Përgjatë viteve janë mbledhur, dëgjuar dhe mbështetur shumë femra, por ka ende shumë për të bërë. Fenomeni i dhunës ndaj grave është i konsiderueshëm dhe po rritet gjithnjë e më shumë në Shqipëri, siç tregojnë faktet e shumta të kronikës së zezë. Dhuna nga partneri, bashkëshorti, i fejuari apo babai është shkaku i parë i vdekjes për femrat nga mosha 16 deri në 35 vjeç. Shumë është bërë ndër vite ndaj femrave, të cilat kanë pësuar dhunë dhe keqtrajtime fizike, psikologjike, ekonomike në familje dhe shoqëri. Institucionet përkatëse ofrojnë këshillim psikologjik e ligjor, por hapin e parë është mirë ta ndërmarrin vetë të dhunuarat, duke denoncuar dhe kërkuar ndihmë.
Manifestimet e ndryshme të dhunës
Dhuna fizike është çdo formë dhune me trupin dhe mbi trupin, e shprehur me shkelma, grushte, kafshime, shuplaka, të shtyra etj.
Dhuna psikologjike është çdo formë dhune dhe mungese respekti që gjeneron frikë, ankth, mungesë vlerësimi, vetëfajësim, depresion, imazh të zhvlerësuar për trupin, ndjenjë të fortë faji, frikë për të folur.
Dhuna ekonomike është çdo formë kontrolli mbi pavarësinë ekonomike, shantazh, varësi ekonomike.
Ngacmimet seksuale janë batuta apo shaka me sfond seksual, ekzibicionizëm, telefonata të turpshme, propozime këmbëngulëse apo shantazhe për marrëdhënie seksuale të padëshiruara, prekje. Bëhet fjalë për sjellje me sfond seksual të natyrave të ndryshme, që zakonisht ndodhin në vende publike apo ambientet e punës, të cilat janë degraduese, poshtëruese dhe të padëshiruara për personin që i merr.
Dhuna seksuale është çdo formë detyrimi për akte seksuale jo të dëshiruara, të marra nëpërmjet kërcënimeve, forcës, dhunës apo shantazheve.
Stalking është dhuna psikologjike nëpërmjet telefonatave të vazhdueshme, përndjekjet, sharjet, përdorimi i miqve dhe të afërmve për të kontrolluar dhe ngacmuar, ndërhyrja në jetën private dhe në punë. Ky është një persekutim i vërtetë që ndodh për shumë kohë. Viktima ndihet në një gjendje tensioni dhe rreziku të vazhdueshëm. Shpesh ndodh pasi përfundon një lidhje apo në rastin kur personi nuk merr vëmendjen e dëshiruar.
Efektet e dhunës
Femrat që pësojnë dhunë reagojnë në mënyrë të ndryshme ndaj keqtrajtimit, por të gjitha e njohin dhimbjen nga izolimi apo indiferenca sociale, të cilat prej kohësh e shoqërojnë këtë fenomen. Njohja e pasojave të dhunës ndihmon për ta luftuar atë dhe për të kuptuar se përse viktimat sillen apo reagojnë në një mënyrë të caktuar: mohojnë problemin, durojnë grushtet për hir të “dashurisë”, mendojnë se dhunuesi mund të ndryshojë, ndihen të domosdoshme, besojnë se po shpëtojnë martesën.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.