Sipas studiuesve skocezë të “Caledonian University” në Glasgow ekzistojnë dy teknika të muzikoterapisë që ndihmojnë të ndihemi mirë çdo ditë.
Muzikoterapia është ilaç për shëndetin, aq sa teknikat e muzikoterapisë përdoren në disa spitale në vende të ndryshme të botës, për të ndihmuar pacientët të durojnë më lehtë dhimbjen dhe vuajtjet që shkaktohen nga sëmundjet dhe operacionet kirurgjikale.
Dy teknikat e mëposhtme ju ndihmojë të përmirësoni përqendrimin dhe favorizojnë çlodhjen dhe luftojnë stresin, ankthin dhe shqetësime të tjera.
Teknika e muzikoterapisë për harmoninë e trupit
Kjo teknikë muzikoterapie ka si objektiv që t’i dhurojë trupit harmoninë. Konsiderohet e nevojshme për t’u përdorur nëse keni dhimbje koke, tendosje të muskujve, dhimbjeve menstruale apo dhimbjeve të tjera që vijnë nga traumat apo sëmundjet kronike. Muzikoterapia nuk mund të zgjidhë problemin që në origjinë, por mund të ndihmojë trupin të qetësohet dhe të ndjeni më pak dhimbje dhe tension.
Nuk ju mbetet gjë tjetër veç të zgjidhni muzikën e preferuar dhe të dëgjoni. Mund të zgjidhni një muzikë të qetë apo një muzikë alegro dhe me ritëm; varet nga shijet tuaja.
1. Vini kufjet dhe filloni të dëgjoni muzikën. Sipas ritmit bëni lëvizje me kokë apo me duar. Kjo gjë do t’ju ndihmojë të përqendroheni te muzika dhe të mos mendoni për dhimbjen.
2. Vazhdoni të dëgjoni muzikë dhe mbyllni sytë. Krijoni në mendjen tuaj një imazh të bukur që lidhet me muzikën që po dëgjoni dhe qëndroni të përqendruar tek ai imazh. Ndërkohë që bëni këtë ushtrim, mund të uleni në mënyrë që të ndiheni më rehat.
3. Nëse efekti muzikës nuk mjafton që të ndiheni më mirë, masazhoni lehtë, gjithnjë me ritmin e muzikës, zonat e trupit ku ndjeni dhimbje.
4. Kur të ndiheni të lodhur, shtrihuni dhe vazhdoni të dëgjoni me volum të ulët dhe thjesht çlodhuni. Në këtë pikë, mund të ndiqni ritmin e muzikës vetëm me frymëmarrje; herë e shpejtë sipas muzikës e herë e ngadalë.
Teknika e muzikoterapisë për harmoninë e mendjes
Ky ushtrim ju ndihmon të çlodheni dhe t’i dhuroni mendjes harmoni. Duhet të zgjidhni muzikë që i përshtatet objektivit që doni të arrini dhe dëgjojeni për katër ditë rresht, dy herë në ditë: në mëngjes dhe mbrëmje.
Sipas ekspertëve të muzikoterapisë këshillohet një muzikë specifike që ndihmon në çlodhjen e trurit. Bëhet fjalë për “Boleroja e Ravelit”, kompozuar nga Maurice Ravel në 1928. Për shkak të strukturës së saj ritmike kjo melodi konsiderohet e nevojshme për të ndihmuar mendjen për të caktuar qëllime dhe objektiva të reja për t’u arritur në jetë.
Ndërkohë që dëgjoni muzikën e përzgjedhur, mundohuni të përqendroheni me mendjen tuaj tek objektivi që keni caktuar. Ky ushtrim është i nevojshëm sidomos nëse e lidhni me objektivat që i përkasin jetës së përditshmërisë, për shembull: të jeni më të qetë, të përmirësoni marrëdhënien me partnerin, të përqendroheni më shumë te studimi apo të punoni më mirë dhe të zbusni tensionet.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.