Marrëdhënie

June 7, 2016 | 9:59

Tradhtia ndihmon erosin?

Të mëkatosh ndonjëherë mund t’i bëjë mirë çiftit. Me paktin që të jetosh edhe me partnerin ndjesi të reja. Njëkohësisht tradhtia ka rrezikun e një kurthi. Me ndihmën e ekspertëve kemi hetuar…

“Po, kam tradhtuar dhe më ka bërë mirë. Ishte një përvojë e fortë, jo vetëm për të provuar ndjesi të reja, por edhe për të zbuluar pjesë të panjohura të vetes sime. E pashë veten si në një film dhe më pëlqeu. Rivlerësova potencialin tim erotik dhe zbulova atë guxim që nuk e dija se e kisha. I dashuri u zhduk shumë shpejt, por më bëri të kuptoj se kisha ende fuqi joshëse dhe se fantazitë e mia mund të vlerësohen. Tani falë këtij filmi me partnerin tim jetoj një seksualitet më të plotë dhe më të vlerësuar…”, – tregon Veronika, 37 vjeç. Një përvojë të ngjashme ka Marni, 40 vjeç, punonjës në një bibliotekë universiteti: “Ishte një fshikullim energjie… nëse më parë kultivoja fantazi erotike jashtë çiftit, tani mësova të përqendrohem në seksualitetin e sime shoqeje. Dhe funksionon”. Por jo gjithnjë ndodh kështu, ndonjëherë tradhtia mund të fshehë rreziqe ose mund të ushqejë dëshirën për të rijoshur. Me ndihmën e ekspertëve do të bëjmë një qartësim:

Kur qetësia i bën mirë çiftit

“Pas vitesh jete të përbashkët tradhtia mund të ndihmojë për të shkatërruar skemat paska të ngurta që çdo çift mund t’i krijojë”, pohon Chiara Gusmani, psikologe e zhvillimit dhe eksperte seksologjie në Milano. “Kush tradhton dhe zbulon veten në një rol të ndryshëm, mund të shprehë pjesë të vetes që në çift nuk arrijnë të duken. Të mëkatosh mund t’i bëjë mirë erosit, nëse i dilet të jetohen ndjesi të reja me partnerin”. Për disa tradhtia sugjeron refleksione të thella, që sjellin ridhënien e vlerave të asaj që ke. Siç i ka ndodhur Sarës, 24 vjeç, studente në mjekësi: “Kur e tradhtova Marion, nuk e di nga mërzia apo nga dobësia, vura re se isha në kërkim të tij, të aromës, lëkurës, gudulisjes së mjekrës së tij. Dhe kuptova se vendi im nuk ishte aty”. Për Renato Vignati, psikoterapeut i çiftit dhe docent i psikologjisë së përgjithshme në universitet, tradhtia mund të rrisë erosin edhe sepse “riaktivizon mekanizmat e joshjes”. Seksualiteti rimerr kështu një domethënie të re në imagjinatën erotike. Dhe nëse dashuria ushqehet, çifti mund të ketë stimuj pozitivë”. Siç i ka ndodhur Adrianit, 53 vjeç: “Me të dashurën gjeta hapësira lirie që në çift nuk arrinin të shfaqeshin. Kuptova çfarë më mungonte mua dhe çfarë i mungonte gruas sime…”. Është sikur tradhtia të të ndihmojë t’i shohësh gjërat nga të gjitha anët, ndryshe nga të parit nga një anë e vetme, siç mund të shihen brenda në çift. “Eshtë një rizbulim i hapësirave personale, vihen në veprim fantazitë dhe çlirohet liria nga varësia e çiftit”, shton Vignati.

Rreziqet për t’u shmangur

Por tradhtia mund të përmbajë disa kurthe nga të cilat vështirë të dalësh. “Eshtë rreziku i shndërrimit të tradhtisë në zakon, – precizon Gusmani. – Kjo sjellje rrezikon të kompromentojë seksualitetin në çift, sepse kush tradhton për të shpërblyer egon e tij, është shpesh në kërkim të partnerëve gjithnjë të ndryshëm. Kjo sjellje e sugjeruar nga dëshira për të nënshtruar dhe jo nga emocionet, vështirë të japë kënaqësi dhe rrezikon të krijojë distancë në çift”. Tradhtari “serial” kërkon kënaqësi dhe shpërblim vetëm në kërkim të partnerëve të rinj. Siç i ka ndodhur Andit, 47 vjeç: “Për disa vite, për t’i ikur rutinës në çift kam pasur histori gjithnjë të ndryshme. Nuk isha pothuaj kurrë i kënaqur, dëshira ime vetëm pakësohej. Nuk kishte kurrë hapësirë për fjalë, për përballje, për emocione, gjithçka ishte mekanike”. Ka që ia dalin të racionalizojnë tradhtinë, ta kufizojnë në një hapësirë dhe në një kohë të përcaktuar mirë: e zbrazur nga domethënia e saj emotive, në këtë rast, tradhtia nuk ka ndikim negativ në jetën në çift. “Ama, ka që vuajnë duke e mbajtur brenda dhe kjo i shtyn të largohen nga partneri”, shton Vignati.

Kur shtohet dëshira për rigjenerim

Ndonjëherë ndodh që tradhtia të zbulohet dhe në mënyrë të paparashikueshme ushqen në çift dëshirën e vënë në gjumë nga rutina. Stela, 47 vjeçe, mësuese, në distancën e ndonjë viti pothuaj kënaqet që ka zbuluar tradhtinë e të shoqit: “Mund të më kishte bërë të hutohesha nga dhimbja, por përkundrazi më bëri të kuptoj se isha unë hallka e dobët e çiftit. Kur u martuam, jo më të rinj, e shpërfilla seksualitetin duke e menduar si një kapitull të mbyllur të rinisë, e pandjeshme ndaj kërkesave të tim shoqi. Pas një ndarjeje që zgjati disa muaj, rifilluam dialogun dhe nisa të kujtoj se çfarë i kishte munguar atij dhe se sa më dëshironte. Gjithçka rifilloi nga e para”. Sigurisht, jo gjithnjë tradhtia mund të provokojë një grisje të lehtë për t’u qepur, por janë të shpeshta rastet kur shfaqet tek ai që ka tradhtuar dëshira për rigjenerim. E rëndësishme është që çifti të vazhdojë të dialogojë, të përpiqet të kuptojë. “Ndonjëherë tradhtia mbetet e vetmja mënyrë për të kuptuar pakënaqësitë, frustracionet dhe keqkuptimet në çift, – shpjegon Gusmani. – Kjo ngjarje dramatike dhe e dhimbshme mundet, për pasojë, të rivërë në punë komunikimin që ishte fikur dhe, nëpërmjet dialogut, edhe dëshirën”. Tradhtia mund të jetë kapsollë për një krizë, por edhe të ndezë një pasion të ri, pasi mund të vërë në punë një dialog të ndërprerë. “Një rrëfim i sinqertë, me fjalët e duhura, në momentin e përshtatshëm, mundet në fakt të ristabilizojë empatinë mes partnerëve, të sjellë një njohje të re, shkëmbime të reja të gjendjeve shpirtërore, mund të ketë edhe pranim dhe solidaritet, mirëkuptim për atë që ka qenë një moment dobësie”, konkludon Vignati.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top