Aktualitet

July 18, 2025 | 12:47

Trajtimi i të moshuarve, një plagë që nuk mund të mbulohet me heshtje. Emisioni ‘Vetting’ në News24 nxjerr në dritë të vërtetën tronditëse nga qendrat rezidenciale

 

Nga Orjona Tresa

Nuk ka asgjë më të trishtë për një shoqëri se sa të braktisë më të dobëtit e saj. Të moshuarit, njerëzit që kanë ndërtuar këtë vend me duart e tyre, që kanë mbajtur familje, kanë rritur fëmijë, kanë mbajtur mbi supe vitet më të vështira të tranzicionit, por që sot ndodhen të përulur, të thyer, të lodhur, dhe ç’është  më e dhimbshmja, të harruar.

vetting5

Emisioni “Vetting” në News24 solli mbrëmjen e të enjtes, histori që vijnë nga shtëpitë e të moshuarve në Poliçan, Tiranë dhe Kavajë. E vërteta përmes planeve dhe zërave të vetë të të moshuarve, janë një thirrje për ndjeshmëri, por edhe një alarm për veprim. Aty ku duhet të ketë ngrohtësi, përkujdesje dhe dinjitet, ka ryshfet, vjedhje dhe frikë. Aty ku një dorë duhet të japë ndihmë, zgjatet për të rrëmbyer edhe ato pak qindarka që të moshuarit i mbajnë për ilaçe. Një pastruese që fut duart në xhepat e një plaku të sëmurë, një drejtoreshë që mbyll derën për të marrë para, një ish-drejtor që ngre dorë mbi një të moshuar…, këto nuk janë më lajme, janë krime morale dhe ligjore që nuk mund të mbulohen me heshtje.

Këta njerëz, që s’kanë më askënd, që kanë mbetur vetëm me kujtimet e një jete të gjatë e të lodhur, kërkojnë vetëm pak: të mos përçmohen, të mos dhunohen financiarisht, psikologjikisht apo fizikisht. Por, të trajtohen si njerëz. Të kenë një fund të qetë, me dinjitet. Dhe ne, si shoqëri, duhet të bërtasim kur ky minimum njerëzor dhunohet. Nuk mund të ketë më justifikime, nuk mund të ketë më mbulim me raportime zyrtare bosh. Abuzimi me të moshuarit nuk është thjesht një problem social, është një turp kombëtar.

vetting-news24

Ne nuk mund ta ndreqim të kaluarën, por kemi detyrim të kujdesemi për ata që e kanë jetuar atë. Përndryshe, çdo reformë, çdo përafrim me Bashkimin Europian, çdo pretendim për progres, është bosh dhe i pavlerë. Sepse për sa kohë azilet tona janë vende frike e jo strehë, për sa kohë të moshuarit luten për pak respekt dhe jo për luks, ne nuk jemi ende një shoqëri e drejtë.

Të moshuarit tanë nuk kanë më kohë për të pritur. Ata kanë nevojë për respektin dhe mbrojtjen që meritojnë, si një e drejtë themelore njerëzore. Sepse mënyra si trajtojmë të moshuarit, tregon kush jemi në të vërtetë.

vetting6

Pjesë nga Emisioni “Vetting” në News24

Të moshuarit që kanë humbur çdo shpresë dhe si zgjidhje iu kanë mbetur vetëm qendrat rezidenciale, shpeshherë për të marrë shërbimin detyrohen t’iu paguajnë ryshfet punonjëseve.

“Dhe aty ku duhet të ketë mbrojtje sociale, pra tek shtëpia e të moshuarve të shfaqen probleme me korrupsionin nga burokratët është një shkelje që kërkon vëmendje të shtuar pasi ne nuk mund të bëjmë përshtatje ligjore për t’u future në Bashkimin Europian, pra kapitulli 19, por duhet përshtatja ligjore të përkojë me realizime dhe emërtime direkte në shtim fondesh dhe jo më në abuzim fondesh”, tha Romina Radoshiq.

Në rastin e qendrave rezidenciale në Poliçan dhe Tiranë të moshuarit tregojnë se pa paguar ryshfet nuk merret shërbimi i duhur nga punonjësit e institucionit. Në Poliçan njëri prej të moshuarve tregon se kolegut të tij i merrnin paratë punonjëset duke i “futur” duart në xhepa.

“Më tregonin, më ka marrë kaq lekë”.

“E lanin plakun, njëra e lante, tjetra i kontrollonte xhepat sa lekë kishte. Ajo e kishte të plotfuqishëm burrin në Poliçan, Polic dhe bënte si i donte qejfi. Teuta Guri. E thoshin ata vetë azilantët. Të merrte lekët, na ka marrë kaq lekë.”

“Ishte një pastruese, ajo të merrte lekët, ajo të vidhte, ajo dhe nja 2-3”, tregon një i moshuar i azilit të Poliçanit.

Raste ryshfeti ka edhe në azilin e të moshuarve në “Ali Demi”, punonjëset nuk të ofrojnë shërbimin e duhur nëse nuk jep lekë, kush paguan në xhepat e tyre merr shërbim më mirë se ata që nuk paguajnë asnjë qindarkë.

vetting2

“Unë nuk kam pension fare, unë 125 mijë, 50 i mban azili, 70 i marr unë”

“Këtu janë vjedhur lekë bam”.

“Nuk kërkojnë kështu direkt, por të kërkojnë duke mos shërbyer, detyrohesh të japësh lekë, kupton?”

“Unë nuk i jap. Ndonjëherë kërkojnë ndonjë kanaçe. Hajde ndonjë kanace nuk është gjë, ndonjë kanaçe 1-mijë lekëshe”, tha i moshuari.

“Mi vjedhin lekët këto sanitaret, kjo Linda”, tregoi i moshuari i Kavajës.

vetting4

Ekziston një frymë frike brenda azileve për tu ankuar dhe për të kërkuar të drejtat. Të moshuarit shpesh herë heshtin duke mos u ankuar për mungesën e shërbimit dhe trajtimin jo dinjitoz për këta njerëz që shpresa e vetme që iu ka mbetur është azili. Në të kundërt rrezikojnë të jetojnë poshtë urave, në rrugë e ndërtesa të braktisura.

“Tani ne po bëjmë muhabet bashkë, nuk dua ta dinë ato që po bëjmë muhabet bashkë, se mua e di çfarë më bënë drejtoresha? Më heq nga azili!

“Drejtoresha ka 4 vite që ka dalë në pension dhe nuk ikën, në punë shteti mbush moshën e pensioni, ik, duhet të ikësh, nuk të lejon ligji. Mbushe moshën e pensionit ik, lërja vendin tjetrit”.

“Korrupsion i madh, korrupsion i madh.”

“Ajo i merr. Është në zyrë ajo, vete personi, drejtoresha e mbyll derën dhe merr lekët, kamera nuk ka. Hap derën dhe ik”, u shpreh i moshuari. Trajtimi abuziv, e paimagjinueshmja që ndodh.

Ka raportime të brendshme që tregojnë raste ku të moshuarit janë lidhur në shtretër, për të shmangur problemet.

Në disa azile, barnat për gjumë përdoren si “zgjidhje” për të menaxhuar sjelljet problematike, në vend të trajtimit profesional. Ky është trajtim çnjerëzor dhe në thelb, abuzim institucional.

vetting3

Skandali në Azilin e Kavajës, ish-Drejtori ushtroi dhunë

Një nga qendra e të moshuarve që ka patur probleme me dhunën dhe jo vetëm, është azili në Kavajë. Njëri prej banorëve të këtij azili ka treguar për “Vetting” se ish-drejtori i azilit e ka goditur me shpullë I moshuarin, një shkelje e cila dënohet me ligj. Nga një institucion i cili duhet t’iu ofrojë mbrojtje sociale dhe siguri shtresës më të pambrojtur, rrezikon të kthehet në një shqetësim serioz për shëndetin.

Burri me bluze blu në karrige: “Denisi (ish-drejtori i azilit) më ka rrahur mua, visi, çuni i Qifes më ka gjuajtur ja këtu syve.

Gazetari: Kush është ai? Punon këtu?

Burri me bluzën blu në karrige: Ka qenë këtu drejtor por ka ikur. Denis Avriku…

Gazetari: Pse të rrahu?

Burri me bluzën blu në karrige: Kot o burrë, pse erdhe në zyrë…

vetting1

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top