Në fokus

June 15, 2017 | 9:26

Tmerri i ‘Balenës Blu’, psikologia apel prindërve: Si ta kuptoni te fëmijët tuaj

Pedagogia e UET-së, dr. Fleura Shkëmbi këshillon prindërit të jenë të vëmendshëm dhe të kuptojnë ndryshimet drastike të sjelljeve të fëmijëve të tyre, në rastet kur ata janë përfshirë në lojën e rrezikshme të “Balenës blu”.

Sipas psikologes Shkëmbi, vetë konceptimi i kësaj loje është për një target të caktuar njerëzish që ka filluar te fëmijët, por që nuk përjashton edhe mosha më të rritura. Një moment vetmie, një moment zhgënjimi, një moment “buling” nga shokët apo familjarët, një moment “disfate” bën që “administratori” i “Balenës blu” të jetë aty gati duke e pritur për ta përfshirë në një labirint mendor pa rrugëdalje.

balena-blu

INTERVISTA:

Psikologe Hipnoterapiste Klinike Pedagoge pranë UET

Psikologe
Hipnoterapiste Klinike
Pedagoge pranë UET

Po flitet për “Balenën blu”, një lojë që u përhap fillimisht në Rusi dhe që po shtyn adoleshentët drejt vetëvrasjes. A mund të na thoni çfarë është konkretisht kjo lojë dhe sa e rrezikshme është për ata që bien pre e saj?

Kjo lojë ka të bëjë konkretisht me disa shqyrtime (viktima dëgjon një këngë të caktuar, shikon një video të frikshme, të zgjohet në një orë të çuditshme çdo herë, të gërvishtë pjesë të trupit të tij me disa fjalë ose me simbole të “Balenës blu”, e cila zhvillohet gjatë 50 ditëve. Në disa raste, cikli i këtyre shqyrtimeve-misioneve përfundon në ditën ku veprimet e viktimave çojnë drejt vetëvrasjes. Kjo “lojë” drejtohet nga disa persona “game masters”, që japin udhëzime te viktima për misionet në vazhdim nga disa site anonime. Pjesëmarrësit përfitojnë pikë për zhvillimin e aktiviteteve të rrezikshme që u jepen, duke filmuar ose duke nxjerrë fotografi aktiviteteve që bëjnë si provë që kanë përfunduar misionin e radhës.

Çfarë sfidash duhet të pranojnë fëmijët që pranojnë të futen në lojë?

Sfida e “Balenës blu” përshkruhet si një lojë, por është më shumë se aq. Fëmijët të cilët pranojnë sfidën duhet të përmbushin një seri detyrash, të cilat bëhen edhe më mizore gjatë fundit të lojës, ku lojtari duhet të vetëvritet në mënyrë që të “fitojë”. Kjo lojë gjendet me emra të ndryshëm si “A Silent House”, “A Sea of Whales”, “Wake me up at 4:20”. Loja përfshin 50 detyra, të cilat caktohen nga administratori, që variojnë nga zgjimi në orën 4:20 të mëngjesit, ngjitjen e një vinçi, dëgjimi i muzikës dhe videove të caktuara nga administratori, vetëgjymtim, deri në aktin vetëvrasës.

Në Gjirokastër u zbulua rasti i një nxënëseje, e cila ishte në ditën e 33-të të lojës. Ajo kishte 10 ditë pa ushqim dhe kishte zbatuar të gjitha udhëzimet që i jepeshin, përfshirë këtu edhe dëmtimin fizik të vetes. Ju si psikologe, si do ta komentonit një rast të tillë?

Kjo lojë prek zakonisht adoleshentët, periudhë në të cilën janë më të ndjeshëm dhe më të dobët emocionalisht. Gjatë kësaj periudhe, ata shfaqin luhatje humori dhe janë rebelë ndaj familjes dhe shoqërisë, si pasojë e ndryshimeve fiziologjike, hormonale somatike dhe psikosomatike që përjetojnë dhe kalojnë në këtë periudhë. Një zhgënjim për ne të rriturit te një adoleshente mund të përjetohet shume herë me fuqishëm, duke i krijuar emocione shume të forta dhe të papërballueshme. Zhgënjimi, dëshpërimi që ata ndjejnë mund të krijohet nga shumë faktorë të ndryshëm. Si për shembull marrëdhënia e keqe që ata mund të kenë me prindërit e tyre, një zhgënjim në aspektin afektiv, një refuzim i një shoku, përjashtimi nga një grup i caktuar, një divorc i prindërve ose një ndryshim i madh që mund të ndodhë në jetën e tij në atë periudhë.

Mendoni se ka një target fëmijësh, që janë më të ekspozuar për të rënë pre e kësaj loje?

Vetëkonceptimi i kësaj loje është për një target të caktuar njerëzish që ka filluar te fëmijët, por në këndvështrimin tim nuk përjashton edhe mosha më të rritura. Një moment vetmie, një moment zhgënjimi, një moment “bulling” nga shokët apo familjarët, një moment “disfate” bën që “administratori” i “Balenës blu” të jetë aty gati, duke e pritur për ta përfshirë në një labirint mendor pa rrugëdalje. Është i qartë funksionimi: ata gjejnë një hapësirë boshe te këta fëmijë dhe hyjnë e plotësojnë me detyrat dhe me obligimet që u caktojnë. Në këtë moment këta fëmijë të gjendur në një hapë- sirë boshe me veten pëlqejnë që t’i përkasin dikujt që po ju jep vëmendjen e duhur, për të cilën ata kanë nevojë, por për këtë vëmendje ata duhet të “paguajnë” me besnikëri të hapave që duhet të ndjekin dhe të “bravos” që do të marrin, sepse ata tashmë janë të mirë në realizimin e diçkaje. Për sa u përket fëmijëve, të cilët ndjekin këtë “lojë”, janë fëmijët të cilët ndiejnë vetmi, janë introvertë, kanë vetëvlerësim të ulët, shfaqin elemente depresive, kanë përjetuar një zhgënjim të fortë, vështirësohen të krijojnë kontakte me bashkë- moshatarët e tyre dhe mund të kenë vështirësi në komunikimin me prindërit e tyre. Kjo është një skemë e përgjithshme, pasi nuk duhet të harrojmë se çdo fëmijë zhgënjimin e përjeton dhe e menaxhon me mënyra nga më të ndryshmet sepse ka personalitetin e vet, përvoja të ndryshme, marrëdhënie të ndryshme me prindërit dhe mbështetje emocionale dhe psikike. Komunikimi i mirë në ambientin familjar dhe marrëdhënia e ngushtë që ka me fëmijët e tjerë përbën mbështetjen e atyre dhe do t’i ndihmojë t’ia dalin mban vështirësive, problemeve që kalojnë në përditshmërinë e tyre.

A jeni ju në dijeni për raste të tjera të evidentuara në vendin tonë, pasi vajza që u përfshi në këtë lojë në Gjirokastër ka deklaruar se edhe dy shoqe të saj të klasës janë bërë pjesë e “Balenës blu”?

Po, jam në dijeni dhe për këtë arsye kam zhvilluar një orë leksioni me studentët për këtë situatë dhe analizën e saj. Po kështu, edhe kolegë të mitë janë duke e trajtuar dhe shpjeguar funksionimin psikik të kësaj “loje”.

Duke qenë fenomen në përhapje, cilat do të ishin rrugët për ta parandaluar dhe për të informuar nxënësit për rrezikun?

Ne duhet të jemi të gjithë në koherencë për të bashkëpunuar sepse kjo situatë ka gjasa të përhapet dhe nuk do të kemi mundësi parandalimi. Familja “duhet” të jetë më mirëkuptuese me fëmijët e vet, të shpenzojnë më shumë kohë me ta, të kuptojnë “dhimbjet” e tyre shpirtërore, të kuptojnë sfidat e tyre.

Ju keni trajtuar ndonjë rast të ngjashëm dhe nëse po, si ka qenë gjendja e fëmijës?

Kam pasur raste kur më kanë treguar për uebsajte të ndryshme, ku u mësojnë se si të jenë “dark”, se si të presin krahët, të bëjnë forma të caktuara sepse dhimbja e shkaktuar nga jashtë i ndihmon të zvogëlojnë dhimbjen e brendshme shpirtërore. Nuk është e lehtë si situatë, por nuk është e pamundur për t’u kaluar dhe për këtë ka nevojë për disa shtylla mbështetjeje që janë psikologu dhe mjeku psikiatër në rastet më të rënduara, familja, shokët, bashkëmoshatarët dhe shkolla.

Si duhet ta kuptojnë prindërit nëse fëmija është bërë pjesë e kësaj loje?

Duhet të vërejnë nëse fëmija i tij shfaq ndryshime drastike emocionale, nervozizëm, preket në sedër, izolimi social, ndryshime në interesat e tyre, kalon më shumë kohë para kompjuterit dhe kërkon nëpër site të dyshimta, gjak te rrobat, vetëplagosje, probleme me gjumin (pagjumësi, i përgjumur gjatë ditës), mospranim të ushqehen ose të pinë lëngje. /PANORAMA

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top