Tendencat e këtij vitit janë menduar për një femër që e adhuron vërtetë grimin! Dhe i pëlqen të grimohet çdo ditë sikur po shkon në një event të rëndësishëm. Ndaj tendencat e këtij viti janë menduar për të pasur një ndikim të madh dhe që realizohet mirë me teknika pothuajse artistike, si për sytë ashtu edhe për buzët.
Tendenca “nude” nuk është arkivuar plotësisht, por është më pak e pranishme, krahasuar me stinët e kaluara. Po ashtu edhe look-u i pastër e natyral, është i lejuar, me kushtin që të jetë me shkëlqim dhe në nuancat e ngjyrave të tokës.
Sy të ngjyrosur, buzë të ndezura dhe rikthimi i ngjyrës së tokës: ja tri trendet e grimit për vitin 2018.
Sytë
Sapo ka hyrë një trend shumë i fortë që është me ngjyra, që gjallëron sidomos qerpikët dhe konturet e syve. Lapsat dhe rimelet me ngjyra, mbi qepalla nude janë protagonistet e këtij viti. Ngjyrat që shihen më shpesh janë e gjelbra dhe bluja. Edhe pluhurat e syve janë në nuancat e së gjelbrës, por këtë vit do të përdoren edhe ngjyra më të ngrohta, si: kafja dhe ngjyra e ullirit, të cilat janë tonalitete perfekte për femrat me flokë ngjyrë gështenjë. Po ashtu edhe grafitet që ngjyrosin qepallat me forma gjeometrike lineare janë një ndër tendencat e grimit të syve, me kushtin që të realizohen mundësisht me penel të zi.
Buzët
Tendenca e vitit thotë: buzë të ndezura! Duhet të duken për të kontrastuar një fytyrë “ujë e sapun” apo të grimuar me ngjyra nude. Buzët duhet të konturohen gjithmonë me laps në tonalitetin e buzëkuqit. Ndaj, keni dorë të lirë për të përdorur ngjyrat e forta si: e kuqe apo rozë e theksur, por duhet të jenë pa shkëlqim ose gjysmë mat. Një buzëkuq shumë i fortë mbi buzë mjafton për të theksuar tiparet e fytyrës, edhe nëse zgjidhni të mos lyeni sytë.
Fytyra
Në 2018-ën kemi një tendencë fondotinte në ngjyrat e tokës, e cila eksploron të gjitha nuancat e bezhës për të ngrohur një fytyrë që duhet të duket e shëndetshme. Por kujdes: ngjyrat e tokës nuk duhet “të nxjerrin në pah” një lëkurë që nuk është e nxirë nga dielli, por duhet të fshijnë ato shenja lodhjeje që asnjë femër nuk dëshiron të tregojë. Fondotintat e kësaj ngjyre duhen përdorur në të gjithë fytyrën, mjafton që të jetë gjysmë toni më i errët se sa lëkura juaj dhe me teknika që nxjerrin në pah mollëzat.
Përgatiti: Manjola Ereqi | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.