Nga Orjona TRESA
Poezia mbetet dashuria e saj, është ajo që e motivon të hedhë vargje sa herë që shpirti mbushet plot e kërkon diku të shpërfaqë ndjesitë e tij. Ka shumë dashuri brenda tyre, por edhe mall, të cilat mes figurash letrare përçojnë nga një mesazh “vulos me dashni”.
“Dua të shkul nga thellësia e shpirtit
mallin që rrënjë ka hedhur tek unë,
po kush doli burrë, mallin të mundi,
mallin që mban brenda, kë dua më shumë?”
“Vargje që flasin pa droje, pa nënkuptime, pa filozofira, por që fare thjesht zbulojnë përsiatjet e një zemre që nuk i trembet barrierave dhe që lufton më “arsyen e vjedhur”. Kështu i ka përkufizuar mikesha e saj, Rezarta Reso, bija e shkrimtares së njohur për fëmijë, Ivoni Reso. Si redaktore e këtij libri me poezi, ajo ka nënvizuar në perceptimin e saj se “përmes vargjeve të Aurorës ka POEZI-JETË, të cilat kanë sinqeritetin e një shpirti pasionant që nuk di të fshehë sekrete”.
“Të kem mall, a të t’urrej?
Prishet mendja, s’di ç’kërkoj,
para teje, rri ul kokën,
zë e qesh, pastaj lotoj!”
Duket se mes vargjeve të Aurora Çelikut, ka një qetësim shpirtëror, sidomos kur ato përkojnë me ndjesi kushtuar babait, nënës, mësueses, fëmijëve, dashurisë së jetës, bashkëshortit, por edhe mikeshave të fëmijërisë. Gjithkush mund ta gjejë veten mes krahasimeve apo epiteteve dëshiruese, ndërsa ajo është kujdesur t’i ledhatojë, duke i sjellë të gjalla kujtimet e dikurshme.
“Unë vetë e kuptoj, e di që kam ndryshuar,
si më parë nuk të dëgjoj më ty,
mbaj mend e vogël kurrë s’kam rebeluar,
dhe fjalën kurrë s’ta kam bërë dy!
Tani në duel mendimesh dalim herë pas here,
Ka raste që shfryjmë dhe ndahemi zemëruar,
pastaj të qetë pajtohemi sërish,
pak pe, thua ti, shpeshherë duhet lëshuar!
Po ç’është ky rregull?
U dashkan njerëzit më shumë në largësi.
Sa herë më merr malli, e sa herë t’kujtoj,
Bab’, pëshpëris, s’ka më të mirë së ti!”
Tirana, vendlindja ime, më dha dorën sërish këtë verë, të ndaj me të vëllimin tim të dytë me poezi, “Të puthësh thinjat e tua”. Ia dedikoj këto poezi ndjenjës dhe emocionit, miqve dhe mikeshave të mia, që ndonëse po thinjemi, shpirti mbetet rinor. Ia dedikoj familjareve të mi. Ia dedikoj ditëve që jetoj, ëndrrës dhe imagjinatës. Shpresoj që të gjeni ëndrrat dhe dashurat tuaja, qoftë edhe në një varg të vetëm. Aurora Çeliku Minga
Aurora Çeliku ka lindur në Tiranë, ku ka përfunduar edukimin si mësuese e ciklit të ulët ku dhe punoi për një periudhë pesëvjeçare. Mandej largohet për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jeton edhe sot prej 21 vjetësh. Ka vijuar studimet atje për Edukim Fillestar dhe Sociologji. Aktualisht punon me nxënësit me sjellje të vështirë dhe më ata të diagnostikuar me autizëm dhe probleme të tjera sociale.
Ka kontribuar në ruajtjen e traditave të gjuhës shqipe, duke koordinuar shkollën shqiptare atje ku jeton. Lidhjet me atdheun i mban duke publikuar poezi dhe shkrime të karakterit socio-psikologjik.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.