Një ngjarje e rëndë ndodhi këtë të hënë, e cila i kushtoi jetën gjyqtarit Astrit Kalaja, i gjendur në krye të detyrës. Autori i vrasjes me armë zjarri, është ndaluar nga policia, ndërsa nuk dihet se si ka arritur të kalojë kontrollin e sigurisë me armën e krimit, për të hyrë në ambientet e këtij institucioni të rëndësisë së veçantë në vend.
Sipas mediave, një nga shkaqet e mundshme të ngjarjes janë çështjet e pronësisë, të cilat gjyqtari Kalaja po trajtonte. Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit, gjatë një procesi gjyqësor. Sipas policisë, autori i ngjarjes është Elvis Shkambi, djali i Gjon Shkambit.
Sipas Policisë së Shtetit, rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces). Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit.
Kush ishte gjyqtari Astrit Kalaja?
Gjyqtari Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje me armë zjarri në Gjykatën e Apelit Tiranë, është emëruar për herë të parë si magjistrat më 24 nëntor të vitit 1993 në Shkodër. Në Gjykatën e Shkodrës ka shërbyer për shumë vite, para se të emërohej në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Astrit Kalaja, e ka kaluar Vettingun në vitin 2019, por komisioneri Publik i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin nga detyra me pretendimin se ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për një apartament me sipërfaqe 109,5 m2, si dhe për një sipërfaqe toke prej 379 m2 në Velipojë brenda së cilës ndodhet edhe një ndërtim informal përdhes prej 60m2.
KPA-ja e konfirmoi në detyrë gjyqtarin Kalaja në janar të vitit 2022’.
Astrit Kalaja është zgjedhur edhe anëtar në Kolegjin Zgjedhor tre herë radhazi.
Ai ka lindur në qytetin e Shkodrës dhe u diplomua në vitin 1993 në fakultetin e Drejtësisë. Sapo mbaron studimet me titullin “Jurist”, emërohet në detyrën e gjykatësit në rrethin e Shkodrës.
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur sot në ambientet e brendshme të Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja dhe u konfirmua si autor Gjon Shkambi, janë zbuluar detaje të reja lidhur me të plagosurit. Raportohet se, përveç viktimës, janë plagosur edhe dy persona të tjerë, një baba dhe i biri. Njëri prej tyre ndodhet aktualisht në sallën e operacionit, por fatmirësisht mjekët bëjnë me dije se është jashtë rrezikut për jetën. Edhe personi i dytë është në gjendje të stabilizuar dhe po merr trajtim mjekësor. Identiteti i të plagosurve ende nuk është bërë publik, ndërsa hetimet për rrethanat e plota të ngjarjes vazhdojnë intensivisht.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.