Eshtë bukur të mendosh se sa shumë çifte të dashuruara zgjedhin të jenë vetëm me njëri-tjetrin gjatë pushimeve. Gjatë këtyre ditëve partnerët kanë kohën e bollshme për t’iu përkushtuar marrëdhënies. Jeta e përditshme zbeh emocionet tona, na largon fizikisht e në shumë raste grindjet janë pjesë të pandara të ekzistencës së përditshmërisë sonë. Pikërisht ato pak ditë të lira gjatë vitit janë në shërbim të çiftit. Koha e pushimeve na bën më të ëmbël, më të qetë e më romantikë. Truri ynë është më i lirë dhe i çlodhur. Fillojmë të jemi dëgjues të mirë e komunikimi bëhet pjesë e atyre ditëve pushimi. Sa herë partnerët ankohen për kohën e paktë që kalojnë së bashku e duket sikur nuk janë pjesë e shqetësimeve të përditshme të njëri tjetrit. Mund ta konsiderojmë periudhën e pushimeve si një terapi të domosdoshme për marrëdhëniet e dashurisë. Jemi komunikues e zbulues të partnerit. Të përpiqemi duke e praktikuar një kohë të tillë përkushtuar çiftit tonë. Fundjavat e organizuara së bashku janë gjithashtu të shëndetshme dhe një mënyrë për të qenë sa më pranë dialogut, çlodhjes, duke e nxitur gjithnjë e më shumë ndjenjën e dashurisë. Këshillë Vende të përshtatshme për të kaluar pushime në çift do të ishin ambientet me peizazhe te mrekullueshme natyrore, apo pushimet në det, të shoqëruara me mbrëmje muzikore. Një këshillë e mirë kjo si për çiftet e saponjohur dhe ato që kanë kohë bashkë. Një mundësi për t’u njohur më mirë buzë detit nëpërmjet kohës që i falni njëri-tjetrit si dhe një rizgjim emocionesh nën atmosferën romantike për çiftet e konsoliduara. Hapësirat çlodhëse që mund t’i kushtojmë çiftit tonë janë edhe fundjavat e programuara në një qendër relaksi. Ndërthurja e një fundjave në një hotel me pishinë e shërbime SPA është e shëndetshme për marrëdhënien dhe mirëqenien tonë fizike.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.