Mirëqenie

September 20, 2019 | 10:40

Të mirat që i sjellin shëndetit hurmat farëzeza…

Shqiptarët janë të çmendur pas hurmave, me apo pa fara qofshin ato. Të gjithë janë të mendimit që hurmat kanë qenë pjesë e traditës sonë prej shekujsh të tërë. Frutat e këtyre hurmave gjenden në çdo rrugicë, shtëpi përdhese, lagje apo edhe bahçe.

Hurmat e para farëzeza sapo kanë dalë në treg, ato kultivohen anembanë Shqipërisë, veçanërisht në Berat, Përmet, Elbasan, Pogradec, por edhe në Lezhë, Tiranë e gjetkë. Emri botanik i hurmave është Diospyros që përkthehet “Fruti i Perëndive” dhe ky emërtim i shkon shumë për shtat.

Ky frut është kombinimi perfekt i fruti të plotë dhe me shumë lëng. Është i ëmbël, por jo trullosës që do të thotë se qiellzës suaj do t’i pëlqejë shija intriguese e hurmës. Hurmat vijnë në varietete shumë të larmishme. Ato i gjeni në ngjyrë të verdhë deri tek ngjyra gështenjë. Ato kanë forma dhe variante të rrumbullakëta, por asnjëherë njësoj.

Llojet më kryesore të hurmave janë ato farëbardha dhe farëzeza. Këto të fundit mund të shijohen kur janë krokante si mollët, por edhe të buta. Megjithatë nëse je i paduruar dhe zgjedh të provosh hurmat farëbardha kur janë të forta, atëherë do të kesh ndjesinë e fortë e të thatë në gojë.

Kur këto hurma janë të pjekura plotësisht, atëherë lëkura e tyre kthehet në një enë të mirëfilltë për një tul aq të mirë e të ëmbël sa i ngjan një reçeli të trashë. Vetëm atëherë ju do të keni mundësi të kuptoni se çfarë do të thotë të hash “Frutin e Perëndive”. Ka njerëz që preferojnë t’i hanë këto hurma të freskëta. Disa të tjerë preferojnë t’i ruajnë në frigorifer përgjatë gjithë vitit.

Vlerat e hurmave

Krahas shijes së tyre fantastike, hurmat mbartin vlera të jashtëzakonshme shëndetësore. Hurmat janë të pasura me vitamina, minerale si dhe antioksidantë. Ato përmbajnë ujë me shumicë (rreth 80%), por edhe fibra, vitamina (A, C) dhe kripëra minerale, si potas, kalcium, kalium, magnez, fosfor, selen dhe sodium.

Falë përmbajtjes së këtyre substancave, hurmat u japin energji organizmit, mbrojnë sistemin imunitar, kanë aftësi të përmirësojnë tretjen dhe të luftojnë lodhjen. Hurmat janë të jashtëzakonshme edhe kundër stresit, kundër anemisë apo mungesës së oreksit.

Varietet shqiptare

Në Shqipëri, ne mund të gjejmë nga një lloj të hurmave me fara dhe të atyre pa fara. Për fat të mirë është shumë e lehtë për të bërë ndryshimin mes të dyjave. Variteteti i hurmës me fara është si një kokërr e vogël me majë në pjesën e poshtme të saj. Ndërsa tjetri ka formën e një domateje me një gropëz të vogël në pjesën e poshtme.

Konsumatorët e tregjeve të fshatarëve mund të arrijnë të gjejnë edhe hurma super farëzeza, të ashtuquajtura hurma çokollate, që quhen kështu si rezultat i ngjyrës së errët të tulit të hurmës. Në mos krejt të errëta, njollat e kafta në tulin e hurmës janë gjithmonë shenja e duhur se sa e mirë është hurma në shije. Ata që nuk e njohin hurmën, këto njolla të kafta i shohin si shenjë të kalbjes së frutit. Ata që e njohin mirë atë, e dinë që bëhet fjalë për të kundërtën.

Për më tepër, konsumatorët mburren edhe me numrin e farave tek hurmat me njolla të kafta, sepse sa më shumë fara të ketë, aq më e shijshme është. Hurmat e freskëta dhe të pjekura mirë konsumohen direkt, por shija e tyre e veçantë i bën të gjejnë përdorim edhe në aspekte të tjera kulinarie, duke nisur nga sallatat e deri tek lëngjet e frutave. Hurmat që janë xhelatinoze në gjendje natyrale dhe shërbehen edhe mbi ëmbëlsira në formën e shurupit.

A e dinit se:

Një kompani prodhuese birrash në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ringjall recetën e birrës së hurmës, e cila është zhdukur prej plot 300 vitesh. Kjo recetë i përket atyre kohërave kur njerëzit nuk pinin ujë për t’u freskuar. Kjo për shkak të papastërtive dhe pinin birrë që prodhohej nga fermentimi i hurmave. Birra e hurmës në kohët moderne përmban vetëm 3% alkool ndaj shumë njerëz mund ta konsumojnë sipas dëshirës pa i ardhur koka rrotull.

 

Burimi / AgroWeb

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top