Mirëqenie

April 10, 2016 | 10:26

Të programuar për të qenë mbipeshë

160-70 % e popullsisë zotëron një profil gjenetik që tregon tendenca të një shëndeti të tepërt. Deri tani janë identifikuar gjashtë gjene, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në rregullimin e oreksit dhe të balancës energjitike te njerëzit. Interesant është fakti se ndryshe nga ç´mund të mendohej, pesë nga këto gjene nuk janë përgjegjës direkt për procese metabolike si ai i depozitimit të rezervave yndyrore apo sheqernave, por ato e ushtrojnë aktivitetin e tyre në funksionimin e trurit. Për më tepër, ky aktivitet është i varur nga mosha, gjë që do të thotë se mekanizmi i rregullimit të mbipeshës është i ndryshëm në mosha të ndryshme.

Gjenet armiku i figurës ideale?

Sipas studimeve të ndryshme në fushën e gjenetikës, janë gjenet ato që diktojnë në një masë jo të vogël figurën tonë. Të dhënat e grumbulluara nga një grup kërkimor shkencor i “Harvard Medical School” në SHBA, tregojnë se shëndeti i një individi është fiksuar që në fazën embrionale. Dhe kjo është e vërtetë jo vetëm për njerëzit, por edhe për shumë lloje kafshësh. Madje, edhe “figura” e një mize është e përcaktuar nga të njëjtat gjene.

Mbipesha – një defekt në funksionimin e trurit?

Rezultatet e një studimi në të cilin kanë marrë pjesë rreth 32.000 probantë nga vende të ndryshme të Evropës kanë vërtetuar qartë rolin e gjeneve në funksionimin e trurit lidhur me mbipeshën. Në aspektin e peshës trupore, truri ka dy funksione të rëndësishme: kontrollin e oreksit dhe rregullimin e balancës energjitike. Dmth, ai vendos nëse energjitë e marra do të përdoren menjëherë, apo do të depozitohen në organizëm. Një metaforë e goditur, e përdorur nga një grup studiuesish të Universitetit të Lübeckut në Gjermani, e krahason trurin në rolin e tij si rregullator me një aktor të teatrit të kukullave, i cili me ndihmën e duarve lëviz marionetën, d.m.th organizmin. Nëse aktori ka probleme, atëherë edhe marioneta nuk mund të bëjë lëvizje të sakta. Pasojat mund të reflektohen jo vetëm në mbipeshë, por ato janë të lidhura ngushtë edhe me sëmundje të tjera si diabeti, tensioni i lartë dhe depresioni.  Kuptimplotë është edhe emri që studiuesit i kanë vënë projektit të tyre: “The selfish brain” (truri egoist). Truri ynë jo vetëm kontrollon depozitat energjitike të organizmit, por nga ana tjetër ai është organi që ka nevojë për sasinë më të madhe të energjisë krahasuar me organet e tjera. Rreth 80-120 gram glukozë përdorin qelizat e trurit në ditë. Veçse ato nuk kanë asnjë mundësi depozitimi. Teza e studiuesve parashikon se cilatdo qofshin aktivitetet e ndryshme fizike apo mendore, është truri ai që furnizohet i pari me energji, e më pas organet e tjera. Të dhënat tregojnë se truri i njerëzve mbipeshë furnizohet me më pak energji krahasuar me ata që zotërojnë një peshë normale. Që këtej mund të supozohet se tek njerëzit me peshë të madhe ekziston një defekt në rrugën e transportit të glukozës drejt trurit. Ky i fundit përpiqet që ta kompensojë këtë defekt duke “i detyruar” njerëzit që të marrin ushqim të vazhdueshëm, gjë që çon së fundmi në përmbysjen e balancës energjitike.

Stresi dhe mbipesha

Një rol të rëndësishëm rregullator në balancën energjitike luan edhe stresi. Një situatë e rënduar psikologjike mund të çojë në një disbalancim të vazhdueshëm energjitik, i cili nga ana e tij stimulon një rritje jo të natyrshme të oreksit. Në këtë rast e ngrëna do të thotë ngushëllim dhe relaks shpirtëror. Më të preferuarat janë në këtë rast ushqimet me përmbajtje të lartë sheqeri, sepse ato dobësojnë reaksionet stresuese dhe shërbejnë për të rritur humorin. Nëse ky proces vazhdon për një kohë relativisht të gjatë, atëherë truri e “fikson” këtë dukuri, duke e shndërruar në një refleks. Me shtimin e peshës dobësohet njëkohësisht dhe gatishmëria për të kryer aktivitete sportive, për të lëvizur apo për të qenë aktiv. Këto përjetohen si veprimtari stresuese, sepse kryerja e aktiviteteve sportive e ul sasinë e glukozës në tru. Kjo çon në një apati gjithnjë në rritje që streson edhe më tej organizmin, i cili për të kompensuar gjendjen e vështirë psikike, e kërkon zgjidhjen tek ushqimi, e kështu cikli rifillon nga e para. Duke iu rikthyer edhe një herë pyetjes së shtruar në titullin e shkrimit, është e rëndësishme të theksohet se ne nuk jemi lënë plotësisht në “mëshirë të fatit”, kur bëhet fjalë për problemet e mbipeshës. Me gjithë rezultatet e prezantuara më sipër, arsyet kryesore të shtimit të tepruar në peshë mbeten si dhe më parë ushqimi jo i shëndetshëm dhe mungesa e lëvizjes. Por biologjia e gjeneve na tregon qartë se ekziston një varësi midis konstitucionit gjenetik të organizmit dhe reagimit në shkallë të ndryshme në raport me mënyrën e jetesës, kushtet e mjedisit apo ndaj faktorëve të konsideruar të rrezikshëm për shëndetin.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top