Ishte viti 1999 kur u ndërtua një kampus shkollor privat nën sigurinë e emrit DERTLIU, për të sjellë atëherë një standard perëndimor në mësimdhënie. Ndërsa sot, mbartin me vete suksesin e 20-viteve eksperiencë, të afirmuar nga brezat ekselentë dhe nga rezultatet më të arrira. Sot institucioni arsimor DERTLIU renditet një nga 10-shkollat private më të mira në nivel kombëtar.
Tradita vazhdon, duke çelur një portë të madhe të dijes edhe në Tiranë, ku mësimdhënia e diferencuar, stafi elitar akademik, ambientet moderne dhe mjetet e avancuara të praktikave mësimore, do bëjnë që DERTLIU të mbetet një vulë suksesi për nxënësit.
Në 20 vite përvojë, renditeni ndër gjimnazet më të favorizuara dhe më të konsoliduara. Pa renditur vendet e para, të dyta në konkurse kombëtare, medalje ari, e me radhë. Çfarë ju bëri të hapni një gjimnaz paralel edhe në Tiranë?
Përvoja ime 20-vjeçare, ku kam kaluar në fillim 19 Matura Shtetërore, më jep forcën dhe sigurinë që këtë përvojë ta sjell edhe në Tiranë. Shkollat më të mira në Shqipëri, ku pjesa më e madhe janë në Tiranë, e njohin “Dertliu”-n kush është, ndaj mendoj se kjo përvojë, aq më tepër këto rezultate, bëjnë të mundur që “Dertliu” të hyjë i barabartë në këtë konkurrencë. Sepse, sa më shumë konkurrencë të ketë, aq më shumë zhvillim ka.
Çfarë do të sillni ndryshe?
Gjithë parimet bazë të institucioneve “Dertliu” mbështeten mbi një disiplinë të madhe, e cila quhet disiplina shkencore dhe disiplina qytetare. Mendoj se mbi themelet e kësaj disipline, mbi themelet e përzgjedhjes së nxënësve cilësorë, dhe të metodave më të reja bashkëkohore apo interaktive, projektet në lëndët e të gjitha profileve, projektet në drejtimin e shërbimeve në komunitet, mendoj se janë një faktor i rëndësishëm dhe një mundësi më e mirë që do të sjellë “Dertliu” në Tiranë. Me shkollat private, veç konkurrencës do të ketë edhe bashkëpunim, sepse ne të gjithë kemi një mision, dhe në këtë mision duhet të bashkëpunojmë dhe ta ngrejmë edhe më lart arsimin në Shqipëri. I kemi mundësitë dhe duhet t’i shfrytëzojmë së bashku! I shoh konkurrentë dhe bashkëpunëtorë të mirë.
Mësuese në shkenca, investuar shumë vite e në vazhdim në këtë profil. Është kjo arma më e fortë edhe kundrejt nivelit arsimor?
Unë jam mësuese 36 vjet kimie. Nga të cilat, nga viti ’92 e deri tashmë kam qenë mësuese e konkurseve, në kohën para 2006, Maturës Shtetërore, dhe nga ky vit e në vazhdim, e konkurseve të Maturës Shtetërore dhe të Olimpiadave Kombëtare të Kimisë, ku nxënësit e mi kanë fituar një numër të madh olimpiadash. Është e vërtetë që ne në arsimin shqiptar rendim shumë pas shkencës, dhe ndoshta dhe programet nuk i japin mundësi shumë praktikave, por kjo nuk do të thotë që në qoftë se në një lëndë, p.sh: kimia, ka 4 apo 5 laboratorë gjithë vitin, të mos bëhet demonstrimi gjatë çdo ore mësimore. Pra do zbatojmë patjetër programet, por shkolla duhet t’i japë mundësi më konkrete nxënësve në mënyrë që ta shohin dhe ta prekin. Në mënyrën më të mirë të mundshme, do të bëj gjithë eksperimentet jo vetëm në kimi, fizikë apo biologji, por pa diskutuar anën digjitale pastaj, të informatikës dhe në çdo orë mësimi me videoprojektor, kompjuter, (sepse edhe librat digjitalë na e japin këtë mundësi) të konkretizohen, por ajo që është e rëndësishme, do ta zbatoj është ana praktike brenda orës mësimore. Nxënësit sa mbajnë mend eksperimentet, sa mbajnë mend mësimet me projekte, nuk mbajnë mend mësimet teorike dhe shkencore. Përsëri do të jap mësim në gjimnaz dhe gjithë parimet që unë kam për lëndën time, do të jenë unike për të gjithë. I gjithë stafi që kam përzgjedhur dhe që është me përvojë shumë të mirë shkencore, duke bashkëpunuar të gjithë, do bëjmë që jo një apo dy lëndë të jenë konkrete, por të jenë të gjitha të tilla.
Gjimnazi “Dertliu” në Tiranë do të nisë në vitin akademik 2019-2020. Si do t’i kanalizoni prindërit e interesuar për investimin e fëmijëve?
Kemi filluar me një prezantim të parë nëpërmjet takimeve me nxënës të shkollave 9-vjeçare ku kemi dhënë informacionin e parë që u shkon prindërve. Së dyti përmes rrjeteve sociale dhe televizive që prindërit të marrin një informacion që hapet një shkollë e re në Tiranë dhe nëpërmjet tyre ata do shohin shkolla “Dertliu” paska përvojë dhe rezultate. Çdo prind kërkon një shkollë cilësore, një shkollë që të ketë përvojën e Maturës Shtetërore, sepse është baza e të gjithë nxënësve. Në parimin tim “Kush është mësues i mirë, bën dhe nxënësin mesatar të mirë”.
Do filloni me konkurset?
I pari u bë në datën 25 maj, por mund të bëjmë dhe një konkurs të dytë sipas kërkesave të prindërve, një në fund të muajit qershor pas përfundimit të të gjithë provimeve të sistemit 9-vjeçar dhe njëkohësisht, një fazë tjetër konkursi ku do të konsiderohet nota mesatare. Nxënësve me mesatare 10 dhe nga 9.7-9.9 do t’u ofrojmë përqindje burse, për t’u dhënë një mundësi për të qenë gjimnazistë në shkollën tonë. Më pas kriteret do të jenë të forta për nxënësit që do të vijnë në klasën e 11-të, sepse unë vlerësoj jo vetëm mesataren, por edhe konkurset kombëtare. Një nxënës që vjen nga klasa e 10-të do të futet në klasë të 11-të, duket të ketë mesatare mbi 9.5 dhe të ketë një çmim në Olimpiadë Kombëtare dhe në mënyrë automatike do i japim bursë të plotë.
Paralelisht do të ketë praktika mësimore jashtë orëve të mësimit?
E kam në projekt që nxënësve të mi sapo të mbarojë shkolla, do t’ju bëj një anketë se kush janë prirjet e tyre në drejtim jo vetëm shkencor, ku do grupohen talentet e olimpiadave e me rradhë, por prirje në drejtim të arteve, kërcimit, muzikës, teatrit, të gjuhëve të huaja, domethënë mundësi ekstra që duhet t’i shfrytëzojnë nxënësit, sepse ne do të bëjmë një jetë aktive me nxënësit në shkollë, dhe këtë nuk e bëjmë dot brenda gjashtë apo shtatë orëve të mësimit. Unë i kam llogaritur një deri në dy orë ekstra në mënyrë që dy herë në javë çdo nxënës pas mësimit ka të drejtë të marrë pjesë në këto veprimtari ose në këto kurse që do të përgatisin për gjithë këto veprimtari që do të ndodhin në shkollë. “Dertliu” garanton jetë aktive. Të gjitha festat do t’i festojmë në mënyrën më të bukur të mundshme, dhe kjo nënkupton formimin e grupeve që në fillimin e vitit të ri shkollor, që të jenë të përgatitur, dhe të bëjmë një jetë të bukur e të larmishme.
Përveç aspektit mësimdhënës, aktiviteteve shoqërore e organizative, sa rëndësi do të marrë shëndeti psikosocial e psikofizik?
Roli i psikologëve në moshën e adoleshentëve është tepër i rëndësishëm. Unë kam përvojë, e një njëfarë mase jam psikologe, sepse më ka mësuar jeta 36 vjet me adoleshentë, por psikologu i mirëfilltë duhet të jetë dhe është i pranishëm në gjimnaz, me temat e tij sociale, dhe me bashkëpunimin më vete me secilin nxënës. Tek gjimnazi “Dertliu” do të jetë non stop. Nga përvoja aktuale në Fier, kemi ndihmuar shumë nxënës dhe familje. I këshilloj prindërit që çdo gjë që nuk arrijnë vetë, t’ua lënë në dorë specialistëve. Madje ata vetë duhet të vijnë të këshillohen në prani, bashkë me fëmijën e tyre adoleshent. Këtu në Tiranë, në objektivin tim është që një herë në muaj minimalisht do bëjmë takime me psikologë me emër, që të zhvillojnë temat më të prekshme të adoleshentëve dhe të bashkëbisedojnë vetëm për vetëm me grupe nxënësish, duke i ndihmuar ata që të jenë më realë për edukimin dhe jo të rrëmbëhen pas fenomeneve që ka sot koha. Shumë i rëndësishëm është patjetër dhe mjeku, sepse edhe ai është pjesë e edukimit psikologjik dhe jo vetëm shëndetësor, i cili do të ketë pjesën e tij të punës me nxënësit, adoleshentët.
Adresa: Komuna e Parisit, Rr. “Medar Shtylla” +355 69 20 76 243 | [email protected] | www.dertliu.edu.al
Botuar në revistën “Psikologjia” 144, muaji Qershor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.