1.Një shoqe pune dhe mike më ka zhgënjyer. Kur mora lejen e lindjes, ajo bëri gjithçka, pa dijeninë time, në mënyrë që të më zinte vendin e punës. A duhet të flas me të e ta pyes se pse e ka bërë?
Meqë e ke trajtuar si një mike, është normale të provosh ndjenjat e të qenit e tradhtuar. Nëse ka qenë thjesht një kolege, është tjetër gjë: edhe pse me vështirësi, do ta kishit pranuar sjelljen e saj, duke e parë edhe vetë se mjediset e punës janë zakonisht konkurruese. Por nga një mikeshë presim besnikëri dhe sinqeritet. E megjithatë, edhe në një rast si ky të mos e shprehësh zhgënjimin, do të ishte joproduktive: do të rikrijonte një rreth vicioz nga të pathënat e dëmshme. Për të dyja. Më mirë t’i thuash se çfarë ndjen dhe t’ia bësh gjërat të qarta.
2. Shoqja ime më pat thënë se kishte çuar kurrikulumin e saj në një firmë ku do t’i pëlqente të punonte. Pa i thënë asaj, kisha çuar edhe unë CV-në time… Më morën mua. Tani ajo nuk më flet dhe unë do të doja të riparoja marrëdhënien tonë. Çfarë mund t’i them?
Padyshim do të kish qenë më mirë t’i kishe treguar qysh më parë se edhe ti e kishe çuar kurrikulumin tënd në të njëjtën firmë. Do të të kishte kuptuar, edhe pse do të trembej nga gara. Zakonisht një rivalitet i pastër nuk e cenon miqësinë. Mosinformimi ka nxitur një gjykim negativ nga ana e shoqes, që mund ta vërë në diskutim shoqërinë ose t’i japë fund asaj. Për ta shmangur prishjen përfundimtare të shoqërisë, sigurisht që duhet të flasësh me mikeshën tënde. T’i thuash: “Më vjen me të vërtetë keq, por u solla në këtë mënyrë sepse ndihesha e pasigurt. Nuk besoja se do të më zgjidhnin mua”. Ndoshta do ta pranojë justifikimin. E rëndë- sishme është të marrësh përgjegjësitë e veprimit tënd edhe me çmimin e humbjes së miqësisë. Do të ishte mirë, sidoqoftë, të pyesje më parë veten mbi arsyet që të kanë shtyrë të sillesh në këtë mënyrë.
3.I prezantova shoqes sime të ngushtë një të njohurën time. Shumë shpejt, e habitur, mora vesh se kishin filluar të shoqëroheshin bashkë. Sjellja e tyre më provokon xhelozi. A duhet tua them?
Xhelozia është një ndjenjë e shkaktuar nga frika e humbjes së personit të dashur. Dhe shpesh e ka origjinën në fëmijërinë e parë, kur çdokush ka shumë nevojë për vëmendje. Dy njerëz që shoqërohen bashkë, duke e përjashtuar personin që i ka njohur, do ta marrin me mend se sjellja e tyre mund të ngjallë xhelozi. Sidoqoftë, është momenti që personi që vuan, në këtë rast ti, ta ndajë shqetësimin me shoqen. Pa harruar ama, se miqësia është një terren lirie dhe jo ekskluziviteti. Pra, shoqja jote ka të drejtën e saj që të krijojë edhe miqësi të tjera.
4.Kam zbuluar se burri i një shoqes sime e tradhton atë. S’di në duhet t’ia bëj të ditur.
T’i thuash të vërtetën shoqes tënde, në një rast si ky, mund të shkaktojë një vuajtje të panevojshme. Të heshtësh, mund të të bëjë ty të provosh ndjenjat e fajit. Por, kujdes! Para se të vendosësh në duhet të flasësh apo jo, fillimisht duhet të vlerësosh thellësinë e lidhjes që ke me shoqen dhe pritshmëritë që njëra ka kundrejt tjetrës. Nëse raporti është tepër i sinqertë dhe shumë i hapur, edhe mund të flasësh me të. Të duash një mik, do të thotë të kesh edhe guximin për t’i thënë të vërtetën.
5.Nuk jam dakord me mënyrën sesi motra ime po edukon të birin. Por, si të flas më të pa e fyer?
Do të duhej fillimisht të kalonit kohë së bashku që të tre. Gjestet, vështrimet, qëndrimet komunikojnë ndonjëherë më shumë se mijëra fjalë. Vëzhgoni sjelljet që mendoni se motra juaj duhet të ndryshojë kundrejt të birit. Është një rast për t’u përballur në mënyrë konstruktive, pa krijuar keqkuptime, të cilat mund të ushqenin tensione të panevojshme.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.