Dëshmi

October 1, 2018 | 12:48

Teuta Dobi: Detyra si mësues, t’u qëndrojmë pranë të rinjve

Mund ta paragjykojnë sa të duash, se është grua me flokë të gjata dhe bën punën e një burri me mustaqe. Por jashtë këtij konteksti, sa meskin po aq dhe mesjetar gjithashtu, ajo di të drejtojë me autoritetin e nevojshëm e plot pasion një shkollë me 1600 nxënës e 80 mësues në stafin pedagogjik. Sentencës juridike se: “barazia gjinore është një e drejtë që garantohet me ligj”, ç’është e vërteta, i duhet dhe shumë punë për ta kthyer në bindje. Ndërkohë, nën drejtimin e saj, gjimnazi “Sami Frashëri” vazhdon të renditet si një shkollë elitë jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë.

Teuta Dobi, drejtoreshë e gjimnazit “Sami Frashëri”, Tiranë

Teuta Dobi, drejtoreshë e gjimnazit “Sami Frashëri”, Tiranë

Për më tej Teuta Dobi na rrëfen se çfarë duhet më shumë që brezi i ri të edukohet ashtu siç duhet, brenda normave të një shoqërie të lirë, por dhe jashtë ndikimeve të grupimeve të tyre politiko-shoqërore, duke mbajtur fort në këtë mënyrë flamurin e një arsimi laik.

Paragjykimi dhe diskriminimi social, e drejta gjinore: këto janë situata që shoqërojnë jetën. Kanë ndikuar në realitetin tuaj?

Në jetën e përditshme, paragjykimet i hasim shpesh. Dikush paragjykohet për shkak të moshës, prejardhjes, bindjes, orientimit seksual, gjinisë, etj. Edhe mua më ka ndodhur kjo gjë. Jam paragjykuar se si mundet një grua të drejtojë një shkollë kaq të madhe, me kaq shumë nxënës (1600) e mësues (80), sepse këtë gjë mund ta bëjë më mirë një burrë. Por praktika ka treguar se gratë janë shumë të fuqishme dhe shumë këmbëngulëse. Realiteti tregoi se unë ia dola.

Cili ka qenë shpërblimi?

Gjatë gjithë viteve që unë e drejtoj këtë shkollë, kemi arritur shumë suksese. Gjimnazi “Sami Frashëri” është renditur në vendin e parë si gjimnazi më i mirë publik, me rezultatet më të larta në Maturën Shtetërore, me numrin më të madh (95%) të nxënësve që kanë vazhduar universitetin në Shqipëri dhe jashtë vendit, me shumë çmime të para në Konkurse Kombëtare dhe Ndërkombëtare.

Në përvojën tuaj mbi dy dekada, si mësuese, por edhe drejtuese akademike e një institucioni shkollor, si e shihni rolin e të rinjve sa i takon barazisë gjinore, por edhe asaj që ofron koha për të qenë më të hapur karshi disa roleve që shoqëria ndesh?

Barazia gjinore është një e drejtë që garantohet me ligj (Ligji Nr. 9970 datë 24.07.2018), por një rol shumë të rëndësishëm luan shoqëria shqiptare, dhe në këtë kuadër rinia. Është shumë e rëndësishme të edukojmë tek të rinjtë një frymë që ndalon dallimet gjinore, racore, fetare e politike. Pitagora ka thënë: “Edukoni fëmijët sot që mos të dënoni të rriturit nesër” dhe këtë thënie të tij, unë e kam pasur parasysh në punën time si mësuese. Çdo gjë që ua mësojmë të rinjve, mbetet gjatë dhe ndikon në kulturën e përgjithshme të një kombi. 

Sigurisht që secili ka një model të cilin e ndjek në jetë dhe përpiqet t’i ngjajë, por ne duhet t’i edukojmë të rinjtë me parimin që në jetë mund të na hapen shumë dyer dhe mund të na krijohen shumë mundësi dhe secili mund të zgjedhë të marrë atë drejtim ku ai e gjen veten dhe ndihet më mirë (dhe kjo është personale për secilin), por e rëndësishme është që të tjerët t’i pranojmë ashtu siç janë dhe t’i respektojmë me të gjitha zgjedhjet që ata bëjnë në jetë (kjo duhet të jetë e përgjithshme dhe e pranueshme nga të gjithë).

Sa e vështirë është të bëhesh pjesë e situatave të tilla dhe t’i kapërcesh ato, duke vendosur dhe ruajtur ekuilibrat moshorë?

Sigurisht që problematikat që hasen në jetën e përditshme janë të shumta dhe të shumëllojshme. Ato mund të kapërcehen vetëm duke pasur parasysh se fëmijët janë mbi gjithçka. Parimi që zbatohet në këto raste është: Mos bëj me nxënësit atë që nuk do të doje t’ia bënin fëmijës tënd. Faktor i rëndësishëm në zgjidhjen e situatave të vështira është edhe psikologu i shkollës, por njëkohësisht edhe Komuniteti i Prindërve, të cilët vazhdimisht na kanë mbështetur në të gjitha problematikat e hasura, pasi edukimi i fëmijëve është detyrë e përbashkët e shkollës dhe e familjes dhe në këtë proces prindërit janë partnerë shumë të rëndësishëm.

Cilat kanë qenë situatat më problematike që keni ndeshur dhe pse mendoni se kanë ndodhur?

Kemi pasur problematika që hasen shpesh në shkollat tona dhe të huaja që janë normale për moshën që frekuenton gjimnazin. Raste të bullizmit për shkak të paragjykimit për pamjen, raste të bullizmit te djemtë, ku disa prej tyre e konsiderojnë veten më të fortët e klasës dhe kjo ka çuar edhe në përplasje mes tyre, kemi pasur edhe raste të paragjykimit për shkak të prejardhjes dhe origjinës, paragjykimit për gjendjen ekonomike etj. Kuptohet, paragjykimet e shoqërisë në përgjithësi reflektohen edhe tek të rinjtë, të cilët kanë ndikim në jetën e tyre nga shumë faktorë: rrjetet sociale, media, familja, shoqëria. Detyra jonë si mësues është t’u qëndrojmë pranë të rinjve për të njohur në radhë të parë problemet që i shqetësojnë e më pas t’i ndihmojmë në zgjidhjen e tyre.

Sa i rëndësishëm është roli i psikologut për të shmangur pasojat?

Shumë i rëndësishëm. Mësuesit vetë kanë njohuritë e nevojshme për të ndihmuar në shmangien e pasojave, por roli i psikologut si ekspert është shumë vendimtar pasi edhe koha në dispozicion e një mësuesi është më e pakët (për shkak të mësimit), kurse psikologu mund ta ndjekë problemin gjatë gjithë kohës. Ndihma e psikologut është më e specializuar kështu që edhe efekti është më i madh.

Kohët e fundit emri juaj si drejtuese e një prej gjimnazeve më të mirë të Tiranës u lakua për moslejimin e nismës propagandë të përfaqësuesve të komunitetit LGBTI në disa shkolla të mesme të kryeqytetit. Pavarësisht programit të Ministrisë së Arsimit, cila është rruga më e drejtë sipas jush?

Sipas Ligjit Nr.69 për Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, Neni 7, shkolla është laike dhe nuk lejohet në të propagandë e asnjë lloji. MASR në respekt të të gjitha grupimeve (pakica kombëtare, grupimeve për shkak të orientimeve të ndryshme e nxënësve me aftësi ndryshe) ka strategji të caktuara, të cilat janë zbatuar me përpikmëri nga shkollat përfshi edhe shkollën tonë. Në vitin e kaluar shkollor në Konkursin Tirana Art Fest (Festivali I të rinjve të të gjitha gjimnazeve të Tiranës i organizuar nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me MASR, nxënësit e shkollës sonë fituan vendin e dytë me filmin “Jeto” (është edhe në youtube) ku trajtohej tema e bullizmit në shkollë. 

Rruga më e drejtë është t’i bëjmë të rinjtë të duan e ta respektojnë njëri-tjetrin ashtu siç janë. Jeta është e bukur, por njëkohësisht është e mbushur me sfida dhe me beteja të vështira, dhe secili prej nesh duhet të jetë i përgatitur ta përballojë me dinjitet atë.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 131

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top