Të vendosësh të jetosh nën të njëjtën strehë me dikë, është një hap i rëndësishëm në jetë. Po çfarë e motivon këtë bashkëjetesë: dëshira për t’u larguar nga familja, frika për të jetuar vetëm, interesa të caktuara sociale apo dashuria për të ndarë jetën me njeriun e zemrës? Çdo njëri nga këto realitete ka edhe një impakt të vetin mbi mënyrën se si dy njerëz do mund të ndajnë jetën e përbashkët.
1. Mos u ngutni
Psikologët mendojnë se duhet të paktën një vit e gjysmë për të vlerësuar dhe dashur shokun a shoqen e zemrës për atë çka është realisht dhe jo çfarë imagjinoni se duhet të jetë. Përpara se të hidhni hapin e një jete të re në çift, është e këshillueshme një bashkëjetesë së paku e përkohshme: shkoni me pushime diku ose gjeni mundësinë të kaloni disa ditë në shtëpitë e njëri-tjetrit. Një gjë e tillë do t’ju lejojë të krijoni një ide për jetën tuaj të përditshme në çift.
2. Ndani punët e shtëpisë
Ndarja e punëve brenda shtëpisë kthehet shpesh në një burim konflikti. Flisni dhe vendosni se kush duhet të bëjë çfarë. Shkruajeni në letër. Secili mund të zgjedhë ato gjëra që i duken më pak të bezdisshme, çfarë mbetet, sërish duhet ndarë. Nëse buxheti ua lejon, merrni dikë që mund t’ju ndihmojë në punët e shtëpisë. Kjo do të jetë, për muajt e parë në çift, një investim i mirë.
3. Vlerësoni gjërat kryesore
Mos qortoni çdo rast partnerin. Të flasësh, të shpjegosh qartë duke respektuar tjetrin, është më e dobishme sesa ta kritikosh atë në çdo rast keqkuptimi. Pra, diskutoni. Dialogu mbetet çelësi për çdo konflikt. Një grindje mund të shërbejë për të vendosur pikat mbi “i”, për të ç’tensionuar situatën, për të zgjidhur problemet në kërkim të një gjuhe të përbashkët.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.