Kanë gjithnjë diçka për të kundërshtuar… ose për të qeshur me atë që tjetri thotë, edhe pse mendojnë njëlloj… Nga buron kokëfortësia për të dalë gjithnjë “kundër” tjetrit? Kemi hetuar… “I kam propozuar të mësojë pianon, ka zgjedhur kitarën. E regjistrova, siç dëshironte, në një kurs të gjimnastikës artistike dhe pas pak më tha se kishte ndryshuar mendim, preferonte volejbollin…” Miriami, mamaja e Keidës 15-vjeçare, përshkruan një gjendje të zakonshme të prindërve të adoleshentëve, të cilët pohojnë: “Fëmijët tanë polemizojnë gjithnjë”. Sipas Nicole Bianchi-t, psikoterapeut në Milano, ekspert i marrëdhënieve dinamike, sjellja e Keidës është një etapë e rëndësishme zhvillimi, “i lejon të kalojë nga gjendja e varësisë prej fëmije në atë të pavarësisë, tipike të të rriturit. Para se të çlirohet nga autoriteti i të tjerëve, individi fillon të bëjë opozitë”. Ky reaksion është i pashmangshëm në krijimin e identitetit, problemi është kur zgjat me kalimin e moshës dhe intensifikohet. Në raste të tilla “është provë që nuk jemi rritur”, thotë Bianchi, “se kemi mbetur nën ndikimin e të tjerëve, të paaftë për të zënë një pozicion”.
Një mënyrë për t’i dhënë rëndësi vetes
Për këta njerëz, mënyra më e mirë për të ruajtur pushtetin para ‘konkurrentëve’ është t’i kundërshtojnë ata në mënyrë sistematike.
Nëse për disa, zakoni i të kundërshtuarit është problem i pohimit të unit, për të tjerë është sinjal i personalitetit të fortë. Për shembull, njerëzit shumë ambiciozë që aspirojnë të bëhen të mëdhenj nuk e durojnë dot që ka ide më të mira se të tyret. “Për këta njerëz, mënyra më e mirë për të ruajtur pushtetin para ‘konkurrentëve’ është t’i kundërshtojnë ata në mënyrë sistematike”, shpjegon Bianchi. Por polemika shpesh është një teknikë e pandërgjegjshme. Një gazetar tregon se me shaka në rrethin e tij e thërrasin “zoti jo”. “Është shenja ime e dallueshme, – thotë ai, – secili ka defektet e veta, por së paku nuk ngjall shpërfillje…”. E pra, është një mënyrë për të pohuar ekzistencën, për të rënë në sy, për t’i dhënë rendësi vetes…
Frikë nga të tjerët
Kush është ndjerë shpesh në fëmijëri i ndrydhur nga dëshirat e prindërve, ka ndjesinë ta rijetojë këtë situatë në përputhje me vullnetin e tjetrit.
Kur të qeshurit me çfarë thonë të tjerët përballë bëhet një mekanizëm automatik, sjell në përgjithësi vështirësi të thella në marrëdhënie, pasojë kjo e rënies së vetëvlerësimit. Njerëz të tillë nuk durojnë dot të emocionohen dhe janë të paqëndrueshëm në dashuri. Sjellje që shprehen me frikën e të qenit “të asgjësuar” nga bashkëbiseduesit. Një frikë që shpesh i referohet një ankthi fëminor: kush është ndjerë shpesh në fëmijëri i ndrydhur nga dëshirat e prindërve, ka ndjesinë ta rijetojë këtë situatë në përputhje me vullnetin e tjetrit.
Vështirësi për të shprehur zemërimin
Të mohosh, të polemizosh, të kundërshtosh… “Këto sjellje janë një mënyrë për të shprehur agresivitetin ama pa e përcaktuar me fjalë.
Të mohosh, të polemizosh, të kundërshtosh… “Këto sjellje janë një mënyrë për të shprehur agresivitetin ama pa e përcaktuar me fjalë”, shpjegon Lucia Chiarioni, psikoterapeute. Të jesh gjithnjë në opozitë tregon vështirësi për të ndjerë ose manifestuar në mënyrë të drejtpërdrejtë zemërimin. “Kush polemizon, përdor në përgjithësi një gjuhë të ngjyrshme dhe përjashtuese, pasqyrë e konflikteve të brendshme, por nuk arrin të argumentojë në mënyrë të qartë dhe të përcaktuar. Vetëm duke i njohur shkaqet e vërteta që qëndrojnë pas këtyre shpërthimeve të agresivitetit, ia dalim të krijojmë marrëdhënie autentike…”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.