Në rrugëtimin tonë të rritjes, disa nga mësimet më të rëndësishme nuk do t’i kuptojmë nga bankat e shkollës dhe nga librat, por nga përvojat e jetës dhe nga takimet që bëjmë…
Fëmijët kanë shumë për të na mësuar. Duhet të jenë një pikë referimi e rëndësishme në jetën tonë. Janë shembulli më i madh që kemi për të mësuar disa sjellje thelbësore, të cilat i kemi harruar në përditshmëri dhe që na bëjnë të arrijmë suksesin dhe përsosmërinë. Shpesh në rrugëtimin tonë të jetës, lëmë pas disa gjëra, që në fakt, duhet t’i rizbulojmë duke mësuar pikërisht nga më të vegjlit. Të jesh si një fëmijë, të mbash brenda vetes anën fëmijërore, mund të jetë burim shumë i madh për një sërë faktorësh. Le të shohim se përse shembulli i fëmijëve është mjaft i çmuar.
- Të qenit kuriozë
Karakteristika e parë e fëmijëve, që duhet ta rizbulojmë në çfarëdolloj moshe, është kurioziteti. Ju ka ndodhur ndonjëherë të dëgjoni “stuhinë” e pyetjeve që një fëmijë bën mbi çdo argument të mundshëm? Është pikërisht një mënyrë e tyre e të qenit: një pyetje, pastaj një tjetër, dhe një tjetër përsëri. Është mënyra e tyre për t’u rritur, për të mësuar. Janë të stimuluar nga gjëra të shumta, vëmendja e tyre përthith jashtëzakonisht shumë. Kjo bën të mundur që përgjigjet të mos jenë asnjëherë mjaftueshëm për ta.
Mund të përfshihen menjëherë e totalisht nga çfarëdolloj argumenti. Edhe kur u tregon një përrallë, kanë shpesh një kuriozitet, që kalon përtej dëgjimit pasiv. Ja, kjo është karakteristika e parë tipike e fëmijëve, të cilën duhet ta fitojmë. Ta shohim botën me tjetër sy; gjithçka që dimë, në fakt, e dimë vetëm pjesërisht. Kjo është si për njerëzit që na rrethojnë, ashtu edhe për objektet e gjërat që bëjmë. Përse një i afërm apo një koleg i yni sillet në një mënyrë të caktuar? Për çfarë ka nevojë realisht? Përse jeta jonë ecën në një rrugë të caktuar? Janë mijëra pyetje, që nuk duhet të harrojmë t’ia bëjmë vetes.
- Të qenit entuziastë
Një tjetër magji e madhe e të vegjëlve është aftësia e tyre për të qenë entuziastë. Entuziazmi i tyre është për t’u marrë shembull, së bashku me aftësinë që kanë për të provuar emocione. Si të rritur, duhet t’i evitojmë ato sjellje të tipit: “jam shumë i rritur për këto gjëra”. Me siguri ju ka ndodhur të takoheni me njerëz që stepen përballë një përvoje të re, mbyllen përballë emocioneve. Ndërsa fëmijët e nisin dhe e mbyllin ditën të përfshirë nga entuziazmi. Aftësia e të entuziazmuarit është shumë thelbësore. Do të thotë të jeni të hapur ndaj propozimit të dikujt, ndaj gjërave të reja që mund t’ju ndodhin në jetë. Mirëpritini emocionet! Kjo është një karakteristikë e shkëlqyer e të vegjëlve.
- Të pasurit besim
Aftësia për të pasur besim është një karakteristikë tipike e fëmijëve, ndërsa të rriturit preferojnë të mbyllen në skepticizmin e cinizmin e tyre. Kjo është një mënyrë për të larguar atë të mirë që ndodh në jetën tonë. Skepticizmi i të rriturve i shtyn ata të mos besojnë se mund të fitojnë diçka, sepse konsiderohet jashtë pritshmërive të tyre. Përse të mos besojmë se mund të ndërmarrim e të realizojmë një punë e caktuar, në fushën profesionale apo atë personale? Një fëmijë ka besim se çdo gjë që dëshiron, mund ta realizojë. Rrallëherë mund të shohim një fëmijë që nuk beson. Ky është një shembull i madh për jetët tona si të rritur, të ngarkuar në botën e marrëdhënieve dhe të punëve.
Pjesa më e madhe prej nesh, përgjatë jetës kalon dështime, por ato nuk duhet të na pengojnë të rigjejmë besimin te njerëzit. Vetëm duke u sjellë si fëmijë jemi të aftë të kthehemi më pas në krahët e një personi tjetër. Kjo do të thotë që të dimë të rrezikojmë, të vihemi në lojë dhe të mbledhim frutet që na takojnë. Një sjellje besimi kundrejt të tjerëve, gjeneron po ashtu besim, pra do të thotë të gjenerojmë një rreth vicioz në jetët tona.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 136
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.