Mirëqenie

May 23, 2016 | 8:10

Terapi në kuzhinë/ Vera Bekteshi: Në botën e shijes dhe aromave

“Kuzhinën e dua… është hapësira ime e preferuar”. Shumëkush Vera Bekteshin e njeh si shkrimtare. Pas shfaqjes së emrit të saj mbi kopertinën e librit “Vila me dy porta”, që ishte shumë më tepër sesa një rrëfim autobiografik, lidhja e saj me letërsinë është bërë publike. Jo vetëm sepse rrëfeu jetën e saj, të familjes së saj e të shumë të tjerëve si ajo, por u rrëfye ngjashëm me mënyrën se si një shkrimtar rrëfehet. E mandej, kësaj rruge, pra rrugës së të shkruarit, me shumë gjasa i ka hyrë që të vazhdojë të ecë në të. Po shkruan, siç zbulon edhe vetë, të tjera copëza letërsie. Me nxitje autobiografike ose jo. Sidoqoftë, krijesa letrare. E megjithatë, Vera Bekteshi, shkrimtarja, apo fizikania që fati e çoi të vuante internimin, ka një lidhje të veçantë me kuzhinën, s’ka gjë pse veç ata që e njohin nga afër ia dinë këtë pasion. Ka me kuzhinën atë lidhje që një grua ka me gjërat e dashura. Kuzhina e saj është e pasur, si një dyqan me prodhime që i përkasin asaj. Nuk mungon kurrë asgjë, pavarë- sisht nëse i duhet apo jo për momentin, pavarësisht se dyqani vetë është dy kate më poshtë dhe mund të zbresësh në çdo orë. Fjala është për imtësitë. Verës i duhet t’i ketë aty në sirtar. Ashtu si mbi syprinën e komosë në dhomën e gjumit nuk mungojnë bizhuteritë, kremrat apo shishkat e parfumit dhe produkte të tjera kësisoj që Vera i blen gjithnjë pa iu mbaruar ato që ka në përdorim… edhe në sirtarët e dollapët e kuzhinës, elementët finë të saj zënë gjithnjë njëri–tjetrin… E pastaj, përfytyrimi ka të drejtë të prodhojë çdo lloj imazhi apo arome dhe Verës i mjafton veç të shtyjë derën e kuzhinës dhe të vërë përparësen, për ta bërë realitet përfytyrimin.

Produktet e kuzhinës i njeh imtësisht, dhe siç thotë edhe vetë, di të bëjë pazar të mirë. Jo vetëm e kupton cilësinë me të parë, por vlerëson efektin terapeutik që ka për të pazari i ushqimeve. Ka një ndjesi të mirë sa herë është në tregun fshatar, ku zgjedh tufëzat e erëzave, të freskëta apo ta thara, jeshillëqet, zarzavatet… gjithçka preferon ta fusë në shportë, deri te tufa e luleve që këmbëngul ta blejë te fshatarët, sepse lulet e kultivuara i ngjajnë me ato artificiale… Ia njeh efektin terapeutik pazarit, ashtu siç ia njeh një cope çokollate në dimër, një çokollate me brumë lajthie apo marzupanë. Pastaj, efekti terapeutik kalon te kuzhina. Kuzhina e çlodh. Punët e shtëpisë, ato të zakonshmet që ndreqen e prishen menjëherë, në të vërtetë i ka zët. E kush nuk do t’i kishte. Por nuk ndodh kështu kur është në kuzhinë, pavarësisht se cila është puna që kuzhina e detyron të bëjë… veçanërisht gatimin. Kush ka provuar një herë të hajë diçka të gatuar nga Vera, e di mirë se nuk është produkt i dikujt që ka kaluar rastësisht nga kuzhina, apo dikujt që ka gatuar thjesht sepse duhet, apo për të mbushur boshllëkun e stomakut. Ka qenë gjithnjë kështu, edhe në vitet e gjata dhe plot mungesa të internimit. Asokohe nuk ishte Vera e zonja e shtëpisë, nuk mbretëronte ajo në kuzhinë. Qe e ëma. Rrallëherë i vinte radha Verës të gatuante. Megjithatë, në këto raste, të gjithë në shtëpi e dinin paraprakisht çfarë do të shijonin. Verës, për të kuptuar rezultatin, i mjaftonte të shihte se si shijonin të tjerët rreth e rrotull tavolinës. S’i kishte të nevojshme komplimentet, por i merrte, edhe pse vinin në siklet të ëmën… Kur i kujtohet ky fakt, nuk mund të mos e përmendë Zanën. Të motrën, para së cilës sot, në çështjet e kuzhinës, Vera ndihet diletante. “Zana është më të vërtetë e zonja”. Por asokohe, ish volejbollistja e Dinamos, nuk ishte kjo e sotmja që gatuan më nëtyrë të shkëlqyer dhe që shtron tavolina joshëse edhe në pikëpamjen estetike… Atëherë Zana ishte shumë e re. Por le të rrimë te Vera, të cilën pavarësisht krahasimit relativ, e lidh me kuzhinën një histori pasioni. Kjo histori pasioni, apo talenti a lidhjeje e veçantë, është e hershme. E kohës kur Vera e vogël jetonte me gjyshe në shtëpi. Mbretëreshat e vërteta të kuzhinës, si rëndom janë gjyshet, përveçse gatuajnë mirë, u zbulojnë mbesave kureshtare sekretet e kësaj mbretërie… Pastaj, pjesa tjetër varet nga mbesat. Në rastin e Verës ndikimi i gjyshes pati efekt. Ishte një fillim që e nxiti për më tej, drejt eksplorimit të vazhdueshëm. Meqë vuri re se i pëlqente kjo botë gjyshesh, filloi të kërkonte, lexonte, pyeste… te jepte e merrte shumë në këtë drejtim edhe me të motrën, padyshim. Por takimet me të motrën janë të rralla, meqë ajo jeton larg. Kurse Verës i është bërë zakon tashmë, në një restorant, apo e ftuar për darkë nga miq, teksa shijon, përpiqet të përfytyrojë se si ka punuar mbi sobë shefi i kuzhinës, apo e zonja e shtëpisë. Pastaj i hyn bisedës me ta për përbërësit, erëzat, kohën e gatimit, temperaturën e pjekjes… Fundja, është brenda një hapësire ku lëviz lirshëm. “Tekat” e kuzhinës, pasi i ka njohur, s’i shpërfill kurrë. Vaji shumë i mirë i ullirit dhe vera e cilësisë së lartë, po edhe mjalti i gështenjave, janë tri prej elementeve që u kushton vëmendje. Ua njeh vlerën. Verën e vjetruar e shijon si shoqëruese të pjatës apo mbrëmjeve tek lexon librin e radhës. Ama, e lë mënjanë një gotë për të marinuar apo shuar mishin. Qëllon që ta zëvendësojë ndonjëherë edhe me çaj mali. Eshtë një zgjidhje e mirë. Kujdeset edhe për djathin: preferon të bardhin, të deles ose të dhisë. Kaçkavalli vjen më pas në listë, ka shumë kalori… Një pjesë e terapisë së kuzhinës ka të bëjë me estetikën. “Tekat” e Verës përzihen me ato të kuzhinës. Serviseve u jep rëndësi. Udhëtimeve të saj, gërmon në dyqane antikuaresh. Gjen dy filxhanë çaji prej porcelani të tejdukshëm, i merr pa hezitim. S’ka gjë se s’janë 6. Gotat e verës, i zgjedh të lehta dhe i vë veshin tingullit që krijojnë kur token. Jo çdo ditë shtron një tryezë të përkryer. Ama e bën sa herë duhet t’i ndryshojë humorin vetes: mbulesat, pecetat, serviset i zgjedh kur ka nevojë të rigjallërohet… Psikoterapinë e kërkon në kuzhinë dhe ajo ia mundëson. Ndoshta është sjellje tipike femërore, ndoshta ka të bëjë me natyrën artistike, ndoshta është thellësisht individuale e ka të bëjë me temperamentin apo me momentin. Por ç’rëndësi ka. Për Vera Bekteshin është kështu. Kuzhina me tërësinë e saj, gatimin, aromat, tryezën e shtruar, shijen… e bëjnë të ndihet mirë. Pothuaj si Isabel Allende… edhe pse thotë se vetëm në këtë fushë i përngjan.

2

Psikologji Janar 2011

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top