Duhet ta kemi të qartë se ende në ditët e sotme, mjekësia nuk i di shkaktarët e autizmit, ndaj kur flasim për shkaqet e tij kemi të bëjmë vetëm me hipoteza, që nuk janë të vërtetuara, por kanë një bazë shkencore.
Në përgjithësi dallojmë disa teori si shkaktarë të autizmit: Mendohet se shkaku i Autizmit është në bazë gjenetike. Një tjetër teori, konsideron si shkaktar ndryshimet e trurit në fazën e hershme. Po ashtu është i pranishëm mendimi se ndryshimet biokimike që ndodhin në trurin e fëmijës mund të jenë shkaktarë të autizmit, ndërsa një tjetër teori konsideron se janë fajtorë problemet në perceptimin e botës së jashtme.
Për sa i përket faktorit gjenetik si shkaktar i autizmit, duhet theksuar se shpesh mendohet se prindërit janë “fajtorë” për gjendjen e fëmijës, duke pohuar se fëmija ka trashëguar gjenet prej tyre. Ky mendim është plotësisht i pasaktë, sepse në të vërtetë kur flasim për gjenet si shkaktarë të autizmit, nënkuptojmë se materiali trashëgues është i dëmtuar dhe si i tillë shkakton sëmundje.
“Për autizmin nuk ka akoma një kurë shëruese, prandaj qëllimi kryesor i kujdesit ndaj individëve autikë mbetet krijimi i mjediseve mbështetëse si në shtëpi ashtu dhe në shkollë. Për shkak të kombinimit të pazakontë të dobësive të tyre në sjellje si dhe mungesa e modeleve biologjike për këtë çrregullim neuro-biologjik, autizmi mbetet një situatë e pakuptueshme. Interesi i veçantë që fëmijët me autizëm tregojnë për kompjuterat dhe pajisjet e tjera inteligjente dhe aftësitë e tyre të forta vizuale gjatë të mësuarit, do të jenë baza e sistemit tonë të propozuar. Angazhimi aktiv i individëve në këto mjedise mësimi mund të rrisë vëmendjen dhe mund të zvogëlojë sjelljet negative të fëmijëve me autizmin. Mjedisi inteligjent i propozuar bazohet në Internet of Things (IoT) dhe teknologjinë P2P, që kanë qëllim të mbështesin studentët me autizëm gjatë të mësuarit nëpërmjet tërheqjes së vëmendjes së tyre, si dhe zgjatjen e kohës së përqendrimit të tyre.”
Autizmi mendohet si një sëmundje e pashërueshme, megjithëse ky mendim është i diskutueshëm. Ka shumë terapi autiste me synime të ndryshme, p.sh. përmirësimi i shëndetit dhe i mirëqenies, problemeve emocionale, shqisore, vështirësive me mësimin dhe komunikimin etj. Sa i përket trajtimit të autizmit, ka shumë terapi që aplikohen duke u nisur nga metodat edukative dhe duke përfunduar me medikamente. Sa i përket masave edukative janë disa lloje të trajtimit prej të cilave më efikase ka qenë metoda e “mbështetjes”. Metoda e mbështetjes kryhet kur pedagogu apo edhe prindi vihen prapa fëmijës, duke i mbështetur duart e tij në fillim me më shumë forcë e që me kalimin e kohës, duke zvogëluar forcën e mbështetjes në mënyrë që fëmijët të bëjnë veprime të pavarura. Duke pasur parasysh gjendjen e vështirë të fëmijës nevoitet një punë me afat të gjatë dhe me durim, së paku 5-vjeçare që të shihen rezultatet e para ku fëmija është në gjendje të kryejë disa veprime të vogla të pavarura.
Programet arsimore elektronike
Në punën me fëmijët me autizëm është me rëndësi krijimi i rregullave të qarta, të cilave iu duhet pëmbajtur në mënyrë rigoroze me qëllim që ta ketë më lehtë përvetësimin e materialit mësimor. Për shembull, para fillimit të mësimit fëmijës i tregohet nëpërmjet tabelës se çfarë do të mësojë dhe pastaj çdo përfundim i punës tregohet në tabelë bashkë me punën e radhës që do të bëjë fëmija. Po ashtu edhe orari javor duhet të përpilohet në mënyrë që t’u ofrohen materiale të ndryshme mësimore si: gjuha amtare, matematika, dituria e natyrës, muzikë, sport dhe forma të tjera mësimi – të gjitha këto duke pasur në konsideratë aftësinë e kufizuar të mësimit.
Ende nuk ka të dhëna përfundimtare që tregojnë se cila nga filozofitë arsimore, model ose strategji mësimore, grup i caktuar aftësish, apo sasia e kohës së praktimit dhe ndërhyrjes do të ketë një ndikim më të madh pozitiv për fëmijët me autizëm. Në mënyrë që të sigurohet rezultat pozitiv i një programi ose strategjie ndërhyrëse, ky program duhet të jetë i bazuar në disa karakteristika themelore. Këto karakteristika janë: kurrikula i referohet deficiteve të autizmit; mjedisi është i organizuar dhe shumë mbështetës; programi adreson nevojat e fëmijës autik për parashikueshmërinë dhe rutinën; sjelljet problematike janë adresuar nga një perspektivë funksionale; tranzicionet janë të strukturuara dhe të mbështetura; programi inkurajon pjesëmarrjen e prindit; ndërhyrja është shumë e fokusuar dhe intensive; dhe shërbimet dhe personeli mbështetës shihen si pjesë e rëndësishme e efektshmërisë së programit.
“Të gjithë elementët e një programi shumë të strukturuar mund të ndërthuren duke përdorur karakteristikat e sistemit smart të propozuar më sipër. Për të pasur rezultat pozitiv, nxënësit që do marrin pjesë në këtë program të gërshetuar nëpërmjet sistemit tonë, duhet të tregojnë interes të theksuar ndaj kompjuterave dhe pajisjeve elektronike në përgjithësi dhe stili i tyre i të mësuarit të jetë ai viziv, si dhe të marrin pjesë në program për më shumë se 15 orë në javë për një periudhë 2-vjeçare.”
Karakteristikat e sistemit smart do të krijojnë një mjedis efektiv për të mbështetur gjatë të mësuarit fëmijët me autizëm, për shkak se informacioni do të paraqitet në mënyrë të tillë që do të tërheqë vëmendjen e tyre. Informacioni kritik paraqitet në mënyra të ndryshme për të tërhequr vëmendjen e nxënësit, si dhe do të mbajë fëmijët të përfshirë në mënyrë aktive.
Fëmijët me autizëm duhet të trajnohen se si të përdorin tiparet e ndryshme të mjedisit smart, si të përdorin materialet e programit të trajnimit në kompjuter dhe gjithmonë duhet të monitorohen nga ana e mësuesve, prindërve ose specialistëve. Mësuesit dhe prindërit duhet t’i mësojnë fëmijës rregullat rreth përdorimit të kompjuterit dhe pajisjeve smart, të cilat e pajisin fëmijën me aftësi pozitive kur ndërveprojnë me këto pajisje, e cila siguron një dritë jeshile për ta. Fëmijët duhet të mësojnë se këto pajisje duhet të përdoren për të mësuar një aftësi të re ose si mjete teknologjike ndihmëse për të kryer një detyrë të caktuar në programin e tyre.
Në të ardhmen, në bashkëpunim me specialistë dhe edukatorë dëshirojmë të zhvillojmë një kurrikul që synon përmirësimin e aftësive të komunikimit e aftësive gjuhësore, si dhe ndërthurjen e kësaj kurrikule nëpërmjet sistemit tonë. Përdorimi i më shumë pajisjeve smart ndihmon studentët të praktikojnë aftësitë sociale dhe të komunikimit në një mjedis që siguron nivel stresi pothuajse zero.
Në përfundim, fëmijët mund të përdorin këtë mjedis inteligjent (smart) për të mësuar aftësi të reja komunikimi, aftësi akademike si dhe të komunikojnë në kohë reale me mësuesit e tyre, shokët dhe prindërit. Mjedisi smart i propozuar dhe zbatuar nga ne në këtë punim mund të përdoret për të krijuar një mjedis pa stres ku fëmijët marrin pjesë në programin e strukturuar të ndërhyrjes.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.