Psikofakt

November 17, 2015 | 8:39

Të ruash një sekret

MondiNga: Edmond Tupja

Diku, në veprën e tij “Maximes”, libër me aforizma dhe sentenca të formuluara pas leximesh e përsiatjesh të shumta mbi natyrën njerëzore, si edhe pas mësimesh të nxjerra nga jeta në këtë drejtim, moralisti francez i shekullit XVII La Rochefoucauld shënon afërsisht se “burrat ruajnë më mirë sekretin e tjetrit sesa të vetin, kurse gratë ruajnë më mirë sekretin e tyre sesa të tjetrit”. Sigurisht, ky aforizëm duhet të ketë përjashtimet e veta si çdo gjë në botën e, sidomos, në shoqërinë tonë (A nuk thuhet proverbialisht që “s’ka rregulla pa përjashtime”?) dhe ai mund të përbënte një temë për ese.

Për t’iu shmangur vlerësimeve apo mendimeve tepër të përgjithshme, ënda ma ka që sot ta kufizoj deri diku thënien e LA Rochefoucauld-it duke e vendosur në gjirin e çiftit, pra, tek dy njerëz të sekseve të ndryshme që janë martuar ose që bashkëjetojnë. E thënë më shkoqur: nga të dy pjesëtarët e çiftit, cili është ai që i hapet më lehtë tjetrit: burri apo gruaja? Sigurisht, për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje pa rënë në klishe apo në paragjykime, do të duhej të bëheshin anketa ose sondazhe nga ekipe me psikologë, sociologë dhe, mbase, filozofë para se të nxirreshin përfundime serioze e të besueshme.

Gjithsesi, nëse La Rochefoucauld-i e ka shkruar thënien e mësipërme në trajtë aforizme apo sentence duke e përgjithësuar atë për të gjithë burrat dhe të gjitha gratë, me të drejtë shumëkush mund të mendojë se ajo vlen edhe për çiftin. Me shumë gjasë, meqenëse fjalët që nxjerrim nga goja janë pak a shumë produkte të ndërgjegjes sonë, ndonëse jo rrallëherë nën ndikimin e nënvetëdijes sonë, dhe meqenëse natyra, rastësia apo perëndia ka bërë që femra ta sjell fëmijën në jetë dhe që, normalisht, ta mbrojë atë instinktivisht sepse është produkti i saj (sigurisht duke marrë detyrimisht nga mashkulli atë çka ky duhet të japë po aq detyrimisht që embrioni të ngjizet), logjika më e thjeshtë e do, për analogji, që sekretet e saj të mirëfilltë një femër t’i ruajë, t’i mbrojë më shumë sesa ato të dikujt tjetër, ashtu siç e mban dhe e ruan fëmijën e vet në mitrën, barkun e saj, siç e mbron më shumë se çdo qenie tjetër njerëzore.

Problemi, në çift, shtrohet kështu: A do të ndjekë gruaja pikë për pikë  thënien e La Rochefoucauld-it edhe në marrëdhënien e saj me bashkëshortin, shokun, të dashurin apo partnerit, pak rëndësi ka si quhet ky? A do t’ia thotë atij më lehtë sekretet e tjetrit sesa ato të vetvetes, apo do ta hedhë poshtë thënien në fjalë duke provuar se, në gjirin e çiftit, si sekretet e vetvetes ashtu edhe ato të tjetrit do të thuhen, sigurisht me kusht që të qëndrojnë brenda çiftit? Po bashkëshorti, shoku, i dashuri apo partneri i saj si do të veprojë: A do të çojë ujë në mullirin e thënies së La Rochefoucauld-it apo do ta hedhë poshtë atë? Le të përpiqet lexuesja kryesisht dhe lexuesi veçanërisht t’u japë një përgjigje të sinqertë këtyre pyetjeve para pasqyrës së ndërgjegjes së vet, pastaj brenda çiftit, dhe, së fundi në anketa apo sondazhe të bëra në anonimat të plotë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top