Në fokus

October 31, 2016 | 8:28

Të njohim çrregullimin e ankthit të përgjithësuar

Ndërmjet 10 diagnozave tipike të njohura të ankthit, çrregullimi i ankthit të përgjithësuar është një ndër diagnozat më të shpeshta të moshës së rritur. Njohja e tipologjisë së çrregullimit të ankthit ndihmon shumë në përzgjedhjen e duhur të trajtimit më të favorshëm.

Personat me diagnozën e (ÇAP) janë personat që vizitojnë më shpesh ambientet ambulatore dhe spitalore dhe të strukturave të tjera të kujdesit shëndetësor. Thuajse në të gjitha vendet përbën afërsisht 10% e të gjitha çrregullimeve mendore të paraqitura në shërbimin e kujdesin parësor dhe për fat të keq identifikimi i tij është relativisht i ulët. Nëse ÇAP nuk trajtohet, me kalimin e kohës çrregullimi bëhet kronik për shumicën e pacientëve. Statistikat sugjerojnë se vetëm rreth 40% e pacientëve me ÇAP marrin trajtimin e duhur. Pavarësisht se konstatohet edhe në mosha më të hershme te të rriturit, periudha më e zakonshme e shfaqjes se ÇAP është zakonisht rreth moshës 45- vjeç ( periudha nga 45 deri në 59- vjeç, çuditërisht me një rënie të dukshme pas moshës 60- vjeçare. ÇAP gjithashtu ka një indeks bashkësëmundshmërie të lartë me çrregullimet e tjera të fushës së shëndetit mendor. Të afërmit biologjikë kanë një prevalencë (afërsisht 15%) që është afro tre herë më e lartë përkundrejt popullatës së përgjigjithme (afërsisht 5 deri 6%).

Për të përmbushur kriteret për diagnozën, duhet të dokumentohet në mënyrë të qartë të paktën tre nga simptomat e mëposhtme:

  • prania e ankthit në më të shumtën e ditëve, gjatë të cilave individi nuk mund t’i shpëtojë frikës së vazhdueshme thuajse çdo ditë
  • periudha e simptomave të paktën 6 muaj ose më tepër
  • ankth i tepruar dhe shqetësim i vazhduar
  • ankthi është i vështirë për tu kontrolluar
  • ndodh në më të shumtën e ditëve përgjatë një periushe 6 muaj ose më shumë
  • ankthi lidhet thuajse gjithnjë me disa ngjarje apo aktivitetet të ndryshme të zakonshme ditore

Ashtu si për shumicën e diagnozave të çrregullimeve të ankthit, duhet dokumentuar qartë:

  • shkaku i shqetësimit nëse është e mundur
  • nëse ankthi është klinikisht i rëndësishëm
  • anëse ka dëmtime në sferat e funksionimit të përditshëm
  • të mos jetë pasojë e një sëmundjeje mjekësore
  • as të mos jetë një çrregullimi tjetër i shëndetit mendor

Çrrgullimi i ankthit të përgjithësuar është një diagnozë e rëndësishme e çrregullimeve të ankthit në praktikën klinike, duhet të ketë të paktën 3 simptoma të pranishme në mënyrë të vazhduar përgjatë një periudhe gjashtë mujore, nga 6 grup simptomat karakteristike për këtë çrregullim. (Tek fëmijët kërkohet vetëm një simptomë e përsëritur. Vlen të theksohet se ndonëse ky çrregullim konstatohet edhe në fëmijët dhe adoleshentët, ndonëse është më e rrallë se te të rriturit).

Ankthi i tepruar dhe shqetësimi duhet të përfshijë të paktën tre nga 6 simptomat e mëposhtme:

  1. Një ndjesi shqetësimi të brendshëm i vazhdueshëm

( ndjenjë difuze e shqetësimit, nervozizëm dhe ankth i tepërt në lidhje me disa nga rrethanat e jetës sё pёrditshme, që lidhet kryesisht me punën, martesën, me paratë, me shëndetin apo me sigurinë fizike të fëmijëve dhe karakterizohet nga vёshtirёsia deri në pamundësi për ta kontrolluar ankthin ).

  1. Lodhja :

(lodhje e shpejtë që karakterizohet me mungesën e energjisë për të përfunduar aktivitetete apo detyrat e përditshme).

  1. Përqendrimi:

Individi ka vështirësi për tu përqëndruar ( shpesh shprehet se i/e shqetësuar se “mendja ime punon në zbrazdësi” ).

  1. Nervozizmi:

Nervozizëm i vazhdueshëm dhe frustrim me të tjerët edhe në situata të zakonshme jetësore, kryesisht acarim ekstrem në raportet individuale, të cilat nuk janë në proporcion me ngjarjen e përshkruar ose të parashikuar.

  1. Reagime trupore:

Gjendje e tensionuar e muskujve

  1. Gjumi:

Shqetësime me gjumin si me modelin e gjumit, vështirësi në zënien e gjumit apo qëndrimet pagjumë.

Përveç simptomave dhe shenjave klasike të mësipërme këto gjendje mund të shoqërohen jo rrallë dhe me simptoma të tjera si:

  • dridhje muskulare
  • djersë të ftohta në duar
  • tharje e gojës
  • theksim i reflekseve
  • rrahje të shpejta të zemrës
  • marramendje
  • vështirësi në frymëmarrje
  • urinime të shpeshta
  • vështirësi në gëlltitje (disfagi )
  • herë- herë trazira në stomak , dhimbje barku apo edhe heqje barku.

Tek fëmijët dhe adoleshentët duhen vlerësuar me përparësi simptomat diferenciale për kriteret diagnosike të çrregullimeve të tjera të ankthit . Ky çrregullim mund të ngatërrohet lehtë edhe me agorafobinë dhe shqetësimin në lidhje me shëndetin e tij të sëmurë, nëse nuk vlerësohen dhe interpretohen si duhet informacioni mbi simptomat. Shqetësimi kronik është një tipar dallues i çrregullimit të ankthit të gjeneralizuar, ndryshe nga tmerri i herëpashershëm, që karakterizon çrregullimin e panikut.

Ekstrakt nga Monografia “Ankthi”, © 2015 Sadik H. Lala

ISBN : 978-9928-4317-2-1

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top