Marrëdhënie

November 7, 2016 | 7:54

Tre tipa prindërish që lidhen me sjelljen sociale të fëmijëve

Që nga çasti kur lind çdo fëmijë bëhet anëtar i një familjeje dhe i një shoqërie të caktuar. Sapo lind, fëmija hyn në disa faza e procese të njëpasnjëshme që synojnë ta bëjnë atë “njerëzor” në mënyrë të pranueshme. Familja është mjedisi i parë që pret në gjirin e vet fëmijën e sapolindur. Ajo është faktori kryesor në ngritjen e personalitetit të tij përmes plotësimit të nevojave që ka fëmija dhe drejtimit të tij në shoqëri. Çdo individ (edhe një i sapolindur, fëmijë, adoleshent) ka nevojë për ngrohtësi, dashuri, mbrojtje, të cilat më shumë se kudo mund t’i gjejë në familje. Është thelbësore që prindërit të kuptojnë dhe plotësojnë këto nevoja të fëmijëve të tyre.

Stili i prindërimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për fëmijën.

 

Sipas D.Baumrial, ka tre tipa prindërish që lidhen me sjelljen sociale të fëmijëve:

Prindërit autoritarë. Ky është një stil ndëshkues dhe strikt, ku prindërit detyrojnë fëmijën të ndjekë urdhërimet e tyre. Ata vendosin limite dhe e kontrollojnë fëmijën duke mos i lejuar atij shumë shkëmbim verbal. Këta prindër i inkurajojnë fëmijët e tyre të jenë më të pavarur.

Prindërit neglizhues. Është një stil ku prindërit janë pak të përfshirë në jetën e fëmijëve. Këta fëmijë kanë pak aftësi sociale, vetëkontroll të ulët dhe nuk kanë pavarësi të madhe.

Prindërit e butë. Është një stil ku prindërit janë shumë të përfshirë në jetën e fëmijës, por e kontrollojnë pak. Këta fëmijë rrallë mësojnë respektin për të tjerët dhe kanë vështirësi në kontrollin e sjelljeve të tyre. Megjithëse në kultura të ndryshme ka mënyra të ndryshme të rritjes dhe edukimit të fëmijëve, për të gjithë ka një moment thelbësor që përbën kyçin e procesit të shoqërizimit.

 

Shoqërizimi është procesi me anën e të cilit fëmija i pambrojtur bëhet gradualisht i vetëdijshëm, i ditur, i aftë për llojin e kulturës ku ka lindur

Ky moment është formimi i hershëm i lidhjeve të gjata me njerëz të ndryshëm, duke u nisur që nga prindërit, më pas me të afërmit apo edhe me njerëz të tjerë jashtë familjes. Atashimi i vendosur mes fëmijës dhe prindërve paraprin lidhjet e shumta me njerëz të tjerë më vonë. Është provuar nga studime të ndryshme se individët me atashim të mirë në fëmijëri janë më të suksesshëm në marrëdhëniet me të tjerët janë të shoqërueshëm dhe të komunikueshëm. Është e rëndësishme që prindi t’i gjendet pranë fëmijës dhe ta përkrahë atë në iniciativat e veta, në mënyrë që fëmija të ndjejë dashuri, ngrohtësi dhe përkrahje. Nëse foshnjat e vogla nuk ndiejnë siguri në mjedisin që i rrethon ato, krijojnë ndjenja dyshimi për të tjerët. Nëse prindërit i ndëshkojnë shpesh fëmijët e vegjël, këta do të dyshojnë për pavarësinë e tyre dhe do të kultivojnë ndjenja inferioriteti e frikë. Edhe adoleshentët, sikurse fëmijët e vegjël, kanë nevojë që prindi të jetë prezent në “bëmat” e tyre dhe të krenohet e ta lavdërojë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top