Në një kohë ku gjithnjë e më shumë gjuha shqipe po pëson transformime si pasojë e përdorimit të gjuhëve të ndryshme, kryesisht angleze, ata janë një përçues i vlerave që bart shqipja në çdo kohë. Pesë të rinjtë e grupit muzikor The Daggs, lindur e rritur në Sicili, kanë zgjedhur që repertorin e tyre të pasur me muzikë arbëreshe, ta shpërndajnë për të gjithë bashkëkombësit anembanë botës.
Imagjinoni një pasdite në buzë të liqenit, në një qytezë arbëreshe si Piana degli Albanesi në Sicili, imagjinoni një grup të rinjsh që mbajnë gjallë një gjuhë qindra vjeçare si arbërishtja. Një gjuhë me të cilën jo vetëm komunikojnë, por edhe performojnë në gjithë Sicilinë. Imagjinoni një performim të improvizuar në version akustik të këngëve më të njohura shqiptare dhe emocionet që ato transmetojnë. Ata janë THE DAGGS, grupi muzikor arbëresh që me tekstet e tyre muzikore në shqip performojnë në skenat dhe koncertet e Italisë së jugut.
Me muzikën e tyre, The Daggs arrijnë të përhapin gjithnjë e më shumë kulturën arbëreshe jashtë kufijve të qytezës së tyre.
Tingujt dhe tekstet e këtyre muzikantëve, që kanë revolucionuar muzikën e vjetër arbëreshe, kanë tërhequr vëmendjen dhe pëlqehen edhe nga publiku i të rinjve, jo vetëm atyre arbëresh.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.