Të hapësh sytë dhe të rigjesh kontaktin me veten. Një rit që të dhuron kohë… për të hyrë në rrjedhën e jetës gjithë ëmbëlsi… Mënyra për të filluar një ditë të re është ndoshta tipari më identifikues i individualitetit tonë: varet nga karakteri, nga zakonet, nga edukata e marrë në fëmijëri. Ka që me të hapur sytë janë gati për t’ia nisur me mendje të freskët, për t’u organizuar. Një dush energjetik, një krem në fytyrë, një kafe dhe nisu…. planifikimi i ditës sillet në mendje si harta e thesarit. Ka përkundrazi, që duan lëvizjet e ngadalshme, që u duhet pak kohë për të marrë zjarr, preferojnë të sillen nën mbulesa edhe një minutë më shumë para se të përfshihen në vorbull, u duhen gjeste të menduara për të gjetur fijet e përditshmërisë. Deri edhe kozmetikën që përdorin e duan të butë, kërkojnë kohë në përdorim, masazhime të lehta, vajra dhe shampo qetësuese.
Cilado qoftë prirja jonë, është koha në dispozicion që i vë vulën ritmit. “Zgjimi është hapi i parë drejt kontaktit me ritmin e ditës, – thotë Nicole Bianchi, psikolog në Milano,- dhe duhet që të jetë një takim i ëmbël”. Vetëm kështu do të jemi të aftë të fillojmë ditën, cilado qoftë perspektiva e saj. Duhen dhjetë minuta për t’u shkëputur nga gjumi drejt ditës së re. Zgjohemi për shembull me muzikë ose me një zile të ëmbël, nëse nuk mundemi të zgjohemi pa to. Nëse pimë një kafe, ajo është shumë më tepër sesa një gjest automatik. Dhe nuk është as efekti i kafeinës. Dalëngadalë ndërgjegjësohemi: e pimë ulur, ndiejmë ngrohtësinë, nuhasim aromën, duke marrë ca nga ca kontaktin me realitetin. “Kafja është një rit i rëndësishëm për mua, – thotë Ana, arkitekte, -i shijoj aromën, e shtrëngoj filxhanin me duar, nëse është ftohtë”. Dimensioni i drejtë i kohës merret edhe përmes frymëmarrjes. Elsa me t’u ngritur afrohet te dritarja: “Kam nevojë të marr frymë me të gjithë forcën e mushkërive dhe të thith të gjitha aromat edhe erërat. Çdo stinë ka të vetat. Çdo moment i ditës e ka nga një dhe kjo më bën të kuptoj menjëherë se ku jam dhe çfarë më pret”, – thotë ajo. Çdonjëri nga ne mund të mësojë të favorizojë zgjimin e trupit dhe ta ngarkojë me energji, sipas mënyrës së vet: duke ndezur një qiri aromatik, duke përdorur produkte kozmetike të caktuara… Të aktivizosh kanalet energjetike është praktikë që i jep rezultatet më të mira në mëngjes. Ndaj gjeni të gjitha mënyrat…
Për shembull, streçing është një mënyrë e mirë që të jep rezultate optimale në kushtet e shtëpisë. Aq më tepër që bëhet fjalë për lëvizje të thjeshta që kërkojnë pak kohë dhe pak përsëritje, që kanë të bëjnë me tërheqjet dhe masazhimet. E rëndësishme është të masazhohen me kujdes, në mënyrë shumë delikate edhe organet e brendshme. Lëvizjet që praktikojmë çlirojnë toksinat dhe për më tepër nuk kërkojnë asnjë sforcim fizik dhe mund të kryhen nga njerëz të të gjitha moshave. Nëpërmjet frymëmarrjes dhe disa lëvizjeve të thjeshta të trupit, mund të aktivizojmë energjinë për të gjetur, pas gjumit, ekuilibrin e duhur për të përballuar ditën.
-Frymëmarrja është lëvizja e parë për të marrë energji. Ngrihuni në këmbë me krahët lart, pëllëmbët të kthyera drejt njëra tjetrës, sikur të jeni duke bërë një dysh frymëmarrjeje.
-Riaftësoni vertikalitetin pas gjumit. Në këmbë, legenin drejt me thembrat, shpatullat drejt me legenin, kokën drejt me shtyllën kurrizore. Për të ndjerë vertikalitetin imagjinoni që keni një mur pas shpine në të cilin do të mbështetni fare drejt.
-Rrënjosuni në tokë, shërben për të gjetur kontaktin me tokën pasi keni qenë në botën e ëndrrave: në këmbë, gjunjët drejt, shputat të ngulura fort në dysheme. Imagjinoni sikur po shkarkoni peshën tuaj në tokë.
-Shkundni trupin për pak minuta në mënyrë delikate, duke nisur nga këmbët, duke përfshirë edhe muskujt dhe strukturën kockore. Përfytyroni sikur jeni në ujë pa peshë.
-Qendërzohuni duke e çuar frymën në Hara. Një pikë dy centimetra poshtë kërthizës, që për japonezët përfaqëson qendrën energjetike.
-Rizgjimi Yin e Yang bëhet duke prekur tokën me pëllëmbë, pastaj bashkojini lart sipër kokës, pak më mbrapa. Kjo tërheqje përmes kontaktit dinamik me tokën dhe qiellin e çon trupin drejt rizgjimit fizik dhe energjetik.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.