Këshilla & Arsye

July 18, 2016 | 8:38

“Tehu i briskut”, një udhëtim shpirtëror në kërkim të dëlirësisë së jetës

Udha e përndritjes është po aq e hollë dhe e ngushtë sa dhe tehu i briskut.

“Është e vështirë të ecësh në tehun e briskut” thuhet në shkrimet e shenjta hindu, gjë që do ta provojë mbi shpinën e vet edhe Lari Darrël. Ai është pilot i ri amerikan, i sapokthyer nga Lufta e Parë Botërore, ngjarjet e së cilës kanë lënë gjurmë të pashlyeshme tek ai. Lari është i fejuar me Isabelën, bukuroshe dhe nga një familje e mirë amerikane, por brenda tij diçka ka ndryshuar. Ai refuzon një vend pune shumë të mirë, largohet nga miqtë e mëparshëm dhe fillon të ndryshojë sjelljen dhe qëndrimin ndaj shoqërisë. Kësisoj, vendos të nisë një udhëtim shpirtëror në Indi, në kërkim të një domethënieje të dëlirë të jetës. Kjo odise shpirtërore e shtyn Isabelën të zgjedhë midis dashurisë dhe pasurisë.

Rrëfimi i Maugham-it për jetën dhe përpjekjet e një djaloshi, që mohon vlerat sunduese të kulturës amerikane dhe i afrohet misticizmit të Lindjes së Largët për të gjetur frymëzim, është pararendësi i gjeneratës së shkrimtarëve Beat të viteve ’50-të dhe kundërkulturës së viteve ’60-të. Kërkimi i vetvetes, ndërgjegjësimi për atë ç’ka je e çfarë kërkon nga jeta është si një rilindje, një dhembje që të bën më të fortë dhe që, pashmangërisht, e ngrijnë dhe e bëjnë zemrën të rrahë, pra të ndihet e gjallë. Me këtë roman, Maugham-i kurorëzoi karrierën e tij si shkrimtari më i lexuar i kohës së vet. Libri është ekranizuar dy herë, në vitin 1946 dhe në 1984 me aktorin Bill Murray.

Kushdo që nuk e gjen veten brenda frenezisë së botës moderne konsumiste dhe është në kërkim të një përndritjeje shpirtërore. – Kritika

“Maugham është artist i madh… gjeni.” – Theodore Dreiser

“Aftësia e rrallë që ka Maugham-i për të rrëfyer… është pothuajse e barabartë me vetë imagjinatën.” –

The Sunday Times

“Maugham mbetet zejtari më me përvojë… Shkrimi i tij është kaq i ngjeshur, thelbësor, kaq i mirëmenduar, kaq i bukurshkruar, saqë kërkon vëmendje që nga faqja e parë e deri te e fundit.” – Saturday Review of Literature

Lari, një figurë pothuajse mesianike, është krijimi më i mistershëm i Maugham-it. … Ai është një njeri vërtet i lirë: i pamartuar, edhe nga pikëpamja figurative; tërësisht i pavarur; thellësisht i përqendruar në kërkimin e tij për domethënien e jetës. Ka egoizëm në këtë kërkim të tijin, por edhe e dashura e braktisur nuk arrin t’i mbajë mëri… Maugham-i ishte më mondani i autorëve, e megjithatë i interesonin shumë të gjithë ata që kanë hequr dorë nga bota… – The New Yorker

 

William Somerset Maugham (1874-1965) ishte shkrimtar dhe komediograf britanik, i njohur për pesimizmin e ftohtë dhe të thatë, ironinë mizore dhe cinike, me të cilat kamxhikonte veset dhe marrëzitë njerëzore. Gjatë viteve që studioi për mjekësi, siç shprehet dhe vetë autori, njohu “jetën lakuriq” dhe pati mundësinë të vëzhgonte një gamë të gjerë emocionesh njerëzore. Vitet e Luftës së Parë Botërore i përjetoi në Paris përkrah Hemingway-it, Dos Passos dhe Cummings-it. U rekrutua nga Intelligence Service, Shërbimi i Fshehtë anglez dhe punoi një kohë të gjatë për ta, gjë që e ndihmoi shumë edhe në letërsinë që krijoi. Ai ishte njohës shumë i mirë i jetës mondane europiane dhe amerikane, por gjithashtu edhe një nga shpotitësit më të thekshëm të tyre. Kryevepra e tij konsiderohet “Skllav dashurie”, një libër gjysmë autobiografik. “Tehu i briskut”, botuar më 1944, e shpie drejt misticizmit të Lindjes së Largët në kërkim të asaj paqeje që s’e pati kurrë në jetë.

 

W_Somerset_Maugham_2Titulli: Tehu i briskut

Autori: W. Somerset Maugham

Shqipëroi: Engjëllushe Shqarri

Gjinia: roman

Shtëpia Botuese: PEGI

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top