Fëmijët dhe adoleshentët sot, nuk është e lehtë t’u kontrollosh se çfarë materiali eksplorojnë në internet nëpërmjet këtij arsenali të madh mjetesh që kanë në dispozicion. Ajo që është më e rëndësishme për t’u pranuar, është fakti se ata kanë më shumë njohuri sesa të rriturit në fushën elektronike. Edhe një fëmijë katër vjeç, lundron në internet lehtësisht nëpërmjet i-padit apo i-phonit dhe të tjerë mjete të ngjashëm.
Gjithashtu ka edhe shumë vende përveç shtëpisë, ku fëmijë që nga mosha shtatë vjeç shkojnë, si psh në qendra elektronike ku luajnë apo shohin pa asnjë kontroll. Problemi qëndron te ne të rriturit që jemi të papërgatitur dhe me shumë paragjykime për problemet që ofron realiteti. Duhet patur parasysh se brezi nga brezi ndryshon, nuk kanë të njëjtat mënyra të pranuari dhe gjykuari të realitetit dhe problemeve.
Prindërit e fëmijëve dhe adoleshentëve të sotëm kur kanë qenë adoleshentë nuk kanë patur këto mënyra të menduari dhe këto probleme që kanë sot fëmijët e tyre. Adoleshentët e brezave të ndryshëm nuk janë të ngjashëm, sepse çdo brez është produkt i kohës së tij dhe i nivelit ekonomiko-kulturor të mjedisit ku bën pjesë. Adoleshentët e kohës së sotme jetojnë në një kohë që mjetet elektronike dhe informatika janë gjëra të zakonshme. Ata janë të aftë të navigojnë në internet dhe të komunikojnë në mënyrë virtuale që për brezin tonë është një gjë e pa kuptimtë dhe shpesh provokon ankth dhe nervozizëm.
Psh; në kohën tonë informacioni që ne merrnim ishte kryesisht i shekullit të nëntëmëdhjetë. Të kujtojmë letërsinë, fizikën matematikën e me rradhë. Ndërsa sot të rinjtë nëpërmjet internetit janë në kontakt me të rejat e fundit. Kështu formimi i tyre është shumë herë më i zhvilluar. Po kush është detyra jonë dhe çfarë duhet të bëjmë?
Duhet të dimë se edhe pse teknika ka arritur majat, fëmijëria dhe adoleshenca vazhdon të zhvillohet në të njëjtën mënyrë, pa përfillur zhvillimin e madh të teknikës. Teknika nuk e ka bërë fëmijën, adoleshentin të rritur. Fëmija, adoleshenti i ditëve të sotme kanë të njëjtën nevojë për të rriturin njëlloj, kur teknika ishte në nivele minimale. Nëse i rrituri e anashkalon këtë të vërtetë, do të thotë që e ka mbyllur rrugën e komunikimit me fëmijën sidomos me adoleshentin dhe i ka lënë vetëm. Ky është problemi dhe jo çfarë sheh fëmija. Reagimi i të rriturit, ngarkesa e tij emocionale në momentin e reagimit, me paragjykim apo me kurajo do të vendosi fatin e marrëdhënies i rritur- i parrituri. I rrituri nuk duhet të imponohet dhe alarmohet, por me qetësi dhe autoritet, bisedon me fëmijën. Bisedat, dialogu krijojnë nje terren shumë të përshtatshëm për të kuptuar dhe pranuar njëri- tjetrin dhe të shprehin shumë mendime dhe opinione që në një mënyrë tjetër bëhen të pamundura. Prindër , të rritur, fëmija në përgjithësi dhe adoleshenti në veçanti, ka nevojë si për ajrin për mendimin e të rriturit. Gjithashtu edhe të rritur, duhet të dini që dialogu me fëmijën dhe adoleshentin është po kaq e nevojshme për vetë të rriturin, për cilësinë e sferës së tij psikoemocionale.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.