Disa prej përvojave trauamtike të fëmijërisë, siç janë neglizhenca, abuzimi fizik e emocional, apo edhe ndarja nga prindërit mund të rezultojë në vetëbesim të ulët. Te personat e rritur, vetëbesimi mund të ulet si pasojë e ndonjë sëmundje, humbja e punës, divorci, etj.
Mungesa e vetëbesimit i bën njerëzit ta shohin botën në mënyrë më ndryshe. Për këta persona, bota bëhet vend më “armiqësor” dhe ata e shohin veten si viktima. Kështu, ata dështojnë ta shprehin vetveten dhe nuk i shfrytëzojnë mundësitë të cilat iu ofrohen në jetë.
Nëse jeni në mesin e këtyre personave që kanë vetëbesim të ulët, atëherë më poshtë ju sjellim disa mënyra se si mund ta rritni vetëbesimin.
Largohuni nga negativiteti
Fillimisht ju duhet t’ia rikujtoni vetes se pavarësisht çfarë probleme keni, ju gjithashtu keni shumë dhurata. Ju jeni unik dhe nuk ka ndonjë njeri tjetër në botë si ju. Duhet ta konsideroni veten të vlefshëm, pastaj t’i identifikoni të gjitha mendimet negative dhe t’i sfidoni ato.
Kushtoni vëmendje pamjes tuaj
Kur është fjala për vetëbesimin, pamja fizike luan rol të rëndësishëm. Mënyra si qëndroni, buzëqeshja, kontakti me sy dhe mënyra si flisni janë elemente që ju ndihmojnë të paraqiteni si person me vetëbesim të lartë. Hulumtimet kanë dëshmuar se një kontakt i qëndrueshëm me sy, ngrehja e shpatullave, buzëqeshja dhe veshja e mirë janë bonus për pamjen tuaj.
Qëndroni të përgatitur
Ndonjëherë vetëbesimi mund të ulet kur përjetoni ngjarje të papritura, siç mund të jetë humbja e punës,. Por ju duhet të përgatiteni për gjërat e pacaktuara dhe të mësoni çdo gjë në fushën tuaj. Kur jeni gjithmonë të përgatitur dhe keni sasi adekuate të njohurive, atëherë niveli juaj i vetëbesimit rritet.
Asnjëherë mos u dorëzoni
Dështimet janë pjesë e jetës – krejt çfarë duhet të bëni është të mos hiqni dorë. Rikujtojani vetes se ka zgjidhje për çdo problem.
Burimi / telegrafi.com
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.