Intervistë me Francesco Belo, psikolog dhe psikanalist i formimit junghian që jeton dhe punon në Torino, Itali.
Të besosh te vetja do të thotë të pranosh defektet. “Sepse, – shpjegon Francesco Belo,- dobësitë tona janë kartat joshëse”.
Të gjithë priremi të ndjekim forcën, pushtetin: pse?
Nevoja për t’u ndier i fortë, i pushtetshëm, është universale. Kjo vjen nga fëmijëria, nga veprimet më të thjeshta të prindërve tanë (“haje ushqimin që të bëhesh i madh dhe i fortë”). Duke u rritur pastaj e zbulojmë vetë pak nga pak, duke takuar kundërshtitë e jetës: “fuqia”, “forca”, “pushteti” na ndihmojnë të kapërcejmë vështirësitë e vogla ose të mëdha, konfliktet dhe rreziqet që na paraqiten çdo ditë duke u përballur me situata nga më të ndryshmet, sidomos me ato që nuk shkojnë siç do t’i donim, për të qëndruar kësisoj në ekuilibër me mirëqenien.
Por gabimi në të cilin shpesh biem është mendimi për t’ia dalë, gjithnjë dhe sidoqoftë, për ta ndryshuar realitetin e jashtëm me fuqinë tonë. (“Me vullnet mund të bëhet gjithçka”, “Me një fizik të stërvitur mund të thyejmë çdo rekord”). Përkundrazi, është vetëm dorëheqja nga ky koncept mbifuqie që mund të na bëjë mirë, na bën të krijojmë besim te vetja, duke u ndërtuar si një subjekt dhe duke u zhvilluar nga pikëvështrimi psikik.
Por çfarë fitojmë duke e pranuar plotësisht dobësinë tonë?
Pranojmë pamundësinë për të zotëruar gjithçka. Disa prej nesh kalojnë në krizë pse nuk arrijnë ta palosin hekurin, ose të bashkëjetojnë me gruan në mirësinë e ideve të tyre… Bien në depresion sepse ndihen të pafuqishëm. Në realitet, thjesht kanë disa kufij. Të pranosh dobësinë do të thotë pikërisht të njohësh kufijtë e tu. Një vetëdije që “shpëton”, sepse të ndalon të kapërcesh nëpër territore të rrezikuar ku do të ishte më keq. Kufijtë janë si palmat në shkretëtirë: tregojnë se çfarë drejtimi duhet të marrim dhe deri ku të përparojmë për të mos qenë shumë të pamatur. Të pranosh dobësinë pastaj, do të thotë edhe të njohim se jemi të paplotë. Se kemi nevojë për tjetrin, për të gjithë të tjerët. Dhe hapet përvoja e bashkëpunimit, e takimit, e solidaritetit. Me një fjalë, rritemi…
Pra, hapi i parë, pranimi. Pastaj, çfarë të bëjmë për ta kthyer dobësinë në një mjet të vlefshëm për të përmirësuar veten?
Mund të punojmë me dobësinë tonë. Shembull: kam pranuar se jam viktimë e agresivitetit tim. Po punoj tani për ta menaxhuar. Në këtë pikë duhet të kem frerë, të cilat do të më ndihmojnë ta shndërroj agresivitetin në vendosmëri dhe
grintë. Mënyra më e mirë për t’u shprehur: “Nuk jam agresiv, jam vetëm duke i bërë të vlefshme arsyet e mia dhe po të shpjegoj se pse… Mund ta bëj me qetësi…”. E njëjta gjë vlen edhe për zilinë. Duke e njohur, mund ta trajtojmë duke i dhënë kohë mendimit se pse tjetri ka më shumë se sa unë. Pastaj: A duhet të veproj për të pasur gjëra të ngjashme me
të tjetrit? Apo më mirë të ndryshoj dëshirat? Agresiviteti dhe zilia reshtin kështu së qeni dobësi, duke u shndërruar në forcë. Është një proces në të cilin vihet thellësisht në lojë dhe goditet krenaria. Nuk bëhet fjalë për të çrrënjosur dobësitë, me rrezikun që të shfaqen në një formë tjetër, por për të mësuar se si të bashkëjetojmë me to, për t’i përdorur më mirë.
Atëherë, dobësia është një shtysë e mirë për ndryshim, me të mbërritur vetëdijen e plotë…
Po, dobësitë tona flasin e na shtyjnë të besojmë në mundësitë tona. Duhet ama t’i dëgjojmë pa u trembur. Nuk ka arsye për të pasur frikë: dobësia nuk është një defekt, një handikap, por shprehje e një kushti njerëzor. Nuk është mungesë pasurie, por një stimul, mjet për të njohur veten. Është vizioni i qenies sonë në botë, perceptimi që rrjedh nga dhimbja, në
kuptimin e kufirit. Është rruga drejt mençurisë. Më pëlqen të kujtoj të madhin Cesare Musatti, themeluesin e psikanalizës italiane, i cili pohonte se mençuria konsiston në besimin se nuk kemi asgjë për të cilën mund të na vijë turp. Përfshirë këtu edhe dobësitë.
Psikologji Shtator 2011
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.