Përgatiti Lumturi Sinani, psikologe
Ekzistojnë shumë qasje terapeutike që ndihmojnë individët për rritjen e tyre psikologjike, një ndër këto është dhe terapia muzikore. Dhe në jetën tonë të përditshme muzika na qetëson, motivon, relakson, e thënë ndryshe ndikon në ndryshimin e një emocioni negativ. Por duke u studiuar nga profesionistë përfitimet e muzikës shtohen akoma dhe më shumë.
Terapia muzikore është një qasje terapeutike që përdor vetitë natyrale që ka kënga për të ndihmuar personat të përmirësojnë shëndetin e tyre mendor dhe mirëqenien e përgjithshme. Terapia e muzikës është një ndërhyrje e orientuar drejt qëllimit ku përfshihen: bërja e muzikës, këndimi, shkrimi i këngëve, kërcimi, të dëgjuarit muzikë, të folurit për muzikë.
Kjo formë trajtimi është e dobishme për njerëzit me depresion dhe ankth, mund të ndihmojë gjithashtu në përmirësimin e cilësisë së jetës për personat me probleme shëndetësore fizike.
Çdokush mund të përfshihet në terapi muzikore nuk është e domosdoshme që të jesh një profesionist i muzikës për të përjetuar efektet e saj të dobishme.
Por si funksionon kjo terapi?
Terapia muzikore bazohet tek qëllimet e lartpërmendura sigurisht dhe tek qëllimet e klientit. Terapia mund të jetë një proces aktiv ku klientët luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e muzikës ose proces pasiv ku klientët dëgjojnë muzikën. Këto procese mund të kombinohen dhe bashkë gjatë terapisë. E rëndësishme është që para se të fillojë terapia duhen të përcaktohen qëllimet kryesore si në çdo lloj qasje tjetër. Për shembull, nëse një individ vuan nga ankthi ose depresioni shpreson se me anë të muzikës mund të përmirësojë natyrshëm humorin dhe rritjen e emocioneve pozitive. Gjithashtu klienti dëshiron të provojë aplikimin e muziko-terapisë për simptomat shoqëruese të ankthit ose depresionit si: pagjumësia, mungesa e përqendrimit etj.
Gjatë një sesioni të terapisë muzikore klienti dëgjon këngë të zhanreve të ndryshme, i bie një instrumenti muzikor ose dhe çdo klient mund të kompozojë këngën e tij. Gjithashtu gjatë kësaj terapie kërkohet nga terapisti që klienti të këndojë, kërcejë dhe të inkurajohet të improvizojë pra terapistët muzikorë kanë një strukturë që çdo klient duhet të ndjekë. Përzgjedhja e muzikës bëhet në bazë të gjendjes emocionale të klientit pra përshtatja e këngës me emocionet.
Për shembull, nëse klienti është i zemëruar, i frustruar këndon me tone të larta dhe në mënyrë të shpejtë. Muzika përdoret dhe për të eksploruar ndryshime në mënyrën sesi ndihet një individ. Nëse klienti është i stresuar, muziko-terapisti kërkon të dëgjohet ose krijohet një muzikë me tone të lehta dhe qetësuese. Terapia muzikore shpesh bëhet në mënyrë individuale por realizohet dhe në seanca grupore. Zhvillohet në klinika private, qendra shëndetësore, spitale, qendra rehabilitimi etj. Shpresojmë që dhe në vendin tonë të përdoret sa më shumë kjo lloj terapie.
Në çdo ditë të jetës tuaj dëgjoni një këngë..
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.