Mërzia në marrëdhënien e një çifti është normale, njësoj siç mërziteni në punë, në shtëpi, ose për ndonjë gjë tjetër. Mërzitja nuk është një ndjesi aq negative. Mund ta përkufizojmë si një gjendje ku nuk ka asnjë interes ose motivim. Etimologjikisht rrjedh nga “enoja” derivat i “enojar”, që në latinisht “inodiare” do të thotë “të urresh”.
Mërzitja është thjesht një pasojë, jo një problem në vetvete. Ashtu si nata na lejon të vlerësojmë ditën (dhe anasjelltas), edhe periudhat e mërzitshme na lejojnë të vlerësojmë të renë. “Më jep një shpirt që nuk njeh mërzinë, bezdisjen, murmuritjen, psherëtimat dhe ankesat. Mos lejoni të më shqetësojnë shumë për atë gjë të bezdishme që e quaj “unë”. Thomas More, shkrimtar anglez.
Reflektime mbi mërzinë
Mërzia është motra e parë e depresionit, por jo sinonim i saj. Është një gjendje që gjeneron parehati dhe që lehtësisht çon në trishtim. Ndonjëherë na shtyn të pyesim veten për kuptimin e jetës, duke stimuluar mendimet tona. Pas një kohe, kjo mund të na çojë në dëshpërim. Isaac Asimov, biokimist, shkrimtar amerikan, ka thënë se mërzia do të bëhej sëmundja e madhe e kohëve moderne. Po pse vetëm e kohëve moderne? Në raste të tjera ajo nuk ekzistonte?
Ndoshta konotacioni i kësaj ndjesie ka ndryshuar, e cila sot ka fituar një kuptim shumë negativ dhe për këtë arsye nuk tolerohet. Një person mërzitet kur në jetën e tij nuk ka më argëtim. Lind kur aktiviteti apo rutina e përditshme bëhen shumë përsëritëse ose kur nuk ka më objektiva, ose këto humbasin fuqinë e tyre të tërheqjes.
Të provosh mërzinë në çift
Kur në çift shfaqet mërzia, zakonisht interpretohet si një sinjal alarmi. Ideja e parë që vjen ndër mend është dyshimi nëse dashuria po përfundon. Ata që kanë marrëdhënie afatgjata, e dinë se nuk është kështu. Dashuria dhe mërzia ndaj partnerit janë realitete që, ndonëse duken kontradiktore, bashkëjetojnë. Situata më e shpeshtë është se mërzia shfaqet brenda çiftit pas disa vitesh bashkëjetesë. Disa studime tregojnë se momenti kritik është midis katër dhe shtatë vjet që nga fillimi i marrëdhënies. Ky afat kohor është identifikuar për arsye të sakta. Pas një marrëdhënieje katërvjeçare, truri ndalon lëshimin e dopaminës dhe substancave të tjera që lidhen me rënien në dashuri.
Shtatë vjet përkojnë antropologjikisht me ciklin që kompleton edukimin e një fëmije. Prandaj, nga pikëpamja biologjike, jemi të gatshëm të bëjmë më pak në çift, kur mbijetesa e specieve është plotësisht e garantuar. Nga këndvështrimi psikologjik, mërzia në çift mund të bëjë që dashuria romantike të mbarojë. Megjithatë, një studim i kryer nga Sandra L. Murray, Dale W. Griffin dhe John G. Holmes zbulon se sa më e idealizuar të jetë faza e rënies në dashuri, aq më pak ka gjasa që mërzia të shfaqet pas përfundimit të kësaj faze.
Ankthi nga dashuria
Kur dy njerëz bien në dashuri, aktivizohet tek ata të ashtuquajturit “ankth nga dashuria”. Fillimi i një marrëdhënieje dashurie me dikë gjeneron besimin se jeta e dikujt po përjeton rritje. Jetojmë si një lloj zgjimi psikologjik që ngjall ndjenja shumë të këndshme. Lind kështu nevoja për mbrojtje dhe ngushëllim, por edhe frika e humbjes. Antidota për gjithë këtë, është afërsia e të dashurit. Kur është i pranishëm dhe ka të njëjtat ndjenja si ne, ankthi zbutet. Ajo që ju nevojitet është të keni një lidhje me të dashurin. Me kalimin e kohës, kjo ndjenjë e rritjes individuale dhe e zgjimit psikologjik zbehet. Ajo që ishte e jashtëzakonshme, bëhet e zakonshme, dhe ndjesia e të resë zvogëlohet, madje zhduket. Entuziazmi dhe ndjenjat e pëlqyeshme që ishin në fillim, zhbëhen. Ky është momenti në të cilin mund të përjetohet mërzia brenda çiftit.
Me vështirësi, gjërat do të kthehen si në fillim. Megjithatë, është e mundur të ringjallet marrëdhënia dhe të shmanget mërzia. Futja e risive dhe kryerja e aktiviteteve të reja është mënyra më e mirë për të zgjuar interesin e ndërsjellë. Për më tepër, është e dobishme të rritesh individualisht për të modifikuar këtë ndjenjë dhe për të shmangur qëndrimin në vendnumëro përgjithmonë.
Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 146
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.