Është eksperimentuar me sukses për herë të parë në Europë teknika që është në gjendje të djegë qelizat e tumorit në tru, duke përdorur teknologjinë e lazerit. “Termoterapia Intersticiale”, ky është emri i procedurës së re, që është përdorur nga Instituti Neurologjik “Carlo Besta” i Milanos, për të trajtuar dy pacientë me metastaza të veçanta në tru.
Rezultati i eksperimentit ka treguar uljen e komplikimeve, reduktimin e ditëve të qëndrimit në spital dhe një mundësi më e mirë për ndërhyrje kundrejt kirurgjisë tradicionale.
Teknika e re përdor valët e dritës për të djegur qelizat kanceroze. Kur lazeri aktivizohet, temperatura e zonës problematike shtohet, aq sa të djegë vetëm shtresën tumorale.
Teknika e re ka disa avantazhe: i pari është zvogëlimi i tronditjes për pacientin. Procedura në tërësi kërkon vetëm pak minuta kohë dhe i redukton ndjeshëm ditët e rikuperimit, nga 4 deri në 5 ditë të parashikuara pas ndërhyrjeve të kirurgjisë tradicionale, në vetëm 1 ditë!
Këto avantazhe konkrete, të evidentuara te dy pacientët e parë të trajtuar, janë përkthyer në një përmirësim të cilësisë së jetës së tyre në vazhdim.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.