Në fokus

August 21, 2016 | 9:25

Të mos i gjykojmë të tjerët

Kur jemi ne ata që gjykojmë, shpesh e justifikojmë veten duke thënë se ajo që themi nuk është gjykim, por vetëm një mendim apo opinion. Edhe në rastet kur e pranojmë që jemi duke gjykuar dikë, jemi të sigurt se është një gjykim objektiv dhe që bazohet tek e vërteta. Fatkeqësisht, e vërteta është se jemi mësuar dhe edukuar që të shprehim gjykime mbi të tjerët. Mbi të gjitha, jemi rritur me një kulturë ku, pothuajse gjithmonë, njerëzit japin gjykimet e tyre, shpesh të nxituara e sipërfaqësore për gjëra, çështje dhe njerëz të ndryshëm. Rrallëherë na shkon ndër mend se personin që po “nëpërkëmbim” as që e njohim realisht, as që i dimë arsyet e vërteta të sjelljes së tij. Ama, ajo që na shkon ndër mend është të japim mendimet dhe vlerësimet tona. Veç kësaj, bëjmë gabimin që nuk kuptojmë jetët që na kalojnë para syve: gjykojmë sjelljet, pa u kujtuar se personaliteti dhe karakteri mund të jetë komplet i kundërt. Mandej, kemi edhe kujtesën e mekët dhe harrojmë me shpejtësinë e dritës ato herë kur, të gjykuar vetë ne, kemi kuptuar se sa gabim, sipërfaqësor dhe i bezdisshëm, është të gjykohesh nga të tjerët. Arti i të gjykuarit është pasojë e një kulture që ka gjurmë të thella bazuar te mosbesimi. Pothuajse gjithmonë kemi pritshmërinë që një çështje e caktuar të ketë me patjetër diçka negative, që gabimet janë gjithmonë të këqija, që të gjithë duan të na mashtrojnë dhe askush nuk jep asgjë në këmbim të asgjëje. Përfshihemi së tepërmi në paragjykim, të sigurt se kemi gjithmonë të drejtë. Veç kësaj nuk jemi shumë të zotë për të marrë në konsideratë se njerëzit që na rrethojnë kanë parime dhe vlera të ndryshme. Para së gjithash duhet t’i kuptojmë dhe më pas, nëse DUHET, të japim vlerësimin tonë. Zor se e kuptojmë ndonjëherë që ne e shohim botën sipas këndvështrimit tonë dhe gjykimet tona janë të lidhura me vizionin që ne kemi për jetën, por jo domosdoshmërisht edhe të tjerët duhet të mendojnë si ne. Të mos gjykosh të tjerët, nuk është vetëm një nga urdhëresat biblike, por edhe një mënyrë jetese kundrejt njerëzve: si duhet të duam (të pranojmë apo kuptojmë veç të tjerash). Sa herë që gjykojmë dikë, jemi duke mbyllur sytë para botës, realitetit dhe njerëzve. Mbyllim edhe veshët dhe këmbëngulim në qëndrimin tonë, pa u munduar të vëzhgojmë se si janë gjërat në realitet. Pra, për të mos gjykuar dikë, së pari duhet ta vëmë veten në vendin e tij. Duhet të konsiderojmë faktin se zgjedhjet që ka bërë dikush në jetë janë më e mira që ka mundur dhe ka ditur të bëjë. Ndoshta, sipas parimeve tona, edhe mund të ketë gabuar, por kjo nuk na jep të drejtën të gjykojmë. Mundohuni të evitoni çfarëdolloj gjykimi mbi të tjerët për një ditë të vetme. Mos gjykoni askënd, vëzhgoni sjelljet që bëjnë. Nëse është e nevojshme shprehni dyshimet dhe arsyet e këndvështrimit që keni, por mos jepni asnjë gjykim, as edhe një fjali për askënd. Sa herë që thoni “ti je” apo “ai është”, ndaluni dhe kujtoni një gjë shumë thelbësore: njerëzit nuk janë sjelljet që bëjnë. Ndoshta nuk ju pëlqen një veprim i caktuar apo një zgjedhje, por kjo nuk është personi që keni përpara. Për të mos gjykuar të tjerët, duhet ta ndani sjelljen nga njeriu, duke mbajtur mend që sjellja mund të jetë të tjerët e gabuar, por njeriu jo.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top