Në fokus

August 20, 2016 | 8:30

Të mos kesh frikë nga gjykimi i të tjerëve

Frika nga gjykimi është një pengesat më të mëdha për t’u tejkaluar. Kushtëzon pjesën më të madhe të zgjedhjeve që bëjmë dhe në rastet më ekstreme, mund të bllokojë veprimet që bëjmë duke na shndërruar në njerëz të pavendosur e skllevër të vetvetes. Është shumë e domosdoshme ta hedhim pas krahëve këtë kufizim shumë të madh, që të mund të jemi të lirë të vendosim vetë, pavarësisht nëse zgjedhja që bëjmë është e drejtë apo e gabuar.

1. Në fakt, vetëm koha është dëshmitari i vetëm nëse kemi vepruar mirë apo gabim dhe do të jenë të paktë njerëzit që do të na ndihmojnë nëse kemi zgjedhur rrugën e gabuar. Shumica prej tyre do të jenë gati për të dhënë gjykimin e tyre. Për të tejkaluar frikën e gjykimit, para së gjithash, duhet të kemi besim te vetja. Askush nuk është më superior ndaj nesh, ashtu siç edhe ne nuk duhet të ndihemi më të mirë se të tjerët.

2.Secili ka historinë e tij të jetës dhe askush nuk ka të drejtë të kundërshtojë zgjedhjet tona, qoftë ky edhe miku më i mirë apo ndonjë pjesëtar i familjes. Edhe nëse zgjedhjet që bëjmë janë të gabuara, duhet të kuptojmë që kanë qenë një tërësi arsyetimesh dhe përvojash që na kanë çuar drejt vendimit përfundimtar dhe duhet të jemi në gjendje të marrim përgjegjësinë e plotë të veprimeve që bëjmë.

3.Të gjithë gabojnë gjatë udhës së jetës. Ata që e mbajnë veten si më të pagabueshëm, janë ata që gabojnë më tepër. Shpesh zgjedhim duke i besuar arsyes, të tjerë instinktit apo zgjedhim me zemër, por sigurisht duhet të marrim edhe mendimin dhe këshillën e personave që u besojmë më tepër, të cilët mund të kenë kaluar të njëjtat eksperienca. Duhet të kemi parasysh që çdo situatë është e ndryshme nga një tjetër dhe të ndryshëm janë edhe njerëzit që i kanë përjetuar.

4.Sido që të veprojmë, nuk do të jetë asnjëherë mënyra e duhur për të gjithë njerëzit. Do të jetë gjithmonë dikush që do ketë diçka për të thënë, ndaj përse të ndikohemi prej tyre? Mund të dëgjojmë edhe mijëra mendime e këshilla, por vështirë të gjejmë dy njësoj. Gjithashtu, duhet të kemi parasysh se është shumë e rëndësishme të duash veten. Dhe nëse duam të kemi vendin tonë në shoqëri, të jetosh në hije nuk sjell asnjë të mirë, përveçse na dëmton. Vetëbesimi është një veti shumë e çmuar, ndaj më mirë të gabojmë me vetëdije sesa të gabojmë si pasojë e imponimeve të të tjerëve.

5.Duhet të kemi mirë parasysh se jo të gjithë njerëzit që na rrethojnë, na duan. Shpesh rrethohemi nga miq që na duan të mirën, por ka edhe të tjerë që e shijojnë shumë kur ne gabojmë, vetëm e vetëm për të justifikuar gabimet e tyre. Kush na do me të vërtetë, na do për atë çka jemi, me të mirat dhe të këqijat e karakterit tonë dhe janë gati të na këshillojnë e të rrinë pranë nesh edhe kur kalojmë çaste të vështira. Por, sigurisht, gjesti që duhet vlerësuar më shumë është kur nuk gjykojnë veprimet që bëjmë, por na lënë liri të plotë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top