Ndjenjat që shoqërojnë divorcin janë të forta, me çaste trishtimi, inati, pështjellimi, frikë për të ardhmen, veçanërisht nëse vështirësohet nga shqetësimet ekonomike apo nevojat e fëmijëve. Megjithatë, fundi i një martese, jo domosdoshmërisht nënkupton fundin e çdo kënaqësie tjetër. Edhe pse çdo familje është e ndryshme, gjithsesi nevojitet që të përballeni me ndarjen në mënyrë sa më dinjitoze. Çdo ngjarje dramatike në jetë, sado e dhimbshme, mund të jetë një mundësi shumë e mirë për t’u rritur. Ndoshta, përderisa jeni drejt divorcit e keni menduar prej kohësh se çfarë nuk shkon si duhet në çift dhe se çfarë dëshironi në jetë. Merrni hov nga kjo ngjarje për të vlerësuar aftësitë tuaja, për të menduar mbi objektivat që dëshironi të realizoni dhe për hapat që duhen bërë për të përfunduar ato që keni lënë pezull, ndoshta dhe për shkak të marrëdhënies së paqëndrueshme në çift. Shumë studiues kanë arritur në përfundimin se divorci është një nga përvojat më të hidhura në jetën e njeriut. Pjesën më të madhe të rasteve është e lidhur me frikën se dhimbja do të qëndrojë me njerëzit që e vuajnë për aq kohë sa ata do të jetojnë. Mënyra se si “mbajmë zi” pas divorcit është shumë e ndryshme nga një çift te tjetri dhe nga një person te tjetri. Nuk ka rrugë të gabuar apo të drejtë. Nuk ka receta dhe formula kur vjen puna për të mbijetuar nga një divorc. Procesi i mbijetimit pas një divorci nuk është si një linjë e drejtë, por përkundrazi vjen me nivele, siç janë: tronditja, egërsia brenda vetes, mospajtimi me situatën dhe pranimi i të gjitha këtyre niveleve që duhen kaluar. Kuptohet që tronditja psikologjike është reagimi i parë ndaj një divorci. Në këtë fazë personat që kalojnë divorcin shpeshtojnë më tepër marrëdhëniet sociale, të cilat u japin mundësi t’u tregojnë shokëve e miqve çdo detaj të procesit, duke u çliruar disi. Me të tjerë ndodh ndryshe. Ata shkëputen totalisht nga lidhjet sociale dhe kërkojnë si një lloj hapësire dhe kohe për t’u ambientuar me situatën e re. Shumë partnerë mendojnë se martesa i përkufizon si njerëz në shoqëri dhe se cilët janë atë në të vërtetë. Kur partnerët ndahen, ata mendojnë se bota e tyre “zvogëlohet” dhe nuk janë më të sigurt ta përballojnë vetëm realitetin. “Mbajtja zi” për një divorc mund të zgjasë. Duke u bazuar te shkenca e psikologjisë, e cila studion procesin e martesës dhe ç’rrjedh prej saj, si për shembull divorci, për çdo dhjetë vite martesë, nevojitet të paktën një vit që secili prej bashkëshortëve të marrë veten. Pas kësaj, gjithmonë duke u nisur edhe nga natyra e karakteri i partnerëve, këta të fundit kalojnë në procesin e pranimit të divorcit dhe të mënjanimit të egërsisë dhe urrejtjes. Nga vëzhgimet që janë bërë me çiftet e divorcuara, momenti më i vështirë është kthimi në shtëpi dhe gjetja e kësaj të fundit bosh, pa njërin nga partnerët. Megjithëse martesa mund të ishte “thyer” më parë, prapë ekzistenca fizike e partnerit ishte një lloj shoqërie.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.