A ju ka ndodhur ndonjëherë që të ndieni se dikush është duke ju lexuar mendjen? Sa herë na ka ndodhur të jemi duke menduar dikë dhe ai na shfaqet papritur në derë? Kjo përvojë është telepatia, të cilën të gjithë ne qeniet njerëzore e kemi si aftësi brenda nesh, por varet sa e besojmë. Dikur, kur njerëzimi nuk komunikonte me fjalë, i vetmi komunikim ishte ai nëpërmjet telepatisë dhe dërgimit të impulseve me mendje.
Telepatia (transferimi i mendimeve) dhe empatia (transferimi i emocioneve) janë pjesë bazike të të njëjtit proces. Këto dy procese shihen si të ndara nga mënyra se si njerëzit e brendësojnë informacionin. Disa fokusohen më shumë në lidhjen me emocionet, ndërsa disa të tjerë përqendrohen vetëm te fjalët dhe pamja (ajo që shikojnë). Diferenca ndërmjet empatisë dhe telepatisë është ajo ndërmjet ndjenjave dhe mendimeve, ndonëse në shumicën e rasteve do t’i përjetojmë të dyja, pasi mendimet janë të shoqëruara nga ndjenjat. Telepatia është të lexuarit e mendjes së tjetrit (komunikimi me mendje), duke përdorur çakrën e syrit të tretë (gjëndra pineale), ndërsa empatia është të lexosh ndjenjat e tjetrit (t’i ndjesh) duke përdorur çakrën e zemrës. Të dy proceset ndodhin në të njëjtën kohë. Kaq shpesh na ndodh gjatë ditës që e pavetëdijshmja jonë të mbledhë informacione nga ata që na rrethojnë, sidomos kur flasin për ne. Ndryshimi, nëse ne i kuptojmë këto gjëra që po ndodhin, është nëse i perceptojmë në nivel të vetëdijshëm (përdorimi i gjuhës) apo në nivel “primitiv” (perceptimet e informacioneve që nuk i dimë si na erdhën). “E ndieja që do të ndodhte”; “Se çfarë ndieja në stomak?”; “U zgjova që në mëngjes me një ndjesi se diçka e keqe do të ndodhte”, këto janë shprehjet e njerëzve kur shprehin empatinë, pra shprehin emocionet, ndërsa kur je duke menduar për gjëra të ndryshme ty të kalon një mendim telepatik shumë i zakonshëm dhe largohet menjëherë. “Më shkoi nëpër mend”; “E mendova para se të ndodhte”; “Më kishte kaluar në mendje, por nuk ia vura veshin”, këto janë shprehjet për mendimet telepatike.
Binjakët, të ngjashmit që përcjellin energji
Ne nuk mundemi t’i vërtetojmë plotësisht këto fenomene, sepse janë ende të pamatshme, por askush nga ne s’e mohon dot faktin që ka përjetuar diçka të tillë gjatë jetës. Megjithatë, shkenca sot ka vërtetuar se ne jemi energji dhe se mendimet janë energji. Njerëzit me energji të ngjashme e njohin-tërheqin njëritjetrin. Energjia vibron dhe pulson në frekuenca të caktuara dhe lidhet me energji që vibrojnë në të njëjtat frekuenca. Kjo shpjegon pse binjakët e ndiejnë njëri-tjetrin më shumë se të tjerët. Studimet me binjakët identikë (nga e njëjta vezë) janë të shumta, ku shpjegohet komunikimi i tyre pa folur apo kur njëri prej tyre është lënduar ose po vuan shpirtërisht edhe tjetri që ndodhet shumë larg ndien të njëjtën gjë. Nëna dhe babai kanë më shumë ndjesi ndaj fëmijëve dhe të afërmve të tyre sesa ndaj të panjohurve në rrugë. Patjetër që një nënë, e cila e ka mbajtur bebin për nëntë muaj brenda trupit të saj, do të ketë më shumë ndjesi dhe lidhje me fëmijën sesa me një të panjohur.
Telepatia ndodh më shumë mes familjarëve
Telepatia ndodh më shpesh ndërmjet njerëzve të familjes dhe atyre që janë më afër në fis sesa ndaj të tjerëve.
•Një paciente tregon pas 30 vjetësh për lidhjen dhe komunikimin me të vëllanë që ka ndërruar jetë. Të dy e dinin se ai do të hynte në sallën e operacionit dhe nuk do kthehej më. Gjatë një nate në ëndërr, pacientja thotë se, ai i tregoi për gjithçka kishte ndodhur gjatë operacionit. Për ta vërtetuar akoma më shumë (sepse ne jemi mësuar të kemi prova për të tilla raste dhe nuk mund t’i pranojmë) ajo tregon se vëllai i doli përsëri në ëndërr, duke i thënë se nëna nuk duhet të shpenzonte aq shumë për drekën e të 40-ve, sepse disa persona nuk do të shkonin (ai ia përmend emrat dhe realisht ata persona nuk shkuan).
• Një nënë, së cilës iu largua djali duke notuar në liqen, tregon se pikërisht në atë moment ajo donte ta merrte në telefon dhe ta pyeste se ku ishte, por bashkëshorti e kishte ndaluar që të mos e bezdiste djalin kur ishte me shokët. Nuk ka vetëm raste të tilla tragjike (njerëzit këto kujtojnë më shpesh), por ka edhe të tjera shumë të bukura, ku njerëzit e kanë ditur që do të takonin dikë në jetë duke e përshkruar me imtësi nga pamja dhe nga personaliteti. Të dy proceset ndodhin shpesh dhe ne mund t’i shtojmë këto perceptime vetëm duke punuar për të pastruar mendjen dhe rifituar qetësinë shpirtërore nëpërmjet relaksit, meditimit dhe vetë hipnozës. Ngjarje të tilla po ndodhin gjithmonë e më shpesh, por nuk duhet të kthehen në obsesione që ti të kesh një ndjesi jo të mirë nga ankthi apo stresi dhe ta lidhësh me patjetër që diçka e keqe do të ndodhë. Filozofët bashkëkohorë u referohen këtyre proceseve si të qenit në të njëjtën gjatësi vale apo vibrojnë njëlloj dhe nuk janë larg së vërtetës. Ajo që mbetet mister nuk është se a komunikojnë apo jo njerëzit nëpërmjet telepatisë dhe empatisë, por misteri më i madh është se si funksionon truri njerëzor.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.