Nga: Manjola Baçi
Qysh në fëmijëri na diktohet përgjegjësia për t’u kujdesur për veten dhe për të krijuar pavarësi, si për zhvillimin motorik ashtu dhe për atë emocional. Dhe ky është një edukim i drejtë. Nuk mund të quhet abuzim apo e pamundur për stadin e moshës që kur fillon ky psiko-edukim me fëmijët, siç mund të mendojë një pjesë ndryshe nga prindërit apo pala tjetër e familjes. Ҫdo koncept që na mësohet vjen në bazë të një njohjeje më të thellë me të shkuarën, për të përballuar situata rrethanore që na krijohen dhe krijojmë.
Në parantezë të kësaj gjendjeje, për një fëmijë është sa tunduese aq edhe frikësuese përgjegjësia kaq e madhe, pasi që këtu prodhohet guximi e besimi te vetja, me një përballje midis Unit dhe Egocentrizmit. Midis dy nocioneve që përballen në jetën e zhvillimit të njeriut, konfliktet e pazgjidhura në fëmijërinë e hershme, paqendrueshmëria emocionale, reflektohet në marrëdhëniet në çift midis partnerve dhe në jetën e tyre familjare.
Çdo shtëpi ka një çati. Çdo familje ka një histori. Kjo ndihmon anëtarët të përçojnë dhe të ndajnë te njëri-tjetri qëllime, eksperiencë, ndjesi, gjendje emocionale etj. Nga këtu rrjedh modelimi familjar dhe mësohet se si zgjidhen problemet. Nga përvoja ime si terapiste në marrëdhëniet familjare, gjatë këshillimit i mëshohet shumë nocionit t’ia dalësh mbanë vetëm. Mirëpo në këtë rast po e zhvilloj kontekstin në një këndvështrim jo për të dhënë vetëm kurajë, por për të kuptuar që brënda kësaj ka po aq frikë sa edhe sfidë për të zgjidhur këto ndjesi konfliktesh që zbehin besimin te vetja.
Janë disa stereotipe që na mundin, si: kush gabon, pëson, gabimet tregojnë paaftësi, etj. Këto mendësi mposhtin vlerësimin për veten. Na pengojnë për të ecur përpara dhe për të përmbushur prioritetet që i kemi vënë qëllim vetes. jeta vështirësohet kur humbasim kontrollin mbi veten, kur na ndodhin ngjarje, humbje personi, braktisje, divorc, vështirësi ekonomike, sëmundje, etj. ndodhi ku gjendemi vetëm, të pashpresë. Por kjo kthehet edhe në kundërt të saj, në forcë, guxim, kurajë. Këta individë nuk janë më pak të ndjeshëm ndaj fenomenit që u ndodh, por sipas psikologëve vështirësia apo rreziku për gjendjen afektive mund të kthehet në një mekanizëm mbrojtës, i cili quhet mohim i asaj që ka ndodhur. Në një familje janë të kryqëzuar, ose pa atë, arketipi i nënës ose babait, dhe të dy këto figura veçohen dhe plotësohen nga njëri-tjetri. Gjatë seancave të këshillimit me njërin prej partnerëve, i cili gjendet i vetëm përballë përgjegjësive që ka ndaj fëmijës, i lihet të kuptohet rëndësia e secilit prej prindërve. Nuk është e udhës që vetëm ta inkurajoni se është më mirë vetëm se sa me një partner problematik. Është e domosdoshme që t’ia dalësh mbanë vetëm në mënyrë që të bëni zgjedhjet e duhura jo vetëm për veten, por edhe për fëmijët. Prindërit përtej situatave dhe ngjarjeve që u ndodhin në marrëdhënien e tyre, pa dyshim që duan më të mirën për fëmijët, por nuk do të ishte e shëndetshme dhe e këshillueshme që të sforcohen dhe të zëvendësojnë partnerin tjetër. Në këtë mënyrë ata përjashtojnë mundësinë që fëmijët të ndihen fajtorë për situatën e krijuar në familje. ata duhet të vihen në dijeni për rrethanat që krijuan këto kushte, në mënyrë që edhe nëse lëndohen, të arrijnë të kuptojnë se cilat gjëra kanë më tepër rëndësi dhe përparësi. Edhe të rriturit lëndohen, por ata dinë se si ta përballojnë një situatë, ndërsa fëmijët nuk bëjnë gjë tjetër veçse kopjojnë zemërimin, modelimin dhe mënyrën se si prindërit mendojnë.
Arsyeja se përse prindërit janë ndonjëherë të ashpër dhe egoistë nuk janë pasojë e kushteve ku ndodhen, por nga mënyra se si janë rritur. Shoqëria jonë e njeh modelin e prindërimit në bazë të stereotipeve gjinore: autoritar babai dhe e përulur nëna. Nëse ndodh ndonjë nga fenomenet që përmendëm më sipër, nëna vjen e zhuritur dhe e pafuqishme për t’ia dalë mbanë vetëm, ndërsa babai, përpos autoritetit humbet dhe kontrollin mbi edukimin e fëmijëve. E gjitha kjo mbetet e shtrembëruar në çfarëdolloj situate, e cila ushqehet edhe nga shoqëria paranojake ku jetojmë. Për pasojë, familja mbetet e mjerë nga gjendja shpirtërore dhe nuk plotësohen nevojat për të jetuar.
Në të njëjtin kontekst divorci mbetet një dramë për familjen dhe traumë për fëmijët, mirëpo çdo e keqe e ka një të mirë. Divorci është zgjedhje dhe zgjidhje. Por çfarë e bën të tillë është se ai vjen për shkak të mungesës së komunikimit dhe paaftësisë së zgjidhjes së problemeve. Këto janë pengesa që shtrembërojnë personalitetin dhe shkatërrojnë familjen. Shpesh partneri që ka kujdestarinë e fëmijëve pas divorcit mundohet të bëjë rolin e nënës dhe të babait njëkohësisht, me gjykimin se mbrojnë fëmijën. Por nga kush e mbrojnë? Nga çfarë? Prindërit harrojnë se fëmijët duhen rritur pa mungesa e sidomos pa gënjeshtra. Duhet të jenë partnerë në rritjen e fëmijëve, edhe pse jo më së bashku nën një çati. Duke bërë të kundërtën, bëjnë gabime që kushtojnë dhe ndikojnë negativisht për të rritur mirëqenien e shëndetit psikologjik, pasi duke mos u thënë fëmijëve të vërtetën, në të vërtetë gabojnë.
Nëse njërit prej prindërve i ndodh të jenë pa krahun e tyre të djathtë, ai duhet të jetë i pranishëm në njëmijë mënyra në jetën e fëmijve me anë të kujtimeve apo në çfarëdolloj formë, dhe jo t’u fshihet prejardhja apo identiteti i tyre. Prindërit kanë historinë e lidhjes dhe vazhdimësisë së tyre, por ja që ndodh kur nuk mund të jetojnë më bashkë për asrsye të ndryshme. ajo që mbetet nga çfarë ata nisën dhe krijuan janë fëmijët.
Frika, ndjenjat e pasigurisë, ndryshimet e menjëhershme, bëjnë që një prind ta zërë paniku për t’ia dalë mbanë vetëm. Kjo reflektohet me çrregullime humori apo me sjellje tolerance të tepruar. Secili nga prindërit zgjedh mënyra për gjetur një zgjidhje për strehën e tyre, por kjo mund ta sforcojë përtej mundësive dhe është e pamundur t’ia dalin mbanë pa përkrahjen dhe përfshirjen e familjarëve të tjerë. Për të ruajtur ekuilibrin apo për t’u kujdesur për fëmijët mjafton të përpiqen për të inkurajuar veten dhe fëmijët se ndryshimet janë pjesë e jetësse do t’ia dilni bashkë për të përmirësuar jetën. Një prind ia del mbanë, jo duke dramatizuar jetën apo gjendjen ku ndodhet, por duke mos ia mohuar vetes të drejtën për t’u kujdesur për veten dhe për fëmijët. Nga këtu fëmijët marrin një model inkurajues dhe sfidues, për t’u përballur me ulje-ngritjet e jetës dhe për të vlerësuar njëri-tjetrin. Ia dalim mbanë, kur kujdesemi për shëndetin mendor dhe shpirtëror. Kjo na sjell qetësi dhe gjykim më të mirë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.