyç që na bëjnë të zhvillojmë më shumë veten. Kjo vlen jo vetëm për profesionin por edhe më gjerë se kaq, në çdo fushë të jetës. Një pikëpamje pozitive e të provuarit shumë herë për të arritur një qëllim është ajo e Thomas Edison, shpikësit amerikan të llambës elektrike. Ai është shprehur: “Unë nuk dështova, thjesht provova 10.000 mënyra të cilat nuk funksionuan”. Pra, shohim një individ që nuk refuzon së tentuari, së provuari derisa arrin qëllimin. Ai nuk hoqi dorë dhe pikërisht kjo arsye i solli atij suksesin në shpikjen e llambës. Ky është çelësi për të hapur një derë gati në çdo fushë. Të përkushtuarit derisa të arrish synimin e shumëdashur. Por gjatë rrugës mund të lodhemi, mund të kemi shumë gjëra kundër, njerëz apo situata në disfavorin tonë dhe çfarë bëjmë ne? Shpeshherë zgjedhim rrugën më të lehtë, shmangemi, heqim dorë. “Gabimi më i madh? Të heqësh dorë”, ka thënë Nënë Tereza. Një individ i jashtëzakonshëm, që nuk hoqi kurrë dorë ishte dhe Abraham Linkoln. Ai në moshën 22 vjeç dështon në biznes. 23 vjeç kandidon për zgjedhjet legjislative dhe humbet. Në moshën 24 vjeç falimenton sërish. Në moshën 26-vjeçare i vdes e dashura, dhe dhimbja e plogështon. Në moshën 27 vjeç vuan një depresion nervor. Rehabiliton shëndetin dhe kandidon në moshën 34-vjeçare për Kongresin Amerikan dhe humbet sërish. Në moshën 39-vjeçare kandidon për në Kongres dhe sërish humbet. 46 vjeç kandidon për në Senat. Pa sukses. Nuk heq dorë as këtë radhë dhe kandidon për Zv/President në moshën 47 vjeçe. Në moshën 49-vjeç hyn në zgjedhje për në Senat, por fitorja u buzëqesh të tjerëve. 51 vjeç kandidon për presidencën e SHBA dhe zgjidhet president. A ka dëshmi më frymëzuese se sa kjo?
Ndaj, të drejtohem TY lexues/lexuese! Edhe nëse besimi yt është i lëkundur dhe mund të jetë në madhësinë e një kokrre orizi, mbaje fort, ushqeje, rrite e zhvilloje përditë. Jo gjithmonë jeta është me ngjyrat që ti dëshiron, por TI kurrë mos e humb dëshirën për të ngjyrosur gëzueshëm. Mund të ndodhë të gabosh, të biesh pre e situatave apo ngjarjeve jo të këndshme,thurrur mjeshtërisht prej intrigave njerëzore. Mos hiq dorë! Nxirr mësimin dhe mësoje mirë! Mëso se si të mbrohesh e si të ecësh përpara. Mendo pozitivisht duke parë çdo “rënie” si mundësi për të zgjeruar këndvështrimin personal,
për të ulur gjasat e përsëritjes së gjërave jo të favorshme, për t’u shkathtësuar e për të qenë i aftë për të vëzhguar çdo ndodhi me syrin kritik(tashmë të zhvilluar nga përvoja e mëparshme), ku ti dallon gjithçka që të shpie drejt rënies apo suksesit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.