I ka qëndruar një hierarkie të vërtetë vlerash në një mision sa të bukur, por aq dhe me ngarkesë në rrugëtimin e tij. Dhe jo pa qëllim mban emrin e dijetarit të shquar Petro Nini Luarasi. Është një nga gjimnazet më me emër të Tiranës, një nga më të lakuarit, në thelb të së cilit qëndron pikërisht “formimi i qytetarit dhe figura e njeriut të denjë të shoqërisë së të nesërmes”. Ky është mesazhi që përcjell drejtoresha e gjimnazit Teuta Braçaj, e cila thekson se “nuk mund të japësh dije dhe formosh njohuri pa edukuar shpirtin e nxënësve të tu, pa i dhënë dritën që ata kanë nevojë”.
Nga Orjona TRESA | Foto: Vlasov SULAJ
A mësohen rregullat në shkollë dhe çfarë ka diktuar shoqëria jonë në modelin që përfaqësojmë sot?
Do ta filloj këtë shkrim pikërisht me pyetjen që të sjell në pragun e “Petro Ninit”: Përse e keni dërguar fëmijën tuaj pikërisht në këtë shkollë? Përse çdo petronins krenohet me shkollën e tij? Çdo ishnxënës e di fare mirë dhe gati përgjigjja do ishte e njëjtë në çdo rast. Është përkushtimi i mësuesve, cilësia e mësimdhënies dhe vizioni i qartë që ka kjo shkollë ndër vite: të formojë qytetarë nëpërmjet dijeve, tolerancës dhe dialogut. Duket sikur stafeta e urtësisë dhe vlerave qytetare ka udhëtuar brezave, me kokëfortësinë e saj, pa devijuar asnjë vit në numërimin e saj.
Në shumë raste, po të vizitosh shkollat e kryeqytetit, ajo që vëren është se struktura arkitekturale pothuaj përsëritet. Ajo që vëren në “Petro Nini” flet menjëherë. Është një histori e gjatë arritjesh e cila të edukon. Në këndet e shkollës kudo sheh dhe njeh emra dhe fotografi studentësh që kanë marrë medalje në gara kombëtare dhe ndërkombëtare të fushave të ndryshme. Mendoj se e shkuara flet, të duhet vetëm ta shpalosësh atë. Për fatin e mirë të kësaj shkolle, tradita dhe themelet e saj janë të shëndetshme. E gjithnjë sigurisht, në krye të të gjitha përqindjeve, shifrave, notave qëndron figura e petroninsit, qytetarit të denjë të shoqërisë sonë. Nuk mund të kemi profesionistë të zotë pa virtyte dhe vlera njerëzore.
Si ndikoni ju dhe cili është ndikimi i shkollës në mbarëvajtjen e ecurisë së nxënësit?
Të kuptosh peshën tënde është zanafilla e punës. Nuk kam asnjë dyshim që të gjitha institucionet arsimore bëjnë më të mirën e tyre. Unë vetëm sa do përshkruaj atë që ne, si gjimnaz bëjmë. Unë besoj në fuqinë e edukimit, besoj në misionin tonë. Shkolla është tempulli i dijes dhe edukimit, të cilat rrugëtojnë paralelisht. Sa më thellë dhe gjerë një mësues ta ndiejë dhe kuptojë misionin e vet, aq më e bukur dhe e vlerë është puna e tij. Po e theksoj vlerën e mësuesit si SEKRETI i parë, shtylla e fortë ku mbështetet gjithë procesi i edukimit të nxënësit, pasioni dhe përkushtimi i mësuesit.
Sa i rëndësishëm është modeli i mësuesit?
Në të gjitha takimet me stafin tim nuk harroj ta theksoj këtë. U kujtoj sa të rëndësishëm ata janë. (Sigurisht nuk harroj kurrë rolin tim). Nxënësit janë kudo të ngjashëm, ata janë adoleshentë, kanë të njëjtat probleme: mosmarrëveshje, komplekse inferioriteti, superioriteti, varësi nga teknologjia, fobi, ide të gabuara, mungesë besimi, nervozizëm të pamotivuar e plot si këto… kalvari i problemeve të njohura të një 16,17,18-vjeçari. Mendoni për një moment një qenie me kaq pak përvojë jete, vetëm gati një dekadë e gjysmë në mes të këtij oqeani problemesh. Ai shpesh nuk hap gojën në shtëpi, ndihet i pakuptuar, por edhe kur e bën këtë, në rastin më të mirë, vetëm pak nga gjithë ajsbergu i problemit del në pah. Ai nuk mundet të analizojë vetë asgjë në mjegullën e padijes së vet natyrore.
E pra, tamam këtu jemi ne: shkolla. Ai vjen çdo ditë me barrën e rëndë të problemeve të veta, herë i heshtur, i ndrydhur, e herë i nervozuar. Janë sytë e mësuesit kujdestar, përballja e parë: Mirëmëngjes! Këtu fillon puna edukative. Para se të drejtoj këtë shkollë, unë jam mësuese dhe më lejoni të numëroj vetëm disa prej mendimeve të mësueses kujdestare: A janë të trishtuar sytë e nxënësit tim? Mos vallë duket i lodhur, çfarë e mundon këtë fëmijë? Hetimi është i lehtë, ka sytë dhe kujdesin e prindit.
Ja, kjo është një copëz jete nga mëngjeset e “Petro Ninit”. Nuk mund të japësh dije dhe formosh njohuri pa edukuar shpirtin e nxënësve të tu, pa i dhënë dritën që ata kanë nevojë. Klima e mirë është kaq e rëndësishme. Po ngurroj ta quaj vetëm komunikim, sepse kalon përtej. Marrëdhënia mësues- nxënës është art. Aty ke fituar beteja të mëdha, aty ke vendosur çfarë duhet në shinat e duhura.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 136
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.