Dashuria dhe sakrifica shpesh shkojnë dorë për dore, por ka një kufi që nuk duhet kapërcyer kurrë. Sakrifica në dashuri. Sikur të mos mjaftonin sakrificat e dietave, tani duhet edhe kjo?! Mendoni se sa herë kemi dëgjuar veten teksa përsërisim këtë frazë si një formë ngushëllimi. Mendoni për mendjelehtësinë e “Dikush duhet të sakrifikohet” dhe në 90% të rasteve i takon femrave, pa u hequr meshkujve asgjë nga angazhimet dhe sakrificat e tyre.
Sa herë ju ka ndodhur të dëgjoni në çift shprehjen: “kam bërë kaq shumë për ty”? Po deri në çfarë pikë në një marrëdhënie është e drejtë të jepni nga vetja, nga objektivat, nga pasionet tuaja në emër të partnerit? Dhe mbi të gjitha, a është e drejtë të sakrifikoheni për dashurinë dhe kur ndodh që të jetë më shumë se një sakrificë, mos ndoshta kjo sjellje shndërrohet në një anullim të vetes? Deri në ç’pikë është e duhur më shumë lumturia e të tjerëve se sa mirëqenia jonë? Po kur është partneri ai që kërkon të privohemi nga diçka? Të gjitha këto pyetje, deri në njëfarë pike të lidhjes lindin spontanisht, edhe pse çdo çift është i ndryshëm. Ndaj po përpiqemi të reflektojmë së bashku mbi këtë argument.
Kompromise e sakrifica
Në çdo marrëdhënie të shëndoshë, ku ekziston respekti e mbi të gjitha që marrëdhënia të jetë e gjatë, është e nevojshme të arrijmë kompromise: ndonjë dalje më pak me miqtë, kohë e hequr nga pasionet, një riorganizim i kënaqësive… Nëse për shembull adhuroni malin, por partneri preferon të shkojë në det, gjetja e një kompromisi mund të jetë t’i kaloni pushimet një herë në mal e herën tjetër në det, në mënyrë që të jeni të dy të kënaqur.
Po kur partneri kërkon të sakrifikoni?
Në një marrëdhënie të shëndetshme e të fortë duhet të ketë gjithmonë një komunikim të mirë, që ta bëjë partnerin të kuptojë nevojat tuaja. Në këtë mënyrë nuk duhet asnjëherë t’i kërkoni partnerit të sakrifikohet për dashurinë e për ju. Duke i shpjeguar dëshirat tuaja dhe objektivat do ta bëni të kuptojë se çfarë ju bën më të lumtur. Të detyrosh dikë që të heqë dorë nga diçka është egoizëm i pastër, jo dashuri! Nëse për shembull, në një çift, një nga të dy nuk dëshiron të ketë fëmijë dhe tjetri po, ta detyroni të bëhet me fëmijë, njësoj si të mos bëhet, nesër mund t’ju krijojë pendime dhe inate. Heqja dorë apo sakrifica duhet bërë në mënyrë të vetëdijshme, duke menduar edhe për vetveten!
Po sikur të pendoheni?
Në çdo marrëdhënie, vjen një çast kur është e nevojshme të sakrifikohesh për dashurinë; megjithatë nuk duhet asnjëherë të hiqni dorë nga diçka, pa u menduar mirë më parë, pa folur me partnerin, pa marrë në konsideratë të mirat e të këqijat e mbi të gjitha nëse keni intuitën se vendimi do të bënte të lumtur vetëm njërin prej jush. Është e rëndësishme të pyesni gjithmonë veten, nëse e dëshironi vërtetë veprimin që do bëni. Në këtë mënyrë, edhe nëse në të ardhmen gjërat nuk do të shkojnë mirë, nuk do t’ia përplasni partnerit në fytyrë dhe nuk do të pendoheni. Por nëse vendimi, sakrifica apo heqja dorë nga diçka janë gjëra të bëra me gjysmë zemre, vetëm nga frika se mos e humbisni partnerin apo se mos ju lë, atëherë frustrimi, inati dhe pendesa mund të rrezikojnë lidhjen.
Dashuria e shëndetshme është ajo që parashikon një shkëmbim të ekuilibruar mes dy partnerëve, që nuk anullojnë identitetin e tyre, por përballen duke u respektuar reciprokisht. Nëse e duam shumë partnerin është normale që të përkushtohemi e për ta mbështetur, sidomos në momentet më të vështira, por është e drejtë ta bëjmë këtë gjë pa hequr dorë nga vetja, nga ajo që jemi.
Nëse një person dashuron në mënyrë të shëndetshme, tjetri nuk i kërkon të heqë dorë nga vetja. Mos harroni asnjëherë se nuk do të mund të dashuroni asnjë njeri, nëse më parë nuk dashuroni veten tuaj.
Përgatiti: Manjola Ereqi | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.