T’u kushtosh vëmendje dhëmbëve është e rëndësishme për secilin prej nesh, por akoma më shumë për personat që merren me sport. Traumat dentare ndodhin më tepër te çiklistët, futbollistët, skiatorët, basketbollistët etj.
Suela Ismalaja, kirurge orale dhe maxillo faciale, thotë se dëmtimet vijnë si pasojë e përplasjes me lojtarët e tjerë, përplasjes me dyshemenë ose me topin. Zonat më të prekura janë buza e sipërme, maxilla (nofulla e sipërme), si dhe dhëmbët frontalë të sipërm.
“Si pasojë e traumave, në regjionin facial mund të ndodhin këto dëmtime: lacerime të indeve të buta (faqe, gjuhë, mishrat e dhëmbëve), fraktura dento-alveolare dhe fraktura të kockave faciale (mandibula, maxilla, kocka zygomatike, nazale)”, thekson Ismalaja, e cila na njeh edhe teknikën e ndërhyrjes që aplikohet dhe masat që duhet të ndërmarrin sportistët për të parandaluar traumat dentare.
TRAUMAT DENTARE
“Fillimisht kërkohet të qetësohet situata për të kuptuar çfarë ka ndodhur dhe për të përcaktuar më saktë dëmtimin. Zona e traumatizuar sterilizohet me një garzë ose facoletë të lagur. Më pas duhet bërë tamponimi i zonës për të ndalu ar hemorragjinë që mund të jetë shkaktuar. Këshillohen kompresa të ftohta dhe kontakti direkt me mjekun stomatolog. Në rastin e frakturës dentare, pjesa e frakturuar ruhet në një ambient gjysmë të lëngshëm, si ujë ose qumësht, dhe sa më parë, brenda një ore, duhet të paraqiten te mjeku stomatolog. Fraktura mund të jetë në smalt, në dentinë ose radikularë. Është mjeku ai që përcakton si duhet vepruar. Në rastin e frakturës në smalt, ai ringjit fragmentin me pjesën tjetër të dhëmbit. Nëse fraktura ka arritur pulpën, bëhet devitalizim i dhëmbit. Kur fraktura është radikulare, mund të shkojë deri në ekstraksion, pra heqjen e dhëmbit.
Në rastin e luksacionit dentar ose lëvizjes së dhëmbit. Në varësi të gradës së lëvizjes bëhet dhe trajtimi i tij. Dhëmbi pozicionohet në vendin e tij normal dhe bëhet fiksimi i tij për 2 deri në 4 javë. Pacientit i këshillohen ushqime të buta dhe lëngje, antibiotiko-terapi, si dhe “follow up” për rastin.
MASAT
Gjatë aktiviteteve sportive është e mundur që sportistët të kenë dhimbje të vazhdueshme në nofullën e poshtme, në qafë, shpinë. Problemi mund të jetë i lokalizuar pikërisht në gojë. Për këtë arsye, sportistëve u rekomandohet mbajtja e biteve (aparate të kafshimit), të cilat mbajnë muskujt në pozicion relaksues nga njëra anë dhe nga ana tjetër mbrojnë dhëmbët e indet e buta përreth, duke amortizuar forcat goditëse. Këto është e mira të përgatiten në klinikë dhe jo të merren të gatshme. Gjithashtu, sportistët në varësi të sportit që realizojnë, duhet të mbajnë helmetat, mburojat e fytyrës. Të jenë të kujdesshëm dhe të bëjnë vizita e kontrolle periodike te mjeku stomatolog./Panorama
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.