Ekziston një tip guximi apo disa të ndryshme? Çfarë ka të përbashkët hedhja me parashutë nga një lartësi apo thënia e të vërtetës në sy dikujt? Po mes kurajës për të guxuar dhe asaj për të hequr dorë? Ka një guxim që shfaqet në forma spektakolare dhe një tjetër që shfaqet në mënyra më modeste, ka që zgjat një çast të vetëm dhe që zgjasin për gjithë jetën dhe pastaj ka një guxim të brendshme, që lind nga njeriu dhe një tjetër që vjen papritmas nga jashtë.
E atëherë, çfarë është guximi? Është forca e shpirtit, aftësia për të reaguar përballë rrezikut, vuajtjes apo alarmit, një aftësi që nuk e përjashton frikën. Të qenit guximtar është aftësia për të përballuar drojën dhe të mos e lejosh shpërfilljen, të mos bësh gjasme nuk e ke parë, apo të mendosh se nuk je i përfshirë. Guximi nuk e përjashton as kujdesin: nuk do të thotë të mos përballesh me problemet, por të zgjedhësh kur dhe si ta bësh këtë përballje. Çfarë raporti ka midis guximit dhe personalitetit? Është çështje karakteri apo një sjellje që varet nga rrethanat konkrete të momentit? Mund të shfaqemi shumë guximtarë në momente të caktuara dhe aspak në të tjerë. Dhe mund të mbetemi të zhgënjyer, kur të zbulojmë te vetja frikën se mos ndodhemi në situata të vështira. Shkurt guximi është shumë i rëndësishëm dhe akoma më shumë i komplikuar. Një arsye e mirë për të pyetur veten rreth kësaj teme dhe për të bërë testin e mëposhtëm.
PYETJET
1. Guximi është…
a.Të bësh çfarë është më e drejtë.
b.Të mos mendosh gjatë mbi zgjedhjen që bën.
c.Të dominosh frikën.
2. Natën dëgjoni zhurma të çuditshme. Reagimi juaj është:
a.Çoheni nga shtrati, ndizni dritën dhe shkoni të shikoni ç’po ndodh.
b.Uleni në buzë të shtratit dhe përqendroheni për të kuptuar nga vjen zhurma. S’ka asgjë për t’u shqetësuar dhe shtriheni sërish.
c.Me dëshirë do të rrinit në shtrat, por është më mirë të shohësh ç’po ndodh. Ama, nëse është vërtet dikush (mund të jetë një hajdut) do të ishte më mirë t’i linit të kuptonte se jeni duke fjetur. Sidoqoftë, provoni të çoheni ngadalë…
3. T’i rezistoni joshjeve (për të ngrënë mirë, pirë, shpenzuar në mënyrë të shfrenuar) për ju është një gjest kurajoz. Pse?
a.Sepse ndiheni në faj, pasi keni kënaqur dëshirën tuaj.
b.Sepse, përveçse është e vështirë, përveçse nuk ia dilni gjithmonë, duhet të prireni t’i kontrolloni gjithnjë instinktet tuaja.
c.Më mirë të jeni i kthjellët sesa të kënaqni impulset.
4. Jeni spektatorë të një padrejtësie. Çfarë bëni?
a.Hezitoni. Nga frika (ose maturia) e shmangni ndërhyrjen tuaj për ndihmë.
b.Përfundoni duke ndihmuar viktimën. Nevojitet të ndalet sa më shpejt padrejtësia.
c.Vëzhgoni situatën për të kuptuar më parë ç’po ndodh dhe pastaj me vendosmëri ndërhyni.
5. Duhet kurajë për të njohur gabimet tuaja…
a.Ia dilni menjëherë të dalloni dhe pranoni gabimet tuaja: preferoni të jeni të ndershëm dhe korrektë më shumë sesa të keni të drejtë me çdo kusht.
b.Është shumë e vështirë ta bësh, por para së gjithash lipset menduar për pësimet.
c.Ia pranoni gabimet vetëm vetes suaj: më mirë të mos i dinë të tjerët, mund të përfitojnë.
6. Herën e fundit që keni bërë provën e guximit e keni bërë…
a.Për të vënë në vend të drejtën tuaj: “Ishte e vetmja zgjidhje e mundshme”.
b.Nevojitej: “Nëse nuk do ta bëja të tjerët do të mendonin se jam frikacak”.
c.Për instinkt: “Nuk di të sillem në mënyrë tjetër”.
7. Mendoni se jeni një model për të tjerët?
a.Rrallë. Përpiqeni të mos bëni “beteja” vetëm.
b.Me raste edhe pa dashur jeni bërë.
c.Asnjëherë, pasi përfshiheni vetëm me iniciativën e të tjerëve.
8. Në pishinë, keni vendosur që të hidheni nga trampolina më e lartë. Të gjithë po iu shohin dhe mendoni:
a.Kurrë më. Sidoqoftë tani s’mund të kthehem pas. Një lutje, mbyll sytë, dhe…
b.Hop, një kërcim i parë pastaj një tjetër, ndonjë sekondë spektakël e pastaj do hidhem.
c.Do t’i rri besnik qëllimit tim final… Në fund të fundit, përderisa në këtë trampolinë vijnë të gjithë, do të thotë se s’përbën rrezik për jetën.
9. Cila nga këto është motoja juaj?
a.“Me ta vendosur çfarë duhet dhe mundet bërë, më duhet të gjej vetëm mënyrën”. (Abraham Linkoln)
b.“Kurajën e kam. Është frika që më pengon”. (Toto)
c.“Nuk mund t’i përgjigjesh kurajës për sa kohë nuk je ndodhur kurrë në rrezik”. (Francois de la Rochefoucauld).
10. Pasi e keni dhënë provën e guximit:
a.Ndiheni i ekzaltuar dhe krenar për veten.
b.Pranimi për ta bërë, iu ka shkaktuar ndonjë problem.
c.Ndiheni mirë me ndërgjegjen.
11. Duhet t’i jepni një lajm të keq (një grindje sentimentale, refuzim të ndonjë paradhënieje, një pushim nga puna…) një të njohuri:
a.Reflektoni gjatë për të gjetur mënyrën më të mirë për t’ia thënë.
b.Ia thoni sa më shpejt të jetë e mundur.
c.Urreni ta bëni… e dini tashmë se ky veprim do t’iu shkaktojë net pa gjumë para se ta bëni.
12. Një sallë me pesëqind njerëz po pret diskutimin tuaj. Në orën që i paraprin këtij momenti, çfarë bëni?
a.Rishikoni dhe korrigjoni pikat për të cilat jeni përgatitur.
b.I përsërisni vetes: Çdo gjë do të shkojë mirë, do të shkojë mirë, do të shkojë mirë…”
c.Ecni lart e poshtë duke u përpjekur të shkarkoni tensionet
Më shumë përgjigje A
Preferoni të mendoheni para se të veproni
Guxim për ju do të thotë të mendoheni mirë para se të veproni, edhe pse ndonjëherë frika për pasojat që mund të ketë mbi ju ose të tjerët rreth jush, iu bën të hezitoni. Jeni të vetëdijshëm se sjellja juaj nuk është as një virtyt e as një cilësi: guximi për ju është një mjet për t’u përballur me atë që, në një farë mënyre, priret të përfitojë nga dobësia e të tjerëve. Jeni gjithnjë të kujdesshëm të mos shpenzoni energjitë tuaja, për t’i bërë gjestet tuaja të guximshme vetëm për ata që e meritojnë: njerëzit më të dobët dhe ata potencialisht me të ekspozuar ndaj padrejtësive. U qëndroni besnikë angazhimeve që keni ndërmarrë. I shkoni deri në fund çështjeve që keni për zemër dhe u kërkoni të tjerëve të jenë të sinqertë me idetë e tyre. Përderisa ju vetë e ndiqni këtë princip, s’mund të mos prisni reciprocitet nga të tjerët. Guximi për ju është një përzierje e impenjimit dhe vullnetit. Nuk bëhet fjalë për instinkt dhe spontanitet. Para se të ndërmerrni çfarëdolloj iniciative reflektoni gjatë, por pasi të keni vendosur, askush s’mund t’iu ndalë. Në substancë e dini se nuk keni lindur guximtarë. Por keni mësuar gradualisht, gjatë përshkimit të rrugës së jetës, të gjeni zgjidhjet më të mira për të përballuar problemet që dora-dorës iu shfaqen, duke kërkuar të krijoni thesarin e përvojës së të shkuarës për të marrë vendimet e së nesërmes. Mënyra juaj e të qenit guximtarë, bashkëjeton me kujdesin: nuk e refuzoni përballjen me problemin por doni të jeni të sigurt se si dhe çfarë të bëni për të zgjidhur situatat. Dhe derisa keni forcën të reagoni në mënyrë të përmbajtur, përpiqeni të shpjegoni motivet tuaja, duke negociuar, por nëse do të ishte e nevojshme, dini edhe të ndizni një “luftë”. Këshillë: Përpiquni të mos vini një koracë të padepërtueshme mes jush dhe të tjerëve dhe të mos i jepni leksione kujt, ndryshe nga ju, është më instinktiv. Risku është gjykimi i shpejtë dhe i lehtë i njerëzve që iu rrethojnë.
Më shumë përgjigje B
Ndiqni vetëm instinktin
Ju nuk silleni me guxim. Jeni të guximshëm. Tashmë keni hequr dorë nga frenimi i instinktit tuaj… Jeni të vetëdijshëm se është e mërzitshme të përshtatni sjelljen tuaj. Ju flisni, silleni, veproni … në harkun e pak minutave. Bëhet fjalë për të mbrojtur interesa personale ose të të tjerëve, duke i besuar gjithnjë intuitës dhe emocioneve pa menduar gjatë: “Ose e bëj ose nuk e bëj”. Dyshimi nuk iu lulëzon në asnjë çast. Ende pa e mbaruar mendimin keni shqiptuar frazën, pa e vrarë mendjen për mundësinë e një veprimi tjetër më të mirë. Shpesh ndodheni brenda një tensioni që e keni ushqyer në mënyrë të pandërgjegjshme. Mënyra juaj e të qenit të guximshëm ka të bëjë me një impuls kolerik. Agresiviteti juaj mund t’iu sjellë telashe dhe nuk iu ndihmon kurrë për të zgjidhur situatat, në mënyrën më të mirë të mundshme. Për shembull, për ju, thënia e së vërtetës në sy dikujt është një stimul që ndihmon diskutimin, i jep një shtysë reflektimit. Por jo të gjithë njerëzit janë si ju. Të tjerëve mund t’u dukeni i padrejtë, impulsiv dhe manipulator. Emotiviteti juaj mund të merret edhe si pandjeshmëri ndaj motivimit të të tjerëve. Mund t’iu mendojnë si armiqësor. Virtyti juaj është spontaniteti: nuk i llogarisni kurrë dhe nuk i programoni veprimet tuaja. Guximi juaj është gjithnjë origjinal. Për këtë arsye iu falin (pothuaj gjithnjë) kur e humbni kontrollin. Këshillë: Provoni të reflektoni mbi mënyrën tuaj të sjelljes. Pse nuk ndalni një moment për të pyetur veten se mos sjellja juaj lëndon dikë. Do të shmangni kështu, në të ardhmen, veprimet e pariparueshme.
Më shumë përgjigje C
Hezitoni përballë vështirësive
Nuk ndiheni guximtarë, por dini të jeni nëse lipset. “Përse duhet të pranoj gjithnjë çfarë më propozohet pa luajtur qerpikun dhe nëse shkelen të drejtat e mia ose të të tjerëve?” Vetëm kur kjo pyetje iu bëhet mbytëse “shtrëngoheni” dhe përpiqeni të kapërceni frikën duke realizuar gjeste të guximshme. Ama duke bërë gjithnjë shumë kujdes se mos lëndoni dikë rreth e rrotull dhe duke u përpjekur të shmangni konflikte, zbrisni në fushë vetëm kur vuajtja për padrejtësinë në të cilën keni asistuar bëhet shumë e dhimbshme dhe braktiseni nga ëndrra se po jetoni në një botë të lumtur, ku mbretëron qetësia dhe harmonia pa pasur nevojë për ndërhyrje të jashtme. E mbroni kauzën vetëm kur keni një siguri absolute. Vetëm duke e ditur që pasiviteti kundrejt një sjelljeje jo korrekte do t’iu turpëronte, ju nuk mund t’ia falnit vetes apatinë. Përveç vështirësive emotive, sjellja juaj ka shkak edhe ndjesinë e fajit. Nëse ka diçka që nuk shkon në sjelljen tuaj është mungesa e spontanitetit. Do t’iu duhet të luftoni vazhdimisht kundër vetes para se të luftonit oponentin: një sfidë e dyfishtë kjo. Sjellja juaj është ajo e kokëkrisjes së të ndrojturit ose shpërthimit të të qetit. Ju duhet kohë për të marrë energji. Aq sa nganjëherë arrini kur beteja ka mbaruar. Sidoqoftë në galerinë e veprimeve tuaja të guximshme ka shumë që meritojnë të shënohen. Këshillë: Floberi do të shkruante: “Guxim nuk kam shumë. Por jam sjellë sikur të kisha mjaft”. Pse prisni kaq shumë para se të ndërhyni? Përpiquni të mos arrini gjithnjë në limit para se të ndërhyni me një veprim guximtar…
Revista Psikologjia 2016
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.