Pra, çfarë është ajo që ti mendon se do? Një palë këpucë? Një aksesor? Dikush më tha se kërkon famë. Famë! A e duam atë, të gjithë në këto kohë? Por ti më ngjan sikur e do me çdo kusht. Pothuajse e do aq sa dikur prindërit tanë donin një talon mish, apo një pjepër në verë. Do që të gjithë njerëzit të të njohin ty më shumë se ç’do në të vërtetë të njohësh ti njerëzit. Para, famë, tesha, makinë. Konkurrencë rreth aksesorit, po aspak rreth pasqyrimit realist të shoqërisë. Cilit pasqyrim? Atij të një gruaje ku shfaqja saj e përditshme është puna, lodhja, rraskapitja, liria e saj e pamundur, përgjegjësia morale edhe dashurore. Tjetër?
Më vinë shumë gjëra në mendje ku mes teje dhe asaj gruas, ka një të përbashkët të madhe; ju të dyja doni t’i bëni ballë jetës në këtë qytet të “fuqishëm”. Një qytet ku askush nuk i përket më vetes dhe çdo përpjekje për një jetë shpirtërore tashmë duket e padobishme. Ndërkohë që ti po mëson se “fuqia” është ajo çfarë të duhet për të mbijetuar në ditët e sotme, ajo e ka shumë të qartë se çfarë të fuqizon ty sot është bukuria. Në fakt ti ke të drejtë. Ti e do bukurinë, e dua edhe unë, të gjithë e duam. Por ti mundohesh që portretin tënd ta zbukurosh me artin e kozmetikës, duke zbehur shkëlqimin e brendshëm të syve dhe trupin me produktet e argjendarisë, duke mbajtur të burgosur shpirtin brenda tij me rraqe.
Ky model më ngjan me atë historinë e njohur të breshkës në periudhën e lashtësisë greke, e cila në pamje të gjallë është e këndshme, por kur ajo riprodhohet “artistikisht”, humbet vetinë e reales. Kështu, një skulptor vendosi të realizonte punimin e breshkës në një qilim me ngjyrë më të çelët se kafja e zhguallit të saj. Mirëpo ky gërshetim nuk e kënaqi dhe filloi të shtonte mbi të disa gurë të çmuar dhe ngjyrash të ndryshme, duke e bërë breshkën një mozaik aspak vezullues, me gurë të vënë shkel e shko nga një mjeshtër me shije barbare.
“Bukuria” që ti ke, unë kam, të gjitha ne e kemi ose edhe kur nuk e kemi po e sajojmë, kjo bukuria jonë shqiptare po ecën turbullt nga nevoja për të zgjedhur ndërmjet luksit dhe vlerës së përdorimit, ndërmjet anës së jashtme dhe thelbit, ndërmjet frymës dhe lëndës. Gjithsesi, nuk është një mëkat për sa kohë nuk do shpalosësh karakterin e parrokshëm të këtij modeli të kohëve moderne. Por, më duket se në tërë këtë proces shndërrimesh të mëdha femërore të këtij qyteti, ti po e shpalos këtë karakter, duke dëshmuar edhe shkelje të normave dhe rregullave, edhe pse të pashkruara. Po e bën duke harruar fjalën “punuar”. Dhe në brendësi të këtij procesi nuk është më figura e gruas së përpjekjeve të mëdha, e asaj gruaje që nga dje si një amvisë, administruese apo edukatore e fëmijëve ka ecur mundimshëm për të ardhur në të sotmen: figurën e plotë hënore me fytyrën e një zonje të mençur.
Ti, që po shtohesh përditë po e ngatërron pak këtë shoqëri, e cila dendur po shpërqendrohet. Pikërisht tani që flitet më shumë dhe më shpesh se kurrë për gruan e fuqishme (dhe jo për shkak të bukurisë) dhe për arritjen e saj më të madhe, pavarësinë ekonomike si rrjedhojë e zhvillimit të mendjes, sot ti po dikton rëndësinë e varësisë poshtëruese që ka mbështetja financiare për arritjen e “fuqisë” nëpërmjet industrisë së super zhvilluar të fashion-it.
Tipi i ri i gruas nuk është skllavja e bukur që ndjek modën me çdo kusht, as torturimi i saj pa kurrfarë stolie morale. Ti nuk jeton dot pa thonjtë e tu të gjatë, e as pa shkëlqimin artificial të tyre, edhe pse kjo nuk quhet estetikë. Nuk ndodh askund një performancë e tillë duarsh a trupi (veçse në rastin kur modelingu është profesion. Pra ne nuk e kemi të tillë). As art nuk është. Kjo nuk ta bën as jetën më urbane nga sa e ke. Është diçka më e madhe se kaq. Ti pa kuptuar je kthyer në skllave të stilit ose ndoshta thjesht ke rënë viktimë e fashion-it. Mirëpo gjithë këtë ti po e bën që të kthehet në një lakmi a një kult i veçantë, të cilit i duhet kushtuar jeta. Por nuk i kushtohet jeta stilit, stili i përshtatet jetës.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.82
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.