Për aq kohë sa dashurojmë, edhe falim. Në fakt, nëse e duam vërtetë shumë një njeri, duhet të jemi të aftë ta falim atë, edhe përballë një përvoje të dhimbshme, siç është tradhtia. Ky test mund t’ju ndihmojë të reflektoni se si mund të reagoni në këtë situatë të veçantë.
- Kur diskutoni në çift për shkak të këndvështrimeve të ndryshme:
a. Sforcohesh shumë për të kuptuar mirë mendimet dhe arsyetimet e partnerit dhe shpesh nuk ia del t’i kuptosh ato.
b. Diskuton gjatë e më pas gjen një pikëtakimi që përfaqëson këndvështrimet e të dyve.
c. Debatoni e grindeni, por më pas ndjek mendimin e tij.
- Jeni më kërkuese dhe perfeksioniste me të tjerët apo me veten?
a. Jam veçanërisht kërkuese dhe perfeksioniste me veten.
b. Nuk jam kërkuese dhe perfeksioniste, as me veten, as me të tjerët.
c. Absolutisht me të tjerët: urrej të zhgënjehem.
- Ndiheni keq kur gaboni me dikë apo kur të tjerët gabojnë me ju?
a. Kur gaboj unë kundrejt të tjerëve.
b. Në të dyja rastet ndihem keq.
c. Kur të tjerët më bien në qafë.
- Çfarë ju vjen ndër mend, nëse mendoni për fjalën “tradhti”?
a. Papërsosmëria njerëzore dhe lehtësia për të bërë një gabim.
b. Jeta në përgjithësi: momentet e bukura e të shëmtuara të saj.
c. Pamundësia për të besuar tek të tjerët.
- Ia dilni të mendoni pozitivisht edhe në momentet e vështira?
a. Po, duke pasur parasysh vështirësitë, sforcohem gjithmonë të mendoj në mënyrë pozitive.
b. Jo gjithmonë ia dal, edhe pse mendoj se funksionon.
c. Jo: nëse jam me humor të keq nuk bëj asgjë që të bind veten për të kundërtën.
- Nëse tradhtia do të ishte një mësim jete, çfarë mund të mësojë ai që tradhtohet?
a. Që të gjithë mund të rrëzohen (e të ringrihen më pas).
b. Që gjithçka mund të ndryshojë nga një moment në tjetrin.
c. Që nuk duhet t’u besosh kurrë të tjerëve.
- Në përgjithësi, a i ruani kujtimet jo të mira?
a. Jo. Mbaj mend vetëm gjërat e bukura; ato të shëmtuarat i harroj.
b. Jo edhe aq. I “neutralizoj” kujtimet e shëmtuara për të vuajtur më pak.
c. Po, i kujtoj shumë mirë ato kujtime dhe atë person që më ka lënduar.
Mblidhni pikët e më pas gjeni profilin që ju korrespondon:
3 pikë për çdo përgjigje A
1 pikë për çdo përgjigje B
0 pikë për çdo përgjigje C
Nga 0 deri në 6 pikë | Nuk do të mund ta kuptonit tradhtinë dhe as ta falnit atë
Nuk dukeni një person i aftë që të vini lehtësisht veten në vend të partnerit, për shkak të një lloj ngurtësie dhe pamundësie objektive për të kuptuar gabimet e të tjerëve. Kur dikush zhgënjen pritshmëritë tuaja, në përgjithësi te ju gjenerohet një plagë të thellë, e cila shërohet vetëm me shpirtin e hakmarrjes ose me një shërim të thellë të krenarisë. Ndaj, nëse partneri ju tradhton, mendimi juaj racional është se nuk ka falje. Nga ana tjetër, nuk jeni një njeri pozitiv në marrëdhëniet sociale: nuk i besoni lehtësisht dikujt dhe kur e bëni këtë dhe dilni të lënduar apo të tradhtuar prej tij, për ju kjo marrëdhënie me atë person është përfundimisht e mbyllur.
Nga 7 deri në 14 pikë | Do të ishit të gatshëm të falnit, por me shumë sforco
Vuani shumë nëse ju tradhtojnë, por njëkohësisht bëni edhe pyetje, kërkoni përgjigje, viheni në lojë dhe jeni të gatshëm të kuptoni arsyet e personit që ju ka tradhtuar. Me kalimin e kohës dhe me shumë punë psikologjike me veten, mund t’ia dilni të pranoni se një tradhti jo gjithmonë e ndryshon lidhjen, ose ndryshon ndjenjat, edhe pse është shumë e vështirë për t’u përtypur… E dini mjaft mirë se shpesh situatat e jetës kërkojnë sforco dhe aftësi për të menaxhuar ndjenjat. Të rigjeni ekuilibrin, është e mundur, por duhet shumë përkushtim. Karakteri juaj duket me themele të forta, optimist e me besim, ndaj jeni në gjendje të udhëhiqni mendimet tuaja, pa u përfshirë nga ndjenjat negative.
Nga 15 deri në 21 pikë | Ia dilni të kuptoni, falni dhe harroni një tradhti
Keni arritur një ekuilibër dhe një vetëdije për t’u pasur me të vërtetë zili, si në mënyrën e të menduarit, ashtu dhe në aftësinë për të menaxhuar ndjenjat dhe për të ndërvepruar me të tjerët. Dini ta vini veten në diskutim pa vështirësi, keni veti të mëdha empatie dhe keni tendencën të harroni apo minimizoni atë që ju ka bërë të vuani, sidomos kur kjo vuajtje nuk shërben për të jetuar një jetë të lumtur. Siguritë tuaja nuk janë falë faktorëve të jashtëm, por nga zgjedhjet tuaja personale. Për këtë arsye nuk keni frikë t’u ofroni mbështetjen tuaj të tjerëve (edhe partnerit), edhe kur merrni zhgënjime dhe sjellje ofenduese. Dini të jetoni pa pritur gjëra të veçanta nga personat që i keni për zemër: gjithçka që ia dilni t’u dhuroni të tjerëve, mes tyre edhe falja, e bën jetën tuaj më të bukur e më harmonike.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 136
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.