Psikofakt

March 20, 2017 | 12:49

Trupi – metaforë e pushtetit të shoqërisë

Lufta duhet të jetë e grave për gratë, por jo duke iu përshtatur konditave të paracaktuara. Duke iu rikthyer trupit jo si materie e as si metafizikë, po vendimmarrje për të. Kjo është e mundshme nga angazhimi i grave për gratë sepse askush më mirë se sa gratë nuk e di se në shoqëritë si e jona të jetosh në trupin tënd është si të jesh e huaj.

Nga Sibel Halimi Sociologe dhe ligjëruese e studimeve gjinore në Departamentin e Filozofisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës

Nga Sibel Halimi
Sociologe dhe ligjëruese e studimeve gjinore në Departamentin e Filozofisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës

Të pavetëdijshëm apo jo, në shoqërinë tonë standardet për trupin janë të krijuara, të konsoliduara dhe aspak fluide, sidomos kur ai ideologjizohet dhe shpërfaqet si një ‘normalitet’ dhe ‘devijim’. Megjithatë, duke qenë trupi praktikë e rregullt e kontrollit dhe disiplinimit, siç shkruan Michel Foucault dhe Pierre Bourdieu, atëherë trupi i gruas, nuk është vetëm imanencë, por brenda tij ndërtohet një shoqëri e tërë e pushtetit të burrit mbi të. Prandaj, rikthimi te trupi si një metaforë e sistemit shoqëror zhvendos premisën qendrore mbi atë se ku çalon pabarazia gjinore. Pabarazia ekonomike, arsimimi jo i barabartë, ngacmimet seksuale, dhuna ndaj gruas janë vetëm disa nga pasojat e marrëdhënies së pushteteve të legjitimuara nga të gjitha mekanizmat social. Por, është e pamjaftueshme të thuhet që kjo i përket vetëm një ideologjie të caktuar, është po ashtu një organizim strategjik i konfirguracionit shoqërorë, është marrëveshje e heshtur në mes shtetit dhe shoqërisë se si të paraqitet dhe të pranohet trupi dhe çdo përpjekje për të ndryshuar. Se si trupi i gruas dhe burrit feminiteti/ maskiliniteti janë çrregullime dhe pasiguri sociale. Prandaj, është paradoksale të pranohet zhveshja, në çfarëdo mase në mediumet e përditshme kur shoqëria ruan dhe promovon vlerat tradicionale. Megjithatë, është interesante kur në një konditë të tillë sociale të pranohet lehtësisht kur një grua prezantohet në revista me një shpërfaqje seksuale brenda një kornize familjare, me burrin në qendër, i cili e organizon tërë jetën e saj dhe të fëmijëve. Në fakt dallimi i të dyjave është minimalist për faktin se në të dy rastet është marrëdhënia pushtetit që përdor trupin dhe seksualitetin për të ruajtur atë çfarë saktësisht e përcakton të qenit burrë apo grua. Megjithatë, kjo nuk shihet ndryshe, kur burrat, të mund të kenë disa tipare femërore, ndonëse më pak të shpërfaqura ne media.

Antropologu Mary Douglas, trupin e përshkruan si një format të fuqishëm simbolik, shpërfaqje e kulturës bazike – metaforë e kulturës.

Barazia gjinore përveç se është një e drejtë njerëzore, në thelb është një projekt politik. E kur bëhet i tillë, atëherë emancipimi dhe lufta drejt çlirimit nga patriarkatit mbetet tentativë.

Në fakt, megjithëse shteti nominalisht përpiqet t`i kundërvihet diskriminimit gjinor, i përbërë nga shoqëria patriarkale misioni i tij me tendencë transformuese stagnon në atë të ruajtjes së gjendjes ekzistuese.

Prandaj, lufta duhet të jetë e grave për gratë, por jo duke iu përshtatur konditave të paracaktuara. Duke iu rikthyer trupit jo si materie e as si metafizikë, po vendimmarrje për të. Kjo është e mundshme nga angazhimi i grave për gratë sepse askush më mirë se sa gratë nuk e di se në shoqëritë si e jona të jetosh në trupin tënd është si të jesh e huaj.

Koncepti i emancipimit në kontekstin shqiptar gjithmonë është lidhur me largimin e ferexhesë dhe arsimin e grave. Janë dy nga çështjet kryesore ku histografia vë në shprehje ndërlidhmërinë e konceptit të ‘emancipimit’ me gruan. Megjithatë, nëse etimologjia e emancipimit nënkupton procesin që dikush del nga kontrolli i dikujt tjetër, kjo nënkupton që edhe emancipimi në shoqërinë shqiptare gjithmonë është nënkuptuar varësisht nga konteksti shoqëror dhe politik. Rrjedhimisht, sot kur flitet për gruan dhe emancipimin, është paradoksale të flitet për lirinë e saj vetëm në kontekstin religjioz dhe atë arsimor edhe pse gratë sot ballafaqohen me të drejtat elementare të shkollimit dhe tendencën e religjionit për ta disiplinuar dhe ndëshkuar nëpërmjet përcaktimit statik të pozitës së saj e që nënkupton kontrollin dhe rikthimin e rolit tipik tradicional. Prandaj, emancipimi është shumëdimesional dhe ngërthen në vete shumë aspekte pavarësisht që mund të bëhet fjalë vetëm për subjektin grua, prandaj ky dimension shihet më pak i rëndësishëm për traditën historike të shumë studimeve që kanë trajtuar përpjekjen për të liruar individin nga çfarëdo kontrolli. Mungesa, e perspektivës së gjinisë ka ndikuar jo vetëm në stagnimin e trajtimit të emancipimit, por ka shpërfaq dhe legjitimuar, pranimin e konservatorizmit si një prej kritikuesve më të mëdha të projektit të emancipimit të gruas, duke u mbështetur në premisën se emancipimi i gruas është devijim moral deri tek shthurja e vlerave më të larta që mund t`i ketë shoqëria.

Lidhja e gruas me natyrën është njëra prej premisave kryesore mbi bazën e së cilës u ndërtua sistemi patriarkal. Miti i “femme fatale”, është simbolika e projektuar e patriarkalitetit, për të identifikuar subjektin grua jo vetëm në raport me lirinë, por edhe vetëdijen e saj për të. Megjithatë, në kontekstin patriarkal, kjo metaforë simbolizon gruan neurotike, histerike të vetmuara dhe fatale për dominuesin, pushtuesin dhe shoqërinë në përgjithësi. Prandaj, çdo përpjekje e lëvizjeve të ndryshme që kishin për qëllim luftimin e vlerave konservatoriste në esencë përballej me represionin, ndëshkimin, disiplinimin deri në eliminim. Shtrirja e emancipimit si një projekt që vije nga familja, si një vend ku ndryshimet bëhen të dukshme  dhe raporti në mes vartësit dhe pushtuesit janë të pastra. Kjo më së miri shpërfaqet nga njëra prej aktivisteve kryesore të Suffragettes. Fillimisht ajo dëbohet nga vet familja, me alibinë e përfshirjes  në projekte të rrezikshme ‘amorale’ për familjen dhe shoqërinë. Simbolikisht, kjo është shembulli më tipik për ta treguar se me çfarë situate përballen gratë kur bëjnë jetë publike.

Kjo mënyrë jetese ka kosto. Sepse ekziston sistemi i dominimit të patriarkut si një rend i shenjtë- temenos.

Ky rend i krijuar pengon procesin e emancipimit dhe promovon konceptin e atësisë dhe lidhjen e gjakut si arketipa kryesor të mbajtjes dhe ruajtjes së shenjtërisë. Margaret Mead, ndjenjën e atësisë e quan si shpikje shoqërore, një prej mekanizmave kryesor të ruajtjes së pushtetit jo vetëm shoqëror, por edhe ligjor.

Ndërhyrja e “tjetrit” në relacionin e gruas me seksualitetin do ta mbajë gjallë situatën në të cilën gratë do të vazhdojnë të jenë viktimat më të mëdha të rrotullimeve të pandërprera të rrotës, e cila do të sillet nga dora e dominuesit, respektivisht penguesit të emancipimit. /gazetaexpress/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top