Marrëdhënie

April 13, 2016 | 8:55

Teuta Backa: Problem? Vendosa të mbaj mbiemrin tim

Të jesh gruaja e… Reis Çiços

Kurrë nuk ka vuajtur nga sindroma e protagonizmit, përkundrazi. Ndjehet krenare kur e identifikojnë si bashkëshortja e Reis Çiços. Të qenit person publik, nuk ka qenë për Teutën qëllim në vetvete, pasi me modesti e pranon se në fushën e mjekësisë, janë të shumtë në numër pacientët që kanë konsideratë për punën e saj.

Dikur, në fillimet e historisë së tyre të dashurisë, ai duhet të çante “bllokadën” për të takuar nga afër, pikërisht atë… vajzën që i kish rrëmbyer zemrën. E bija e një personaliteti të rëndësishëm për kohën, gjeneral, zv/ministër i Mbrojtjes, me titullin profesor. Mbiemri Backa, përkthehej pa kushte në reputacion dhe prestigj për vajzën e bllokut, mjaft simpatike. Hiret femërore ishin arma e saj më e fortë… por jo vetëm. Djemtë ëndërronin të kishin një partnere në krah si Teuta Backa, e ndërsa fatlumi do të ishte një njeri krejt i zakonshëm, një djalë shtatlartë, i zgjuar, që ishte ende në hapat e parë të karrierës së tij profesionale si gazetar i njohur dhe folës i lajmeve, aq i dashur për publikun. E sot, ngjan sikur rolet janë ndërruar… ndonëse dyzimi për ta identifikuar mbetet ende i vakët. Shumëkush e njeh si Teuta Backa, mjekja reumatologe, njëkohësisht prej 17 vitesh edhe pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë. Me një karrierë të ndritur profesionale, një seri specializimesh të kryera jashtë shtetit, dhe me një mori pacientësh që rendin pas bluzës së bardhë me inicialet T.B. Një emër, sa publik në fushën e mjekësisë, aq edhe i respektuar nga pacientët që kanë kaluar ndër duart e 52-vjeçares. Dhe duke qenë mjaftueshëm e realizuar në profesionin e saj, asnjëherë nuk i është dashur të ndjehet inferiore karshi popullaritetit të të shoqit. “Unë rrjedh nga një familje intelektualësh, kam pranuar të ecë në shembullin e prindërve të mi. Gjithmonë kam qenë një nxënëse dhe studente e shkëlqyer sepse kam pasur qëllim në vetvete të jem e realizuar. Kam punuar dhe vazhdoj të punoj, për të qenë në lartësinë e duhur, sigurisht edhe përkrah bashkëshortit tim që është një emër dhe figurë publike. Si mjeke reumatologe jam shumë e njohur, e për këtë kam zgjedhur të mbaj mbiemrin tim, të vajzërisë Backa. Madje, kur më thërrasin me mbiemrin e tim shoqi, nuk ambientohem kollaj, sepse gjithë jetën kam mbajtur mbiemrin tim dhe ndjehem krenare për këtë”, pohon Teuta. Kurrë nuk ka vuajtur nga sindroma e protagonizmit, përkundrazi. Ndjehet krenare kur e identifikojnë si bashkëshortja e Reis Çiços. Të qenit person publik, nuk ka qenë për Teutën qëllim në vetvete, pasi me modesti e pranon se në fushën e mjekësisë, janë të shumtë në numër pacientët që kanë konsideratë për punën e saj. Duke qenë të dy të plotësuar nga ana profesionale, kjo lë pak shkas për mungesë vëmendje, apo për të ndjerë mbi krye peshën e neglizhencës apo mungesës së nivelit.

Teuta dhe Reisi, janë njëri më i realizuar se tjetri… ai si gazetar dhe ajo si mjeke. Ndërsa, në çështjen e publicitetit në media, ka qenë Reisi i pari që e ka bërë këtë zgjedhje, aspak e kushtëzuar, por si diçka normale që ia lyp profesioni i tij. “Të qenit bashkëshortja e një personazhi publik kërkon shumë angazhim, qetësi… Im shoq, në ekran duhet të jetë shumë i rregullt dhe për imazhin e tij kujdesem unë, e ndjek deri në detaje… Kujdesem për mënyrën si ai komportohet në ekran, ka raste më duket serioz, dhe kur vjen në shtëpi i them që nuk ishe fort mirë sot… Edicionet informative të Reisit, i ndjek prej vitesh, qëndroj para ekranit deri në çastin kur ai stilolapsi i famshëm futet në xhepin e tij….”, pohon ajo. Përpos anës profesionale, te Reisi, ajo ka gjetur edhe një bashkëshort të denjë, një baba të shkëlqyer e të devotshëm për familjen që ata të dy kanë ndërtuar dhe ata të dy kanë ditur t’i japin kuptimin që meriton marrëdhënies së tyre, si dy njerëz të afirmuar në profesionet respektive dhe të realizuar në jetët e tyre.

Botuar në revistën Psikologji, nr.37

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top