Lifestyle

December 18, 2017 | 11:04

Të punuarit nga shtëpia, një nga mënyrat më produktive

Të gjithë ne kemi dëgjuar për avantazhet e të punuarit nga shtëpia, si për punonjësin ashtu edhe për kompaninë ku ai është i punësuar: produktivitet më i lartë, fleksibilitet gjatë orëve të punës dhe nivel më i ulët stresi.

Edhe pse për të gjithë punonjësit që punojnë nga shtëpia, të mos qenët prezentë në punë ditë për ditë ka sfidat e saj, gjithsesi avantazhet janë më të shumta krahasuar me dizavantazhet. Ja disa prej tyre:

1

Stafi juaj do të jetë më produktiv

Studimet e fundit kanë treguar se punonjësit të cilët punojnë nga shtëpia janë më produktivë sesa punonjësit që punojnë nga zyra. Kjo shpjegohet me faktin se ata janë më të përqendruar për të përfunduar detyrën që i është caktuar në mënyrë që të kenë kohë që të merren edhe me përfundimin e gjërave të tjera.

Atyre nuk do t’u duhet të udhëtojnë

Për të mos thënë që është e pamundur, po themi që është shumë e vështirë të gjendet një punonjës, i cili ta bëjë me dëshirë udhëtimin e tij për në punë (pa përmendur këtu distancat e largëta). Ndërsa të gjithë atyre punonjësve që u jepet mundësia për të punuar nga shtëpia, mund ta nisin punën shumë më herët pa qenë të stresuar nga trafiku apo vonesat e transportit dhe rrjedhimisht t’i kushtojnë asaj më shumë kohë.

Është më ekonomike dhe ekologjike

Energjia që harxhohet në ambientet e zyrave si nga ndriçimi ashtu edhe nga pajisjet për ngrohje apo për ftohje, boja që harxhohet për printime të ndryshme, apo fotokopja, mund të eliminohen disi nëse një pjesë e punonjësve punojnë nga shtëpia. Përveçse ekonomike, një mënyrë e tillë është edhe më ekologjike.

Punonjësit do të sëmuren më rrallë

Duke qenë se dita e punës për shumicën prej nesh është intensive, një pjesë e madhe heqin nga lista kryerjen e ushtrimeve fizike, e cila është padyshim në dëm të shëndetit tonë. Por duke punuar nga shtëpia, pasi të kenë përfunduar detyrën e kërkuar, punonjësit mund të merren me ushtrime të ndryshme fizike në shtëpi ose nëse e kanë palestrën afër mund të shkojnë atje. Rrjedhimisht një forcë punëtore më e shëndetshme përkthehet me një produktivitet më të lartë dhe reduktim në maksimum të lejeve të marra për shkak të sëmundjeve të ndryshme.

Punonjësit do të jenë më mirënjohës

Kur ju i jepni punonjësve tuaj mundësinë për të rregulluar vetë orarin e tyre në mënyrë që ata të mund të balancojnë më mirë jetën e tyre profesionale dhe atë personale, ata tregohen shumë mirënjohës dhe mundohen që të japin maksimumin e tyre në punë.

Kosto më e lirë

Sigurisht, që ju do të donit që të gjithë punonjësit tuaj të vinin në punë ditë për ditë në mënyrë që t’i shikonit sesi punojnë dhe sa produktivë janë dhe kur të kishit nevojë për t’i pyetur për ndonjë gjë t’i gjenit në zyrë dhe jo të komunikonit me telefon. Por, ju harroni koston me të cilën shoqërohet kjo gjë, e cila në momentin që punonjësit punojnë nga shtëpia eliminohet. Këtu mund të përmendim eliminimin e kostos së shpenzimeve për hapësirën e madhe të zyrave, pajiset e zyrës, dhe të gjitha mjetet e tjera për ta bërë sa më modern dhe më të rehatshëm atë ambient pune./Monitor

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top