Mirëqenie

May 21, 2019 | 11:04

T’i kthesh shkëlqimin buzëqeshjes

Në gjithë investimin akademik dhe profesional, këmbëngulja është ajo që e ka nxjerrë në dritë. Një profesionist si Aleksandër Troka, e di fare mirë këtë, pasi përtej studimit të përkorë, ambicieve zhvilluese së fushës dhe kohës fizike që i duhej të shpenzonte, ka arritur t’ia dalë, duke e kapur pas vetes suksesin. Shënjon mbi dhjetë vite punë si mjek stomatolog në Kavajë dhe tre vite si asistent. E di fort mirë peshën e stomatologjisë, ndërsa të gërshetuar me ëndrrën e kahershme, ka mundur të ngrejë një klinikë ashtu siç e ka dëshiruar vetë. Mban emrin “Klinika Dentare 23”, dhe jo rastësisht me një numër dyshifror. Çelësi i suksesit nis prej aty!

Prej sa vitesh operoni në një treg të gjerë si stomatologjia?

Prej afro njëmbëdhjetë vitesh jam mjek stomatolog dhe tri vite si asistent. Gjatë kësaj kohe jam përballuar me sfida të ndryshme e natyrisht kanë qenë vite të vështira sprove.

Nga ana tjetër çdo ditë kam marrë kënaqësinë e rritjes dhe progresit si nga ana profesionale ashtu edhe në zgjerimin e stafit, të klinikës dhe numrit të pacientëve. Ngritja shkallë-shkallë e këtij biznesi më ka dëshmuar që me punë, përkushtim dhe pasion për profesionin, arrihet gjithçka.

Identifikoheni si Klinika Dentare 23, ka një domethënie?

Numri 23 është data ime e lindjes dhe numri im me fat. Njeriu në rrugëtimin e tij profesional krijon profilin e tij të veçantë përmes punës konkrete me pacientët e tij. Kjo veçanti e individualitetit profesional nis që me numrin e emërtimit të klinikës. Për rëndësinë që ka pasur ky numër në jetën time, kam vendosur që shumë vente të rëndësishme të jetës të jenë në datë 23. Si p.sh. data e fejesës, e martesës, data e hapjes së klinikës së re, numri i apartamentit ku banoj, etj. Do kisha dashur të ishte dhe data e lindjes së djemve të mi. (qesh)

Si funksionon në shërbime të profilizuara?

Në klinikën tonë ofrohen të gjitha shërbimet, duke filluar nga dentistria, ortopedia, protetika, ortodoncia dhe kirurgjia. Personalisht operoj më tepër në fushën e kirurgjisë, të cilën e kam pasion dhe kam bërë shumë trajnime e kurse për t’u kualifikuar. Në secilën fushë etapat që ndjekim janë të njëjta. E nisim me anamnezën e pacientit, bëjmë grafi kontrolli dhe pasi kemi përcaktuar diagnozën, vendosim për planin e trajtimit.

Sa pasion duhet gjithashtu për të realizuar punë të kënaqshme?

Në përgjigje të pyetjes do të zgjidhja thënien e Steve Jobs: “E vetmja mënyrë për të bërë punë të mëdha, është të doni atë që bëni”. Për më tepër, çdo ëndërr e madhe fillon me një ëndërrimtar. Por nëse ke brenda vetes forcën, durimin dhe pasionin, atë ëndërr mund ta bësh realitet. Kjo ka ndodhur dhe me mua.

Pasioni e çoi një student të sapodiplomuar, por me 3 vite eksperience si asistent, të merrte guximin për të filluar punë, fillimisht në një klinikë të vogël këtu në Kavajë, të vinte nga Tirana çdo ditë, fillimisht edhe me vështirësi financiare. Të vinte çdo ditë edhe atëherë kur klinika ishte bosh e duhet të thyente ftohtësinë e dyshimit që pacientët kishin tek ky doktor i ri. Të vinte çdo ditë me dëshirën e pasionin për të bërë një punë të bukur, të lodhshme dhe çka është më e rëndësishme, të vinte çdo ditë për të bërë diferencën në këtë fushë, hap pas hapi të rritej në profesion, të specializohej e të ndërtonte një klinikë dentare të standardeve europiane. Ky ka qenë synimi im që në fillim. Gjëja më e vështirë ishte vendimi për të vepruar, vendim që e mora para 10 vitesh, pjesa tjetër është këmbëngulje.

Cilat janë problematikat dhe risitë që keni sjellë?

Në secilën nga fushat problematika kryesore është kujdesi i ulët i pacientëve për higjienën e gojës. Në shumicën e rasteve ata vijnë në faza terminale, ku arsyeja kryesore që i shtyn të trokasin tek ne është dhimbja. Por nga ana tjetër pritshmëritë e tyre janë shumë të larta për të pasur një buzëqeshje perfekte, gjë që është shumë e vështirë në rastet kur ato nuk kanë treguar kurrë kujdes për higjienën orale.

Po ashtu, edhe në rastet kur pacientët kanë përfunduar një procedurë pune, jo gjithmonë i zbatojnë rregullat dhe këshillat që i japim për të siguruar jetëgjatësinë e dhëmbëve apo implanteve. Ndërsa risia që sjellim është se, merrem shumë me anën psikologjike të pacientit për ta ndërgjegjësuar atë dhe për të vendosur një bashkëpunim. Kështu krijojmë një marrëdhënie simbioze, ku pacientët marrin prej nesh shërbimin dhe estetikën, ndërsa ne si këmbim kërkojmë ruajtjen e higjienës e zbatimin e disa rregullave për jetëgjatësi të punimeve tona.

Po sa i takon ortodoncisë?

Ortodoncia është një fushë e bukur, por që kërkon shumë durim. Ti arrin të ndryshosh imazhin e një personi, arrin t’i japësh një buzëqeshje të bukur, por për këtë nevojitet shumë vullnet dhe bashkëpunim mjek-pacient. Kohët e fundit kjo fushë është përhapur sepse problematikat te fëmijët dhe adoleshentët janë të shumta për shkak të kequshqyerjes dhe higjienës së ulët. Është e rëndësishme vendosja e një marrëdhënie të ngushtë me pacientin, sepse anomalitë e dhëmbëve si dhe vendosja e aparatit ndikojnë shumë në anën psikologjike të pacientit.

Buzëqeshja është paraqitja e parë për çdokënd prej nesh, sa rëndësi merr ajo nëpërditshmërinë tonë?

Gjatë luftës së Kosovës, në shumë dokumentare të paraqitura nga mediat e huaja, vihej re një fokusim i njerëzve te dhëmbët, gjë që dëshmonte për një nivel të ulët ekonomik dhe kulturor. Pra është buzëqeshja që reflekton shumë për nivelin e një individi.

Përpiqemi që në klinikën tonë, pacientët t’i presim me buzëqeshje mirëseardhjeje, duke u dhënë atyre që në kontaktin e parë modelin e dhëmbëve të bardhë e të pastër. Ndaj dhe puna jonë është fisnike e delikate në rregullimin e mirëmbajtjen e dhëmbëve të pacientëve për t’ua shtuar atyre buzëqeshjen e gëzimin e jetës.

Përveç shërbimeve që ofroni, sa rëndësi ka teknologjia?

Zhvillimi i vrullshëm i teknologjive të reja shtron nevojën e perfeksionimit përmes kontakteve të vazhdueshme me arritjet më të fundit të shkencës e teknologjisë. Në këto kushte merr një rëndësi të veçantë kualifikimi i vazhdueshëm profesional për mua dhe për të gjithë stafin tim. Çdo vit fusim në klinike pajisje të reja që paraqiten në panaire të ndryshme. Nga viti në vit shikoj që përmirësimi i teknologjisë lehtëson punën dhe rrit cilësinë e shërbimit.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 136

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top